1 trilion dollarë për mbrojtjen ‘Made in Europe’!

Evropa mund të mbijetojë pa mbështetjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara, por do t’i duhen të paktën 25 vjet dhe deri në 1 trilion dollarë për të zëvendësuar praninë amerikane në kontinent, kjo sipas një raporti të ri nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS).

Studimi, i publikuar të enjten, paralajmëron se në rast të një tërheqjeje hipotetike të SHBA-ve nga Evropa, vendet anëtare të NATO-s në kontinent do të përballeshin me kërcënimin rus dhe me “zgjedhje të ashpra” për të mbushur boshllëqet kolosale në mbrojtje.

Sipas raportit, zëvendësimi “kokë më kokë” i pajisjeve dhe personelit amerikan do të kushtonte rreth 1 trilion dollarë për një periudhë 25-vjeçare. Vetëm shpenzimet për blerje të pajisjeve ushtarake variojnë nga 226 deri në 344 miliardë dollarë, në varësi të cilësisë së armatimeve, ndërsa pjesa tjetër përfshin kosto për mirëmbajtje, personel dhe logjistikë.

Artikujt më të shtrenjtë që duhen blerë janë 400 avionë luftarakë taktikë, 20 shkatërrues detarë dhe 24 sisteme raketore tokë-ajër me rreze të gjatë.

Në rast të një lufte të gjerë për të përballuar një sulm rus, zëvendësimi i 128 mijë trupave amerikane do t’i kushtonte Evropës mbi 12 miliardë dollarë – pa përfshirë boshllëqet e tjera kritike si komandimi, kontrolli, koordinimi, zbulimi dhe armët bërthamore.

-Evropa pa komandant amerikan në NATO? Mision (gati) i pamundur

Evropianët do të duhej gjithashtu të zëvendësonin postin e Komandantit Suprem të Aleatëve për Evropën (SACEUR) – një pozicion kyç që historikisht mbahet nga një amerikan – si dhe të rrisin kapacitetin e koordinimit diplomatik.

Por sipas IISS, edhe nëse do të ekzistonte vullnet i pakufizuar politik dhe fonde të mjaftueshme, industria ushtarake evropiane nuk do të kishte kapacitetin për të përmbushur menjëherë kërkesat. Mungesat në zinxhirët e furnizimit, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe kufizimet financiare do ta frenonin ndjeshëm këtë proces.

Ëndrra “blej evropian” e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duket se do të mbetet për momentin një slogani pa bazë. Investimet në sektorin detar dhe atë ajror janë minimale, dhe për disa kategori – si artileria me raketa apo avionët luftarakë të padukshëm për radarët – blerja vendore nuk është as opsion.

Megjithatë, një dritë në fund të tunelit

Pavarësisht varësisë së vazhdueshme nga furnitorët amerikanë, ka disa shenja progresi. Analiza e tenderëve të bëra mes shkurtit 2022 dhe shtatorit 2024 tregon se 52% e vlerës së kontratave shkoi për kompani evropiane, kundrejt 34% për ato amerikane – një sinjal që tregu po fillon të lëvizë drejt furnitorëve vendas.

Pushtimi rus i Ukrainës më 2022 ka detyruar shumë shtete të NATO-s të rrisin buxhetet ushtarake për të arritur objektivin e 2% të PBB-së për mbrojtje.

Një tjetër faktor surprizë është rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili me qëndrimet e tij të ashpra ndaj NATO-s dhe kërcënimet për të tërhequr SHBA-në nga mbrojtja e Evropës, i ka dhënë shtysë nismës për një “mbrojtje vërtet evropiane”, të promovuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron.

Por paratë janë të pakta dhe njerëzit të lodhur

Problemi kryesor mbetet buxheti: qeveritë evropiane, të ngarkuara me borxhe dhe kriza të brendshme, e kanë të vështirë të justifikojnë rritje drastike në shpenzimet për armatim. Në vende si Spanja dhe Italia, ku presioni publik për shërbime sociale është i lartë, investimet shtesë në mbrojtje mund të përballen me kundërshtime të ashpra./Përshtatur nga “Politico”

Artikulli paraprakArmando Broja “në ajër”, anglezët e nisin nga e para kërkimin e sulmuesit për të ardhmen
Artikulli tjetërRisqet e ekonomisë europiane dhe ndikimi në Shqipëri