1 mijë ton drogë, miliarda euro nga plantacionet e drogës

Corriere Della Sera

Prodhimi është shtuar dhe ka kaluar 1 mijë tonë në vit, trafiku gjithsesi kalon përmes linjës së Adriatikut. Marijuana futet në tregun europian me gomone dhe motoskafë që janë në gjendje të kalojnë kanalin e Otrantos në pak orë
Plantacione të dyfishuara në harkun kohor të dy viteve, një biznes kriminal të drejtuar me kritere menaxhuese për të rritur të ardhurat prej miliarda eurosh, baza logjistike të spostuara në zona më pak të arritshme për të fshehur levën e një ingranazhi që ushqen trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky është skenari që paraqitet para Pulias ashtu siç rezulton nga hetimet e Guardia di Finanza. Kjo e fundit, falë një marrëveshje ndërkombëtare dhe një sërë misionesh të drejtuara nga lart, ka arritur të dokumentojë ekzistencën e 1200 plantacioneve të marijuanës në terrritorin shqiptar gjatë vitit 2015. Ndërsa në vitet 2013-2014 kryeqyteti ndërkombëtar i kanabisit ishte Lazarati, tani gjërat kanë ndryshuar. Klanet në fakt e kanë spostuar lëndën e parë në baza logjistike në zonën e Shkodrës, më e vështirë për t’u kontrolluar.

Tre vitet e fundit

Lufta e narkotrafikut të Ballkanit kalon në mënyrë të pashmangshme në Pulia, portë hyrëse në tregun e madh europian, kryqëzim strategjik për organizata që vjelin një sasi të madhe parash nëpërmjet një biznesi që nuk ndjen krizë, por ushqehet gjithmonë e më shumë me elementë më inovativë dhe të sofistikuar. Për këtë arsye operacioni i Guardia di Finanza është i vendosur për aksionin, që konsiston në gjurmimin e një tabloje preçize të situatës në anën tjetër të Adriatikut. Më 2015 janë zbuluar 243 mijë bimë kanabisi gjatë një operacioni ku është eksploruar 15.83% e territorit shqiptar. Shifra të rritura në krahasim me vitin e mëparshëm, ku plantacionet e identifikuara ishin 815 dhe bimët e asgjësuara 165 mijë. Ndërsa më 2013 ishin zbuluar 305 plantacione dhe 81 300 bimë kanabisi gjatë një eksplorimi që përfshinte 12.5% të territorit të Shqipërisë.

Bazat e reja

Në atë kohë fortesa e narkotrafikantëve ishte Lazarati, rreth 3 mijë banorë në rajonin e Gjirokastrës, një qytezë deri pak kohë më parë i pathyeshëm, ku prodhohej marijuana e destinuar për tregun europian. Situata tashmë ka ndryshuar, forcat e policisë shqiptare i kanë dhënë goditje të forta organizatave që drejtojnë këtë aktivitet të paligjshëm. Aq sa klanet janë detyruar të spostohen. Në qendër të vëmendjes tashmë është Shkodra dhe rrethinat e saj, ku bandat kanë transferuar bazat e tyre për të evituar ndërhyrjet e forcave të rendit.

Sherifë nga qiejt

Hetuesit synojnë kontrollin nga lart. Misionet në Shqipëri të Guardia di Finanza kanë nisur falë një marrëveshjeje të vitit 2012 me objektiv për të mposhtur krimin e organizuar. Patrullimet bëhen me avionë P166DPI me sensorë “Tabi dhe Casi”: i pari percepton edhe diferencat më të vogla të temperaturave (në një shkallë që shkon nga -20 deri në 110 gradë); kurse sensori Casi, shërben për të kapur imazhe hiperspektralë me rezolucion të lartë. Në këtë mënyrë, forcat e rendit shndërrohen në sherifë të vërtetë të qiejve. Avionët kanë një sërë objektivash nëpërmjet të cilave bëhet fotorilevimi me aparatura prej 80 megapixel. Materiali më pas përpunohet nga një ekip ekspertësh të Seconda Universita i Napolit. Rezultati është një hartë e detajuar e situatës mbi territorin e monitoruar.

Hetimet

Nëpërmjet leximit të të dhënave, hetuesit mund të hedhin dritë edhe mbi strategjitë e reja të bandave, të cilat tani duan të arrijnë fshehjen e plantacioneve. Prodhimi është shtuar dhe ka kaluar 1 mijë tonë në vit, trafiku gjithsesi kalon përmes linjës së Adriatikut. Marijuana futet në tregun europian me gomone dhe motoskafë që janë në gjendje të kalojnë kanalin e Otrantos në pak orë. Por kohët e fundit sekuestrimet nga ana e forcave të rendit janë bërë gjithmonë edhe më të shpeshta falë kontributit të forcave të Guardia di Finanza të vendosura nga ana tjetër e Adriatikut.

Departamenti USA

Situata monitorohet me kujdesin më të madh në të gjithë Europën, por jo vetëm. Skenarët e rinj të narkotrafikut janë analizuar edhe në Shtetet e Bashkuara. Në një raport vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit, Shqipëria përcaktohet ende si vend burim i prodhimit të marijuanës dhe një vend tranziti për kokainën dhe heroinën të destinuara për tregjet europiane. Në raport nënvizohet se si autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një numër të madh sekuestrimesh falë bashkëpunimit me italianët. Pikërisht nëpërmjet këtij bashkëpunimi vetëm më 2015 janë sekuestruar rreth 7 tonë marijuanë, ndërsa 690 mijë bimë janë asgjësuar së bashku me 55.3 kilogramë heroinë.

Artikulli paraprakBasha: Do jemi shumica e padiskutueshme në zgjedhjet e ardhshme
Artikulli tjetërPaloka: PD të mos lejojë pengimin e hetimeve për përgjimet