10 ditët e betejës finale

Shtyllat ekonomike të programit qeverisës të Lulzim Bashës, ulja e taksave, punësimi, mbështetja e fermerëve, stazhet e të rinjve janë të njëjta me programin e Presidentit amerikan, Donald Trump për fuqizimin e ekonomisë së amerikanëve, të njëjta me programin ekonomik të Kancelares Merkel të fuqizimit të ekonomisë gjermane. Pasditen e djeshme, Basha u ndal në Durrës e Shijak ku ndau me qytetarët programin ekonomik të PD, si dhe diskutimet e rëndësishme mbi këtë program ambicioz me Presidentin Trump dhe administratën e tij. Takimi mes Bashës dhe Trump është pritur me mjaft interes nga qytetarët e Shijakut, të cilët kanë qenë tejet të interesuar për bisedën mes kreut të opozitës dhe Presidentit amerikan. Ndërkohë që Basha iu ka shpjeguar se tema e diskutimit ishte plani ekonomik. “Qytetarja: Si ja kalove në Amerikë? Basha: Shumë, shumë mirë. Gjatë takimit me Presidentin Trump jemi fokusuar tek plani ekonomik. Plani ekonomik i atyre i ngjashëm me tonin. Ulja e taksave është prioriteti jonë kryesor”. “Më 25 qershor kjo e keqe duhet ndalur dhe do ta ndalim së bashku apo jo? Ne do të hapim një derë mundësish të papara për Shqipërinë, me programin ekonomik, i hartuar me ekspertizën më të mirë europiane. Erdhi i dërguari i Merkelit dhe e dëgjuat çfarë tha, është program që do të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. E pashë këtë javë në Amerikë, Shtëpia e Bardhë kishte shpallur javën e zhvillimit të fuqisë punëtore, po diskutohen masat e Presidentit Trump për fuqinë. Uljen e taksave e përmendi Presidenti Trump gjatë fjalës së tij, stazhet për studentët, mbështetja për biznesin e vogël. Mbështetja e biznesit është programi im, do të thoni ju e kopjova unë Trumpin apo ai mua? As njëri as tjetri, ky është modeli. 400 milionë euro në vit do të rritet konsumi, programi i PD parashikon një revolucion të vërtetë fiskal. Presidenti Trump ka qenë një nga punëdhënësit kryesorë në SHBA, plani i tij ekonomik është plani i taksave të ulëta, plani i mbështetjes së fermerëve, i mbështetjes së rinisë, të gjitha këto janë pjesë e planit të Trumpit për Amerikën, pjesë e planit të Merkelit për Gjermaninë, është pjesë e planit të Lulzim Bashës për ekonominë, sepse ky është modeli, sepse kështu funksionon”, tha Basha.

Shqipëria do ketë TVSH më të ulët me 12.5%

Programi ekonomik i PD parashikon nivelin më të ulët të TVSH në vlerën 12.5%, niveli më i ulët ky edhe në nivel global. Basha foli me qytetarët e zonës së ish-Kënetës për planin e tij për nxjerrjen e ekonomisë nga kriza, ndërsa bëri të ditur se ulja e taksave, mbështetja e të rinjve dhe hapja e vendeve të punës janë çelësi që do të rimëkëmbë ekonominë shqiptare. “Shqipëria do të ketë një nga TVSH më të ulëta në botë, me 12.5%. Ulja e çmimit të naftës, taksa e mjerimit, vetëm e vetëm për të zhvatur më shumë rriti 240 lekë taksën për karburantin. Që javën e parë si kryeministër do ta heq taksën Rama për karburantin dhe në Shqipëri karburanti do të jetë me çmimin më të lirë në rajon. Stazhet për rininë kanë një qëllim, forca punëtore vjen nga rinia, 56% e shqiptarëve duan të ikin, më shumë se gjysma e tyre janë të rinj. Ne të rinjtë duhet t’i përgatisim e t’i bëjmë pjesë të tregut të punës, ndaj çdo vit do të ketë 10 mijë stazhe për të garantuar që të mësojnë zanatin, të krijonë lidhje, të punësohen. Do na kushtojë 24 milionë euro në vit, por Rama i jep Vilma Nushit 25 milionë euro në dorë për një koncesion. Ne do të investojmë për të rinjtë dhe punësimin. Plani im ka zgjidhje konkrete, që funksionojnë të gjitha bashkë. Ai i braktisi totalisht fermerët. Kam diskutuar më shumë se një vit e gjysmë me fermerët anembanë Shqipërisë dhe programi ynë për fermerët është europian, subvencione 1% e PBB, 100 milionë euro në vit subvencione të drejtpërdrejta për fermerët”, tha kreu i PD. Basha tha se ishin interesat klienteliste ato që udhëhoqën qeverisjen e katër viteve që kaluan, ndërsa kujtoi se është pikërisht mungesa e bilancit të Ramës përballë shqiptarëve mashtrimi dhe mosmbajtja e asnjë premtimi të dhënë, arsyet që e detyrojnë atë sot të mos dalë e t’i trembet një debati ballë për ballë me kreun e opozitës. “Kush e pengoi Edi Ramën të ulte taksat dhe t’i jepte frymëmarrje biznesit, kush e pengoi Edi Ramën mos të rriste çmimin e naftës, të investonte në shkolla në vend që të investonte në një grusht miqsh, të cilët i bëri pasanikë, e pengoi vetja e tij sepse kishte interesat e tij. Ai kohën e kishte. Pse nuk vjen Rama në debat? S’ka çfarë thotë pse premtoi 300 mijë vende pune dhe s’hapi asnjë, pse premtoi uljen e taksave dhe i rriti, në 4 vite ka harxhuar 16 miliardë euro, por nuk gjeti kohën për asnjë investim për shqiptarët, por vetëm për veten”, u shpreh Basha.

Brenda vitit nis rritja e pensioneve

Nën qeverisjen e PD, brenda vitit do të nisë rritja e pensioneve, e cila do të vijojë vit pas viti deri në realizimin e premtimit të dhënë nga Basha për ngritjen në nivelin 250 mijë lekë të vjetra. “Do ta nisim që këtë vit rritjen e pensioneve dhe do ta vijojmë vit për vit që të arrijmë premtimin për rritjen në 250 mijë lekë pensionet. Në këtë bashkim të madh nuk duhet të mendojë askush që mendon për familjen e tij, që të marrin fund shfaqjet që bëjnë politikanët me ju, shfaqjet që kanë bërë në kurriz të popullit duhet që bashkimi të jetë sa më i madh dhe fitorja jonë fuqi për të mposhtur republikën e vjetër. Ne jemi të gjithë bashkë për një kauz, kauzën e njerëzve dhe unë ju premtoj se këtë kauz do ta çoj deri në fund, se do të jem kryeministri juaj”, u shpreh Basha. Ai paralajmëroi gjithashtu burg për këdo që do të përpiqet të blejë apo të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve për të zgjedhur me votën e tyre qeverinë e ardhshme. “Falangave u bëj thirrje të heqin duart nga procesi zgjedhor, më 25 qershor shqiptarët marrin fatin e tyre në dorë, kemi si asnjëherë mbështetjen e gjithë botës së civilizuar, nga SHBA në Gjermani, të cilët duan një Shqipëri me një qeveri të përgjegjshme, që ka vullnetin dhe dëshirën të punojë për Shqipërinë. Unë ju premtoj se do të jem ai kryeministër që do të zbatoj planin, programin për ekonominë dhe punësimin tuaj”, tha Basha.

Të gjitha vjedhjet e Ramës ndaj shqiptarëve kishin mbështetjen e Metës

Basha ftoi shqiptarët të ndëshkojnë me votë njëlloj si Metën dhe Ramën, duke i cilësuar ata të dy bashkëfajtorë në keqqeverisjen e katër viteve që shkuan. Basha tha se korrupsioni, vjedhjet prej qindra milionë euro Edi Rama i ka bërë me mbështetjen e plotë të Ilir Metës. Basha solli në vëmendje përplasjet e fundit mes Metës dhe Ramës duke i cilësuar ato si dëshmia më e pastër e koalicionit të pazareve që qeverisi shqiptarët në këto vite. Ndaj dhe ai u bëri thirrje gjithë shqiptarëve të bashkohen fuqishëm dhe të votojnë opozitën e bashkuar si të vetmen alternativë që do të kthejë faqen e historisë së Shqipërisë, duke rimëkëmbur ekonominë e çdo familjeje shqiptare. “Ju shoh të gjithëve bashkë dhe ju shoh me shpresë dhe gëzim në sytë tuaj. Këto katër vite jeni takuar shpeshherë bashkë në momentet e vështira që po kalonte zona juaj, në momentet e rritjes së taksave, energjisë, naftës. Kam ardhur në shtëpitë tuaja. Në këto katër vite kam qenë me ju, por asnjë moment të vetëm nuk kemi ndarë dot një lajm të mirë bashkë, por sot ju jeni me plot shpresë, sepse një lajm të mirë po e ndaj anembanë vendit. Dy ditë para se të nisesha në SHBA isha në jug e në veri dhe kudo njerëzit po bashkohen në takimet tona pa autobusë e pa urdhra, sepse e dinë se diçka e madhe po ndodh në Shqipëri që do ta finalizojmë më 25 qerhsor, kur të mundim republikën e vjetër. Deri para dy javësh putheshin dhe përqafoheshin, kishin bërë plan zgjedhjet pa opozitën, tani po zihen me njëri-tjetrin, jo për hallet e shqiptarëve sepse ata i bashkon dhe i ndan vetëm një gjë, pazari dhe tepsia. Çfarë të marrim të parë, shëndetësinë, hallin më të madh të njerëzve, 550 milionë euro i kanë futur në xhepa vetëm katër veta, ndaj spitalet janë në atë farë feje, sepse s’ka ilaçe, mjekë, është demaskimi më i madh se para katër vitesh tha do ta bëj falas. 300 mijë vende pune tha do të hap, por jo vetëm që nuk i hapi, por i mbylli. Ka qenë në garë këto vite Edi Rama dhe Ilir Meta kush e kush vjedh më shumë nga njëri-tjetri, dhe sot janë prapë në garë me njëri-tjetrin kush do të fitojë për të vjedhur. Ne do t’i japim fund këtij pazari. Këto dy javë të fushatës janë kujtuar të denoncojnë të zezat që shqiptarët kanë hequr mbi shpinë. Por ky është mashtrimi i fundit. Edi Rama asgjë nuk mund të bënte pa mbështetjen e Ilir Metës, të dy bashkë ndëshkojini me votë. Partia e parë fituese do të jetë Partia Demokratike. Ne nuk do të bëjmë pazar as me tezgat as me tepsitë, është ora t’i ndëshkojmë me votë”, u shpreh kreu i PD.

Artikulli paraprakMbështetja e Trump, çfarë presin aleatët
Artikulli tjetërMinistri grek i Rendit: Problemi i madh me drogën e ka emrin Shqipëri