1 mijë e 200 euro për një apartament 2+1, shtrenjtohen me 35% qiratë mujore në Tiranë

Qiratë po shtrenjtohen me shpejtësi në kryeqytet, duke arritur minimumi 350 euro/muaj. Faktorët e rritjes së çmimeve të qirave janë të shumtë, por arsyeja kryesore është rritja e numrit të shtëpive apo apartamenteve për dhënie me qira online nëpërmjet platformave ndërkombëtare “Booking” dhe “Airbnb”.

Pas tërmetit të vitit 2019, çmimet e qirave për apartamente nuk e ndalën tendencën e rritjes. Vlerat mujore të qirave të shtëpive edhe këtë vit janë në rritje në Tiranë.

Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se çmimet e qirave për apartamente të mobiluara në disa prej zonave kryesore të Tiranës, variojnë mbi 350 euro në muaj.

Nga analiza e të dhënave të databazës së agjencisë imobiliare “Future Home”, çmimet e qirave për një periudhë afatgjatë krahasuar me vjet janë rritur me 35%.

Drejtuesi i agjencisë së pasurive të paluajtshme, z. Fatjon Hysenbelliu, pohoi për “Monitor” se në disa zona të Tiranës, rritja e çmimeve është mbi 35%. Qiratë e apartamenteve edhe vitin e kaluar patën rritje të lartë.

Në vitin 2022, sipas të dhënave të analizuara nga indeksi “Keydata”, çmimet u rritën me 20 deri në 40% krahasuar me vitin 2021.

Po kërkoni apartament me qira, ja sa do t’ju kushtojë çdo muaj në disa zona të Tiranës

Çmimet e qirave pranë zonës së stadiumit “Air Albania” vijojnë të mbeten më të shtrenjtat në Tiranë. Sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimi mujor i qirasë për apartament 2+1 (pranë zonës së stadiumit “Air Albania”) është 1,200 euro nga 1,000 euro që kushtonte vitin e kaluar.

Ndërsa për prona 3+1, çmimet janë deri në 2,000 euro. Bëhet fjalë për prona, prej të cilave mund të shkohet në qendër pa makinë, si dhe ofrojnë parkim, ashensor, mobilim bashkëkohor dhe pozicion të mirë të pallatit. Në ndërtimet e reja në këtë zonë, çmimi për apartamente 1+1 arrin deri në 650 euro.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi i qirave për apartamente 1+1 në shtator të këtij viti arriti 750 euro në muaj, nga 600 euro që ishte niveli maksimal i qirasë vitin e kaluar. Ndërsa për prona 2+1, qiratë variojnë 950 deri në 1,000 euro në muaj, nga 700 deri në 930 euro në muaj që varionte vjet.

Për apartamentet e banimit pranë zonave, si: Stadiumi Dinamo, shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi”, Komuna e Parisit dhe Liqeni Artificial, çmimi mesatar i qirave për apartamentet 1+1 varion nga 600 deri në 700 euro në muaj. Në vitin 2022, çmimet e qirave në këto zona variojnë nga 440 deri në 550 euro në muaj.

Për apartamentet 2+1, sipas të dhënave të agjencive imobiliare, çmimet e qirave variojnë nga 750 deri në 1,200 euro, nga 550 euro që ishte vjet çmimi minimal. Ndërsa çmimi maksimal i qirasë prej 1,200 euro në muaj ka mbetur i pandryshuar.

Në zonat si “Don Bosko” dhe “Zogu i Zi”, çmimet e qirave për apartamente 1+1 kanë arritur deri në 500 euro në muaj, nga 400 deri në 450 euro që varionte vjet. Ndërsa për prona me sipërfaqe 2+1, çmimet e qirave sivjet kanë arritur deri në 650 euro nga 500 deri në 560 euro që varionin vitin e kaluar.

Rritja e çmimeve në këto dy zona, sipas drejtuesit të agjencisë imobiliare, “Future Home”, Fatjon Hysenbelliu, është ndikuar nga kërkesa e lartë e studentëve italianë që studiojnë në Universitetin e Zoja e Këshillit të Mirë.

“Numri i studentëve italianë që ndjekin studimet e larta në Shqipëri 2-3 vitet e fundit është shtuar ndjeshëm. Pjesa më e madhe e tyre ndjekin studimet e larta në Universitetin katolik Zoja e Këshillit të Mirë. Shumica e studentëve marrin apartament me qira me çmim 600-700 deri në 800 në muaj (një shtëpi kërkohet për 2-3 studentë).

Shtëpitë e banimit kërkohen kryesisht pranë zonave të universitetit, si: “Don Bosko”, “Zogu i Zi” dhe ish-Blloku. Kjo kategori qiramarrësish e ka rritur ndjeshëm kërkesën e pronave me qira të lartë”, shtoi ai.

Rritje të çmimeve të qirave ka pasur edhe në zonat periferike. Në zonën e “Kinostudios”, “Astirit” dhe “Freskut”, çmimi i qirave të apartamenteve 1+1 varion nga 350 deri në 450 euro, nga 255 deri në 400 euro që ishin çmimet vitin e kaluar. Për prona 2+1, çmimet e qirave sivjet variojnë nga 350 deri në 500 euro.

Zgjerimi i tregut të qirasë afatshkurtër shtrenjton çmimet

Për ekspertët dhe agjentët imobiliarë të tregut të pasurive të paluajtshme, faktorët e rritjes së çmimeve të qirave janë të shumtë, por arsyeja kryesore është rritja e numrit të shtëpive apo apartamenteve për dhënie me qira online nëpërmjet platformave ndërkombëtare “Booking” dhe “Airbnb”.

Stela Dhami, nga agjencia ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme “Colliers International Albania”, thotë për “Monitor” se kërkesa e lartë për apartamente nga të huajt nëpërmjet rezervimeve online në “Airbnb” gjatë sezonit të turizmit forcoi ndjeshëm presionet për rritje të çmimeve të qirave.

Znj. Dhami thotë se është rritur numri i individëve që po marrin apartamente me qira për t’i ridhënë ato me qira ditore.

“Stoku i apartamenteve për qiradhënie ditore është rritur, për shkak të shtimit të banesave në përdorim për qira ditore nëpërmjet ‘Airbnb’. Rritja ka qenë më e lartë gjatë verës, për shkak të shtimit të fluksit të turistëve.

Madje janë rritur edhe blerjet për apartamente me qëllim dhënien e tyre me qira ditore, pasi po shihet si një mundësi e leverdishme investimi. Ndërsa stoku i banesave për qiradhënie afatgjatë është ulur”.

Znj. Dhami shton se parashikohet që kërkesa për qira ditore të jetë e lartë edhe në tetor, për shkak të kushteve të mira klimatike dhe ndryshimit të profilit të turistit që vjen në Shqipëri, duke përfshirë jo vetëm ardhjen e shtetasve italianë, por edhe gjermanë dhe austriakë.

Në muajin shtator 2023, sipas të dhënave të “AirDNA”, që analizon statistikat për strukturat me qira ditore në platformën “Airbnb” kishte 15,512 listime pronash të disponueshme. Krahasuar me muajin shtator 2022, pronat e listuara për dhënie qiraje në këtë platformë u rritën me 25%.

Oferta për prona me qira ditore mbeti e lartë këtë shtator, krahasuar me rënien pas verës së 2019-s. Në muajin shtator 2023, listimet e pronave për dhënie me qira u shtuan 120% krahasuar me shtator 2019.

Në muajin shtator 2023, numri i strukturave me qira ditore në dy platformat ndërkombëtare “Booking” (sipas kërkimeve të “Monitor”) dhe “Airbnb” (sipas të dhënave të “AirDNA”) arriti në 24,902 apartamente/banesa.

Shtimi i listimeve është nxitur nga çmimet e lira dhe moti i mirë. Sipas të dhënave të “AirDNA”, tarifa mesatare ditore (ADR) për të gjitha netët e rezervuara, duke përfshirë tarifat e pastrimit, por jo tarifat e shërbimit, në muajin shtator ishte rreth 61 euro. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, tarifa mesatare ditore u rrit 16%.

Po sipas të dhënave të “AirDNA”, kërkesa për net-qëndrime ishte 100,257 këtë shtator, me rritje të ndjeshme prej 85% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Koha mesatare e qëndrimit luhatet në rreth tri ditë, ndërsa në korrik dhe në gusht, u afrohet katër ditëve, sipas statistikave të “AirDNA”.

 Kërkesa për qira afatgjatë

Gjatë viteve të fundit, në Tiranë është rritur ndjeshëm sipërfaqja e lejeve të ndërtimit për banesa rezidenciale, sipas të dhënave të INSTAT, duke kulmuar me 1,8 milionë metra katrorë në vitin 2022, gjë që tregon rritje të lartë të ofertës për banim.

Në të njëjtën kohë, edhe kërkesa për apartamente me qira në Tiranë po rritet. “Të rinjtë nuk pranojnë më të qëndrojnë në shtëpitë e prindërve. Këtë vit vihet re që shumë prej tyre janë më të vendosur për të dalë në shtëpi me vete, me qira.

Gjithashtu edhe numri i zhvendosjeve nga banorët e rretheve është shtuar krahasuar me vjet”, thotë Lorena Rada, broker në një agjenci shitjesh pronash.

Vitin e kaluar u rrit kërkesa për qiranë afatgjatë nga shtetasit e huaj, kryesisht rumunë, amerikanë, turq, holandezë, gjermanë të profesionit IT që punonin remote në Shqipëri për periudha 6 muaj deri në 1 vit.

Shumë prej të huajve, sipas agjentes imobiliare Lorena Rada, sollën edhe fëmijët për të jetuar në Tiranë për periudhën që ata punuan këtu, për shkak të pranisë së shumë kolegjeve që ofrojnë mësim në gjuhën angleze.

Të huajt parapëlqenin kryesisht zona për të jetuar me qira, me akses të rehatshëm, si dhe apartamente me mobilime të reja dhe moderne.

Znj. Rada pohon se për këtë vit, kërkesa për qira nga të huaj është më e ulët se vjet. Një ndër arsyet është rikthimi i punës në zyrë në shumë shtete, të cilat për disa vjet ndoqën modelin e të punuarit nga shtëpia, për shkak të pandemisë COVID-19.

“Aktualisht të huajt, të cilët kërkojnë shtëpi me qira, janë ata që punojnë në kompanitë shqiptare. Kërkesa është e lartë, por krahasuar me vjet, mbyllja e kontratave mbetet e ulët”, thotë Lorena Rada.

Muaji shtator konsiderohet si piku i kërkesës për qira, për shkak të fillimit të vitit të ri akademik universitar. Agjentët imobiliarë të pasurive të paluajtshme pohojnë se gjatë këtij muaji mbyllin 37% të kontratave të dhënies me qira.

Vjet, kërkesa e lartë e studentëve për shtëpi banimi me qira e bëri më të fortë tendencën e rritjes së çmimeve të qirave. Në vitin 2023, sipas drejtuesit të një agjencie imobiliare, Fatjon Hysenbelliu, studentët mbeten kategoria më e madhe e qiramarrësve që vuajnë rritjen e çmimeve.

“Kërkesa e madhe për qira në këtë periudhë vazhdon të rrisë çmimin e apartamenteve në treg dhe duke parë që ka shumë pak opsione në qarkullim, studentët po përballen me vështirësi për të gjetur opsione ekonomike.

Përpos shtimit të kërkesës, te rritja e qirave për të gjitha kategoritë e apartamenteve ka ndikuar edhe inflacioni më i lartë dhe rritja e çdo produkti arredimi apo investimi në këtë industri.

Shumë apartamente me qira po merren dhe për ushtrimin e ‘Airbnb’, sidomos në qendrën e qytetit, një nga lokacionet më të favorshme për të ushtruar këtë biznes. Si pasojë, ka shumë pak opsione për qiramarrësit me çmim ekonomik në treg”, nënvizon Fatjon Hysenbelliu.

Kush po investon te qiradhënia

Janë të shumtë të rinjtë që kanë një profesion apo biznes dhe ushtrojnë aktivitetin e dhënies me qira ditore të pronave për të siguruar të ardhura shtesë.

Kjo kategori merr kryesisht apartamente me qira, për t’i ridhënë me qira ditore në formën e “B&B” online nëpërmjet platformave ndërkombëtare.

Tendenca nisi të rritet ndjeshëm vitin e kaluar, jo vetëm duke i marrë me qira pronat, por edhe duke i blerë. “Shqiptarët vijojnë të blejnë prona për t’i trajtuar në formë investimi me qira ditore dhe mujore”, thotë Fatjon Hysenbelliu.

Arsyet pse investohet me qira afatshkurtër në formën “B&B” sipas Dritan Lekës, punonjës agjencie imobiliare, janë eksplorimi i tregut dhe leverdishmëria e tij.

“Është sektor mjaft fitimprurës dhe sa më i lartë të jetë numri i apartamenteve që një entitet apo individ zotëron, atëherë në ekonominë e shkallës do t’i ulen edhe kostot për mirëmbajtjen e tyre.

Gjithashtu është një mundësi mjaft e mirë për të ardhura shtesë, të cilat nuk kanë nevojë për shumë angazhim, pasi puna më e madhe zhvillohet nga aplikacionet në përdorim si ‘Booking.com’ apo ‘Airbnb’”, pohoi ai më herët.

Ndërsa Stela Dhami, nga “Colliers International Albania” pohon se në Shqipëri mungojnë alternativat e investimit, interesat e depozitave janë të ulëta dhe shqiptarët nuk kanë ku të investojnë përveç tregut të pasurive të paluajtshme./Monitor

1 mijë e 200 euro për një apartament 2+1, shtrenjtohen me 35%

Artikulli paraprakTë gjithë marrin dorë te babai i SPAK-ut, Todd Robinson
Artikulli tjetërIsh-presidenti Topi: Ky është Parlamenti që vetëm rrihen. Opozita është në ditën e saj më të zezë