1 miliard e 64 milionë euro vlera e ndërtimeve për 2024, Tirana shton kullat

Nga Aranit Muraçi

Lejet e ndërtimit në Shqipëri u rritën me 4.6% në vit në tremujorin e katërt

Tirana në dekadat e fundit është kthyer në një kantier të madh ndërtimi. Ndërtimet nuk kanë të ndalur. Ndërsa ka rënë sipërfaqja dhe është rritur numri i lejeve si dhe vlera e tyre, kjo do të thotë se në të ardhmen në kryeqytet do të ketë më shumë kulla dhe ndërtesa të larta.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT (Instituti i Statistikave) në tremujorin e katërt 2024 janë miratuar gjithsej 317 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 303 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 4,6 %. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e katërt 2024 është 482.854 m2, nga 592.660 m2 miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rënie prej 18,5 %.
Në vitin 2024 u dhanë 1,336 leje ndërtimi, 266 leje më pak se në vitin 2023 (1,602 leje ndërtimi). Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në vitin 2023 ishte 2 milion e 15,819 m², ndërsa në vitin 2024 u dha një sipërfaqe më e madhe, 2 milion e 498,916 m² (+ 383,097 m²). Vlera e ndërtimeve në vitin 2023 ishte 896 mln euro ndërsa në vitin e fundit ajo shkoi në 1 miliard e 64 milionë euro, me një rritje prej 18.8 për qind, ose në vlerë mbi 160 milionë euro.

Në tremujorin e katërt 2024, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 25.8 miliardë lekë (260 milionë Euro), nga 25.3 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2023, duke shënuar një rritje prej 1,8 %.

Numri më i madh i lejeve, 114, janë dhënë për ndërtesa në kryeqytetin Tiranë, pasuar nga 76 në qytetin bregdetar të Durrësit.

Elbasani është qarku i tretë me më shumë leje ndërtimi, 28 dhe më pas vjen Vlora dhe Korça, respektivisht me 20 dhe 19 leje ndërtimi. Interesant është fakti se në Kukës është dhënë vetëm një lejë ndërtimi për vitin 2024.

Qoftë në sipërfaqe, në vlerë ose në leje, si në çdo periudhë tjetër, Tirana dominon lejet e ndërtimit. Kjo sepse të gjithë e shohin të ardhmen në Tiranë, ndërsa politikat për të ndërgjegjësuar qytetarët se Shqipëria si një vend bujqësor nuk afron mundësi metropolitane për të gjithë, prandaj edhe jeta mund të ndërtohet edhe në rrethe.

Bashkia e Tiranës arkëtoi rreth 130 milionë euro nga taksa mbi lejet e ndërtimit, për vitin 2024 gati dyfishi i planit. Kjo do të thotë se u dhanë më shumë leje nga çfarë parashikohej. Gjatë dy-tre viteve të ardhshme me lejet e dhëna kryeqyteti do të vazhdojë të mbetet një kantier ndërtimi. Shumë nga lejet u përkasin ndërtimeve të larta, komplekse shumëkatëshe dhe kulla.

Në raport me vitin 2023, volumi i ndërtimeve në sipërfaqe është rritur me 383 mijë metra katrorë, në të gjithë vendin. Ndërsa sa i takon lejeve të ndërtimit ato janë pakësuar me 266 leje, pasi vjet u dhanë në total 1336 leje nga 1602 në vitin 2023./liberale.al

Artikulli paraprakSi organizohej muaji i Ramazanit në kryeqytet 100 vjet më parë
Artikulli tjetërRritja e numrit të vetëvrasjeve dhe mungesa e shërbimeve për shëndetin mendor