Juventus përgatit festën e titullit kampion në Serinë A. Bardhezinjtë kanë 9 pikë avantazh ndaj skuadrës së Napolit dhe kur kanë mbetur 4 javë nga fundi i kampionatit, titulli i pestë kampion radhazi duket se është një mision që kërkon pak impenjim pas një rrugëtimi fantastik në fazën e dytë të kampionatit. Starti i dobët në fillim të sezonit tashmë duket vetëm një ëndërr e keqe, e harruar pas ecurisë së jashtëzakonshme në vitin 2016.
Juventus të dielën luan në transfertën delikate të Firenzes kundër Fiorentinës dhe në rast të një rezultati pozitiv, e vetmja gjë që i mbetet të bëjë është të ulet përpara televizorit dhe të ndjekë pa kurrëfarë shqetësimi takimin mes Romës dhe Napolit. Festa mund të nisë më 25 prill por, nëse avantazhi vazhdon të mbetet në kuotën e 9 pikëve, atëherë do të ketë shtyrje të zyrtarizimit të titullit. Nëse 25 prilli nuk do të jetë data e e shumëpritur, tifozëve të Juventusit do t’u duhet të presin datën 1 maj në takimin kundër Carpit. Sidoqoftë një gjë është e sigurt, titulli i pestë kampion qëndron pas derës dhe “Zonja e Vjetër” mjafton të presë kohën e duhur për të nisur festën bashkë me tifozët e saj në sheshin qendror të Torinos.
Titulli i 5-t kampion radhazi në Serinë A është vetëm 1 fitore larg për Juventusin. Bardhezinjtë e çuan sërish në 9 pikë avantazhin ndaj Napolit ndjekës në klasfikim dhe tashmë mund të konsiderohen praktikisht kampionë të Italisë për të 5-in vit radhazi. Në Juventus Stadium, të besuarit e Massimiliano Alegri likuiduan me një 3-0 të pastër, Lazion e Simone Inzaghit, duke i shkaktuar humbjen e parë këtij të fundit në stolin e bardhekaltërve. Mandzukiç në pjesën e parë dhe Dybala dy herë në fraksionin e dytë ishin autorët e golave për Juventusin që pas javës së 34-t numëron 82 pikë kundrejt 73 pikëve të Napolit.
Interi, ndërkohë i thotë lamtumirë Championsit. Zikaltërit e Mançinit u mposhtën 1-0 nga Genoa në Marassi dhe 4 javë përpara fundit të kampionatit e shohin veten 7 pikë pas Romës së vendit të tretë, që arriti të çmendur 3-2 me përmbysje ndaj Torinos në Olimpico. Fantastik Francesco Totti i cili edhe pse u hodh në fushë nga trajneri Spalletti në minutën e 86-të, në vetëm pak çaste realizoi dy herë, duke i dhënë një fitore shumë të rëndisishme skuadrës kryeqytetase. Më herët për Torinon kishin realizuar Belotti nga pika e bardhë e penalltisë dhe Martinez, ndërsa barazoi përkohësisht shifrat qëndërmbrojtësi grek Manolas në minutën e 66-të. Për të kthyer te sfida e zhvilluar në Luigi Ferraris pavarësisht përpjejkeve të shumta të Interit, pasaktësia në finalizim e zikaltërve bëri që De Maio në minutën e 77-të të shënonte golin e fitores për Genoan e Gasperinit, gol që hodhi knock-out, Interin e Mançinit.