1 ton drogë nga Shqipëria sekuestrohet në Greqi

Policia greke ka bllokuar dje 1 ton kanabis në zonën detare të Mesologjit në Greqi që po transportohej me një gomone nga Shqipëria. Sipas mediave greke, mësohet se lënda narkotike u gjet në Mesologji, në afërsi të Patras. Mediat greke raportojnë se gomonia vinte nga Shqipëria. Gomonia u braktis nga trafikantët sapo e kuptuan se po ndiqeshin nga roja bregdetare greke.
Bëhet e ditur se, operacioni ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe ka vazhduar deri në orët e vona. Sapo Policia Kufitare e Mesologjit ka pikasur një gomone 10 metra të gjatë ka nisur ndjekjen e saj. Drejtuesi i gomones e ka futur në lumin Evinio dhe është larguar, duke i shpëtuar arrestimit. ‘Gomonia ka ngecur në lumë, ndërsa në brendësi të saj është gjetur një sasi tepër e madhe marijuane”, bëjnë të ditur mediat greke, duke cituar policinë e vendit fqinj.

Operacioni
Policia greke njoftoi se, bllokoi në zonën detare të Mesologjit në Greqinë Veriore një skaf super të shpejtë të mbushur me lëndë narkotike. Skafi, sipas policisë greke, drejtohej nga një trafikant që arriti t’i shpëtonte arrestimit, pasi mjeti ngeci në bashkimin e Lumit Evinio me hapësirën detare.
Policia greke tha se sasia e lëndës narkotike ishte e mbuluar në hapësirën prej dhjetë metrash të motoskafit. Burimet greke flasin se, hetimet paraprake po përqendrohen në prejardhjen e lëndës narkotike nga Shqipëria.
Operacioni, sipas mediave helene, është ende në zhvillim e sipër dhe sasia e lëndës narkotike është rreth 1 ton marijuanë. Një sasi prej 25 kilogramë marijuanë u bllokua dje në pikën e Kakavijës në një autobus që ishte nisur nga Shkodra dhe udhëtonte drejt Athinës.

Rast i përsëritur
Dy vite më parë, policia greke zbuloi në zonën e Mesologjit, ku u gjet skafi i djeshëm, një rast të ngjashëm. Droga e sekuestruar transportohej nga një gomone 11 metërshe, e cila ishte ngarkuar në brigjet shqiptare. Policia Bregdetare greke e kishte gjurmuar gomonen deri në kapjen e saj disa kilometra afër Athinës. Rruga që kishte ndjekur mjeti lundrues ishte Korfuz, Igumenicë, Mesologji me destinacion Patrën, 200 kilometër larg veri-perëndimit të kryeqytetit grek.

Artikulli paraprakUdhëzimi i Tahirit fut në kolaps proceset gjyqësore
Artikulli tjetërTiranë, radhë të gjata për të marrë tekstet shkollore