Policia italine sekuestroi dje 520 kg marijuanë të futur nga brigjet shqiptare në provincën Lodi. Droga ndodhej në dy makina të vogla dhe një furgon, të cilat drejtoheshin nga tre shqiptarë. Gjatë operacionit policia italiane ka vënë në pranga tre shqiptarët L.A, 39 vjeç, P.A, 33 vjeç dhe M.F, 28 vjeç. Sipas mediave vendase, vlera e lëndës narkotike në tregun me pakicë arrin vlerën prej 5 milionë euro, ndërsa kishte si synim tregun lombardez.
Policia ndërmori aksionin, pasi vuri re lëvizjet e dyshimta të shqiptarëve, ndërsa ka ndërhyrë kur shqiptarët parkuan dhe u futën në një ambient publik. Pas kontrollit, Guardia Di Finanza gjeti të fshehur brenda në njërën prej makinave dhe në furgon 520 kilogram marijuanë.
Ishte një kontroll rutinë i policisë, kur efektivët panë se dy automjete po shoqëronin një furgon ëmbëlsirash. Një nga automjetet përdorej nga elementë kriminalë në zonë, ndaj ky detaj shtyu efektivët t’i mbanin nën vëzhgim. Por tre shoferët kanë pikasur automjetet dhe janë munduar të largohen në një zonë të pyllëzuar. Tentativa e tyre ishte e kotë, pasi u arrestuan. Policia zbuloi në furgon pako me marijuanë të fshehura poshtë një batanije.
Vetëm në dy javët e para të këtij muaji, policia italiane ka sekuestruar mbi 5 ton drogë “made in Albania”. Katër ditë më parë u sekuestruan rreth 2 tonë drogë në brigjet italiane të Pulias nga Guardia di Finanza italiane. Sipas mediave italiane, rreth 11 km në afërsi të Brindisit, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, Guarda di Finanza në Puglia ndaloi një skaf me 2 motorë të fuqishëm. Në bordin e tij ndodhej ngarkesa me rreth 1.9 ton kanabis. Nga aksioni policor u vunë në pranga një shqiptar dhe një italian, 25-vjeçari B.H., banues në Vlorë dhe D.P., 47 vjeç, banues në Brindisi. Ndërkohë mediat italiane njoftojnë se po vijojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Po ashtu më 10 janar u sekuestruan 700 kg drogë me vlerë 4 milionë euro në Leçe. Mediat italiane bënë të ditur se gjatë një operacioni në bregun e San Foca në Leçe, u bllokua një gomene me 700 kg marijuanë. Droga u gjet e ndarë. Një pjesë ishte fshehur në disa shkurre, ndërsa pjesa tjetër ishte në gomone. Sipas të njëjtave burime, gomonia e fuqishme kaloi kanalin e Otrantos mes natës së të hënës dhe të martës. Ajo u pa nga një peshkatar rreth orës 8 të mëngjesit që njoftoi karabinierët.
Gjithashtu, në të njëjtën ditë policia italiane sekuestroi 200 kilogramë marijuanë të fshehur në një magazinë në periferi të qytetit jo shumë larg nga deti. Droga u gjet në një ndërtesë të pabanuar dhe të rrethuar me mure.
Më datën 2 janar, Guardia di Finanza ka kapur gjysëm ton drogë nga Shqipëria në Leçe. Mediat italiane bënë të ditur se, gjatë operacionit të Guardia di Finanza ra në pranga drejtuesi shqiptar i skafit. Sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike kishte një vlerë tregu prej 5 milionë eurosh. Policia italiane bëri të ditur se, në prangat e policisë ra 29-vjeçari shqiptar me inicialet A.M, drejtues i skafit 5.5 metra të gjatë, në të cilin u gjetën 510 kg lëndë narkotike.
Natën e 1 janarit policia italiane sekuestroi 760 kg drogë të futur nga Shqipëria. Mediat italiane bënë të ditur, se një gomone me 760 kg kanabis e nisur nga bregdeti shqiptar është sekuestruar të hënën në Leçe. “La Repubblica” shkruan se mjeti lundrues është gjetur në brigjet e Leçes dhe afër tij u zbuluan 760 kilogramë marijuanë. Bima narkotike nëse do të përfundonte në treg përllogaritet që të kapë vlerën e 7 milionë eurove.
392 kanabis nga Shqipëria kapen në Greqi
Policia greke sekuestroi dje 392 kg hashash në zonën e Artës dhe vuri në pranga dy shtetas shqiptarë. Bëhet e ditur se, droga u gjet në dy makinat e tyre. Hetimet e policisë greke kanë çuar në konkluzionin se ishte pikërisht një 42-vjeçare nga Athina, ajo që siguronte rrugën e kalimit për shqiptarët. Shoferët shqiptarë, njëri 32 vjeç dhe tjetri 44 u kapën në qytetin e Artës, ndërsa droga, sipas hetimeve të policisë helene, kishte si destinacion Athinën, aty ku edhe jetonte, mikesha greke e njërit prej shoferëve.
Policia greke pikasi në Sikoula, Aitiloakarnania dy automjete, drejtuesit e të cilave nuk iu binden thirrjes për të ndaluar duke shtuar shpejtësinë. Mjetet u ndoqën nga policia me rezultat kapjen e një prej tyre në Triantafiloula, Aitiloakarnania, ku edhe u arrestua drejtuesi shqiptar 32 vjeç, ndërkohë që mjeti tjetër u gjet i braktisur në po të njëjtën zonë. Pas kontrollit, në mjetin e parë u gjetën 115 pako me 178 kg 133 gram marijuanë, ndërkohë që në mjetin e dytë u gjetën 37 pako të tjera me 213 kg e 800 gram marijuanë. Pas kontrolleve, në të njëjtën zonë, u kap edhe një makinë e tretë ku u arrestuan një shqiptar 44 vjeç dhe shtetësja greke 42 vjeç, e cila ishte pronare e mjetit. 44-vjeçari u identifikua si drejtues i mjetit të dytë që u gjet i braktisur, ndërkohë që 42-vjeçarja nga hetimet rezultoi se me mjetin e saj kishte shërbyer si kontrolluese e rrugës.
Dy mjetet e kapura me drogë rezultuan të vjedhura në Athinë në 10 shtator 2016 dhe 7 dhjetor 2016. Në total u sekuestruan 391 kg 933 gram marijuanë, 3 makina, 340 euro, 2200 lekë të reja, 6 Leva bullgare, dhe 6 celularë. Policia greke është duke hetuar nëse ky grup ka trafikuar drogë edhe herë të tjera nga Shqipëria në Greqi apo nëse kjo ishte rruga e parë që po kryente.
R.POLISI