1.5 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Malin e Zi

Trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë ka ndryshuar itinerar. Policia malazeze sekuestroi dje në Ulqin 1.5 ton drogë që ishte futur nga Shqipëria dhe kishte destinacion Italinë. Televizioni shtetëror i Malit të Zi informoi se lënda narkotike është sekuestruar rreth orës 10:30 minuta të ditës së djeshme rreth 8 milje larg bregut. Ndërkohë, gazeta malazeze “Vijesti” bën me dije se të arrestuarit janë Benard Tahiraj 33 vjeç dhe Elton Çaushaj, 43 vjeç, të cilët janë të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës.
“Rreth orës 11:00, rreth 8 milje nga Plazhi i Madh, në ujërat në drejtim të Italisë, njësiti kufitar detar i Tivarit ka kontrolluar anijen ‘Club Man 28’. Anija është drejtuar nga Tahiri dhe Çaushi. Pas kontrollit, anija është ankoruar në Plazhin e Vogël”, shkruan gazeta.
Lënda narkotike e llojit kanabis sativa ka shkuar nga Shqipëria në Malin e Zi, ndërsa ishte e ndarë në 78 pako, e vendosur në një skaf drejtuar nga dy shtetas shqiptar. Sipas gazetës, pakot ishin me nga 20 kg secila. Skafi ka zbarkuar në afërsi të Ulqinit pas një ndjekje të gjatë në det. Gazeta shkruan se, plani i shqiptarëve ishte trafiku i lëndës narkotike në drejtim të Italisë.
Mediat malazeze shkruajnë se, bllokimi skafit me drogë është bërë pas një ndjekjeje të gjatë në hapësirën detare të Ulqinit në Mal të Zi. Ndërkohë, nga mediat e Ulqinit bëhet me dije se, hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë nga autoritetet e Malit të Zi.
Në një muaj 10.3 ton drogë nga Shqipëria në Itali
Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali publikoi një raport para katër ditësh ku thuhej se, vetëm gjatë muajit mars të këtij viti u bllokuan në shkallë vendi rreth 10,3 tonë lëndë narkotike. 7,8 ton ishte e llojit marijuanë me prejardhje nga Shqipëria, ndërsa rreth 2,5 tonë ishte hashash. Sipas Antidrogës italiane, policia arrestoi në rreth 2300 operacione 2170 persona nga të cilët 1109 të huaj. Mes të arrestuarve të përfshirë në vepra të trafikut dhe shpërndarjes së drogës 214 persona ishin të mitur.
Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti është shprehur i shqetësuar për trafikun e drogës nga Shqipëria. Sipas tij, në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari, mbërrijnë nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone.
Ndërkohë, Policia italiane goditi dje një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës e prostitutave, në përbërje të të cilit kishte edhe shqiptare. Në pranga ranë 27 persona, por sipas mediave italiane nën hetim si anëtarë të kësaj organizate janë 40 persona. Mes tyre 16 janë shqiptare, shumica italianë, por në përbërje ka edhe shtetas afrikanë. Veç trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit, grupi merrej edhe me rrëmbime, vrasje me pagesë e shitje armësh.
Organizata vepronte kryesisht në Milano, por aktivitetin e kishin shtrirë edhe në Bergamo, Mantova, Asti e Mesina.  Gjatë operacioneve për arrestimin e disa prej anëtarëve të organizatës, policia italiane sekuestroi në banesat e tyre 140 mijë euro në total. Hetimet për këtë organizatë nisën në vitin 2015 nga Prokuroria e Moncës.
“Mirësevini në Kanabistan”!
Para tre ditësh, gazeta italiane “Il Fatto Quotidiano” kishte një reportazh për kanabizimin e Shqipërisë. “Mirësevini në Kanabistan! Mes plantacioneve, kallashnikovëve dhe politikës, “Mekës” evropiane të marijuanës”. Ishte titulli i një reportazhi të gjatë gati 13 faqe të revistës “Millenium” që del në print së bashku me gazetën italiane “Il Fatto Quotidiano”. Në edicionin e muajit maj ka një reportazh të gjatë për Shqipërinë.
“Shqipëria është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i “barit” në kontinent. Kështu, në brigjet e Pulias ndodh çdo natë të përsëritet lufta e skafistëve me Guardia Di Fiananza. Varfëria i jep dorë kultivimit të drogës, por ky biznes vlen 4 miliard euro, një e treta e GDP-së. Ndërkohë mazhoranca dhe opozita po shkojnë drejt zgjedhjeve, duke akuzuar njëra-tjetrën për marrëveshje të fshehta me trafikantët”, thuhej në hyrje të këtij reportazhi.
Një pjesë e rëndësishme e këtij reportazhi i kushtohet Kelmend Balilit, i konsideruar taushmë si “Eskobari i Ballkanit”. Gazetarët italianë kanë shkuar deri në fshatin Stjar të Delvinës ku është edhe vendlindja e Balilit. Për gazetarët italianë është e çuditshme mbështetja politike që ai ka pasur në gjithë këto vite. Përveç hotelit të ndërtuar prej familjes së tij gazetarët hedhin dyshime edhe për lidhjet politike. Balili vetë një funksionar shtetëror, ndërsa një nip i tij është ende kryetar bashkie në Delvinë.
“Po vijnë miq”. Ishte kjo shenja që i dhanë Balilit për t’u larguar nga shtëpia, kur policia nisi kërkimin ndaj tij. Gazetarët italianë sjellin detaje nga operacionet e dështuara të policisë.
105 kg kanabis nga Shqipëria kapen në Athinë
Një shtetas shqiptar është arrestuar të mërkurën pasdite në Elefsina, në hyrjen perëndimore të Athinës, i akuzuar për transport droge me qëllim trafikun. Për të njëjtat akuza janë shpallur në kërkim edhe katër persona të tjerë, një grek, një ukrainas dhe dy shqiptarë.
Arrestimi u bë i munduar, pasi shërbimi antidrogë kishte kryer investigimet e nevojshme dhe kishte identifikuar gjithë skemën e trafikut dhe pjesëtarët e grupit. 25-vjeçari shqiptar u ndalua në stacionin e taksës rrugore në Elefsina. Në makinën e tij u gjetën 105 kg kanabis, e paketuar në 20 thasë plastmasi.
Siç njofton policia, droga ishte marrë në afërsi të kufirit me Shqipërinë, në zonën e Igumenicës. 25-vjeçari vepronte nën urdhërat e dy bashkatdhetarëve të tjerë që po kërkohen, ndërsa greku dhe ukrainasi kishin për detyrë të garantonin transportimin e sigurt të kanabisit, për në destinacion.

R.POLISI

Exit mobile version