Gjatë fushatës elektorale të vitin 2015, kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi se nuk do të jepte leje ndërtimi klienteliste, por dy vjet më vonë duket se biznesi i ndërtimit po lulëzon me ndihmën e Veliajt, ashtu siç ka ndodhur dhe më parë me paraardhësit e tij. Një numër rekord ndërtesash të reja janë planifikuar të ndërtohen në Tiranë nën maskën e masterplanit të ri Tirana 2030.
Le t’i hedhim një vështrim të gjitha ndërtesave që kanë filluar të ndërtohen apo janë planifikuar të fillojnë ndërtimin në muajt e ardhshëm. Kjo është vetëm një listë e pjesshme dhe masterplani i ri i Tiranës përfshin plane për një qytet “policentrik” që do t’i japë shumë zona të qytetit kompanive private për “zhvillim” nën formën e partneriteteve publike private.
Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”
Rezultat i një privatizimi të paligjshëm të pronës publike, shkatërrimit të trashëgimisë kulturore që shoqërohet me listën e zakonshme të klientëve të Ramës: “AlbStar”, “Sfera Studios” dhe “Atelier 4”. I gjithë projekti është hartuar nga arkitekti, i dënuar për korrupsion, Marco Casamonti, “vizioni” i të cilit është gjithashtu përgjegjës për shkatërrimin e gjetjeve arkeologjike shekullore në Durrës dhe karabinasë së falimentuar përballë Katedrales Ortodokse.
Kulla tek këndi i lojërave “7 xhuxhat”
Një kullë shumëkatëshe do të ndërtohet në Rrugën e Elbasanit pranë këndit të lojërave, i inauguruar në fillim të viteve 2000 nga ish-kryebashkiaku Rama. Këshilli Kombëtar i Territorit e mbajti këtë projekt të fshehtë duke mos publikuar në asnjë moment projektin e kullës. Ndërtesa parashikohet të ndërtohet nga “DT1 shpk”, një kompani jo shumë e njohur në Shqipëri.
Parkimi tek Parku Rinia
Në vitin 2015, Bashkia Tiranë i dha Taiwan shpk një koncesion 30-vjeçar për të ndërtuar një parkim nëntokësor tek Parku Rinia, në qendër të Tiranës. Ndërtimi i parkimit përfshin shkatërrimin e plotë të parkut, një nga hapësirat e fundit të gjelbra të mbetura në qendër të Tiranës. Deri më tani punimet nuk kanë nisur ende.
Kompleksi i pallateve tek ish-Parku i Autobusëve
Një tjetër hapësirë e gjelbër në Tiranë u sakrifikua kohët e fundit nga kryetari Veliaj në përfitim të një kompanie private. Projekti përfshin ndërtimin e një kompleksi pallatesh duke shkatërruar një lulishte publike pranë Policisë Bashkiake. Vendimi i Bashkisë shkaktoi protesta masive të banorëve të zonës, ku pati dhe ndërhyrje të dhunshme të policisë.
Ndërtimi pas Hotel Tirana International
Zgjerimi i Hotel Tirana International është propozuar nga “Geci shpk”, një kompani ndërtimi që nga 2015-2017 ka marrë tashmë rreth 9 milionë euro fonde publike përmes tenderëve. Projekti i kullës 111 metra është hartuar nga studio “Atelier 4”, bashkëpunëtore afatgjatë e Kryeministrit Edi Rama.
“Sytë e Tiranës”
Kulla “Sytë e Tiranës” e planifikuar për t’u ndërtuar mes Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, është fituesja e konkursit të arkitekturës në vitin 2003, ku fituese u shpall kompania daneze “Henning Larsen Architects”. Ndërtesa do të ketë “banesa, zyra dhe dyqane në një sipërfaqe totale prej 55,000 metrash katrorë dhe një kullë 26 katëshe. E ndodhur në qendër të qytetit, ndërtesa do të jetë rezultati i parë i dukshëm i një masterplani ambicioz në shkallë të gjerë për Tiranën. (Masterplani në fjalë është ai i zhvilluar më 2003 nga “Architecture Studio”).
“Sytë e Tiranës” do të ndërtohet nga “Edil Al-It” dhe punimet parashikohen të fillojnë më 2018. “Edil Al-It”, një kompani në pronësi të vëllezërve Dulaku, është po ashtu, një ndër më të afërtat me Kryeministrin Edi Rama. Kohët e fundit, “Edil Al-It” fitoi edhe tenderin për rinovimin e Teatrit të Operas dhe Baletit në qendër të Tiranës. Dy vëllezërit Dulaku janë gjithashtu pronarët e kanalit televiziv “Vizion Plus”.
Kulla pas Kullës së Sahatit
Në një intervistë gjatë inaugurimit të Sheshit Skënderbej, arkitekti i studios “51N4E”, Johan Anrys zbuloi se do të ndërtohet edhe një kullë e re në hapësirën mes Hotel Plazës dhe Kullës së Sahatit, pas Bashkisë Tiranë. Deri më tani nuk dihet asgjë konkrete për projektin dhe kompaninë zhvilluese të tij.
Këndi i lojërave në Parkun e Liqenit Artificial
Këndi i lojërave në Parkun e Liqenit Artificial, i projektuar nga “Atelier 4” dhe “Bolles+Willson”, shkaktoi zemërimin e shumë qytetarëve, me paligjshmërinë dhe arrogancën e institucioneve shtetërore. Ky projekt që përfshinte hedhjen e betonit brenda parkut të liqenit shënjoi dhe fillimin e shkatërrimit të Parkut të Liqenit Artificial.
Pallati 13-katësh përballë Fakultetit Ekonomik
Përgjatë Rrugës së Elbasanit, tek një tjetër pjesë e parkut po ndërtohet një pallat 13-katësh në pronësi të Samir Manes, një prej sipërmarrësve më të fuqishëm në vend. Projekti i pallatit sërish është hartuar nga “Bolles+Willson”.
Hoteli olimpik tek Parku i Liqenit
Faza e dytë e ndërtimit të Parkut Olimpik në Tiranë, mbi pronë publike, do të përfshijë dhe ndërtimin e një hoteli olimpik. Projekti është aktualisht në fazën e planifikimit dhe Bashkia ka zgjedhur të heshtë mbi detajet e këtij projekti. Kjo është një shkelje tjetër në hapësirën e gjelbër të parkut.
“Exit.al”