Koncesionet me vlerë dhjetëra milionë euro të Ministrisë së Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të gjerë, të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në dhjetorin e një viti më parë. Procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion- përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe pritet të shtrihet në të gjithë piramidën drejtuese të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë edhe ministrin Ilir Beqaj.
Hetimi për koncesionet në shëndetësi është nisur me iniciativë të Prokurorisë, pas publikimit të një serie artikujsh nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, “BIRN” dhe agjencia “Investigimi.al”. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas do të jenë në qendër të verifikimeve të grupit hetimor.
Hetimi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, i regjistruar në Njësinë Antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të asistohej edhe nga oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme. Shkak janë bërë procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike, të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u hetuar.
Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre.
Një vit pasi këto hetime u reklamuan me bujë se kishin nisur nga Prokuroria rezultati i tyre është një zero e madhe që tregon edhe për falsitetin e këtij institucioni kur vjen puna për të hetuar shpërdorimin e fondeve publike nga zyrtarët e lartë në qeveri.