1 shqiptar për 165 pushues! Zgjerimi i turizmit nuk po shoqërohet me më shumë të punësuar

Zgjerimi i turizmit nuk po shoqërohet me më shumë të punësuar, të paktën referuar shifrave zyrtare. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë për të pritur e përcjellë mbi 9.5 milionë turistët pati më pak se 58 mijë të punësuar. Thënë ndryshe, një shqiptari iu desh t’u shërbente 165 të huajve.

“Unë nga konstatimet e mia mendoj se numri është goxha më i lartë. Kemi gati 10 milionë turistë. Nuk mund t’u shërbejnë 60 mijë vetë. Nga të dhënat që ne kemi janë të paktën 100 mijë të punësuar direkt, përjashtuar ata sezonalë në turizëm”, shprehet Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

Në raport të zhdrejtë me shtimin e numrit të turistëve ka ardhur edhe ai i bizneseve në këtë sektor. Të paktën zyrtarisht, në vend numërohen 1 mijë e 166 sipërmarrje shërbimesh në fushën e turizmit, me një rrije të vogël në raport me vitet paraardhëse.

“Nuk përputhet fare kjo shifër. Numri është minimalisht tre mijë. Janë shumë larg realitetit këto të dhëna”, theksoi ai.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun viteve 2020-2023, numri i turistëve është rritur me 238 për qind, ndërsa ai i të punësuarve me vetëm 22.4 për qind. (grafik 3) Për aktorë nga ky treg, shkak për këto shifra larg realitetit është shkalla e lartë e informalitetit në këtë sektor.

“Kjo është absolutisht problem. Është diçka e trashëguar për të cilën ende nuk po ka një zgjidhje”, përfundoi Kasa.

Nisur nga viti i ardhshëm, për të luftuar informalitetin në turizëm do të hyjnë në fuqi disa ndryshime në ligjin për të, të tilla si tatimi i të ardhurave nga dhënia me qira e apartamenteve apo mbledhja e të ardhurave nga hotelet.

Exit mobile version