Rafineria e Ballshit është afera më e re korruptive e Edi Ramës, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin me drejtues të strukturave të PD në Mallakastër dhe Patos. Edi Rama dhe miqtë e tij nxjerrin miliona euro nga nafta në muaj, ndërsa naftëtarët marrin paga qesharake dhe punojnë pa minimumin e sigurisë teknike, çka u pa dhe në ngjarjen e fundit ku humbi jetën Shkëlqim Muça e shumë të tjerë mbetën të plagosur.
“Sa është fitimi i rafinerisë?! 30 milionë euro në muaj është xhiroja, minimalisht 10 milionë euro në muaj është fitimi, pjesëtojeni për 5 mijë naftëtarë. Sikur ky fitim t’i shkonte i gjithi naftëtarëve, bëhet fjalë për 2 mijë euro për naftëtarë, domethënë 2.6 milionë lekë të vjetra për naftëtar.
Por naftëtarët kanë rroga minimale dhe pasiguri për nesër. Në vend që të kemi 5 mijë naftëtarë me një rrogë, me një pagë dinjitoze, nuk po them 2 milionë e 600 mijë, por të paktën 500 apo 600 mijë lekë, kemi Beson me një grusht njerëzish që fusin në xhepat e tyre 10 milionë euro në muaj dhe i ndajnë me Edi Ramën, me Damian Gjiknurin, me Arben Ahmetajn me shokë.
Ky është realiteti i Shqipërisë sot, qeveritarët e korruptuar e kanë kapur për fyti buxhetin e shtetit. Një grusht monopolistësh po vjelin pasuritë e shqiptarëve dhe nga ana tjetër mbështeten tek një grusht kriminelësh që shfrytëzojnë mijëra shqiptarë, midis tyre fëmijë dhe gra për ta mbjellur Shqipërinë me hashash”.
4.2 tonelatat e drogës, policitë e dy qyteteve nuk ndërhynë
Në aktivin e Mirditës, Basha u ndal tek përplasja e Policisë së Lezhës dhe Rrëshenit për 4.2 tonët e drogës, të kapura në ish –pularinë e qytetit. Kjo ngjarje për Lulzim Bashën është dëshmia e kthimit të shtetit në një bandë, e cila përplaset mes veti për pazare droge, ndërsa forcën e ligjit e tregon duke dhunuar të pamundurin, të papunin, të varfërin.
“U rrethua ish-pularia, sepse ishte sinjalizuar prani e madhe e drogës. Çfarë ndodhi?! Policia e Rrëshenit u tërhoq, iku fare nga skena, Policia e Lezhës nuk pranonte të ndërhynte. A nuk janë këta policët që i marrin shpirtin qytetarit, se nuk ke vënë rripin e sigurisë?! A nuk janë këta që Saimir Tahiri i çon për të marrë fermerin, fshatarin, qytetarin që vë pesë tjegulla në çatinë e vet dhe i rras brenda, i terrorizon, apo për një faturë tatimore, apo për çështje të energjisë dhe kur shkojnë te pularia për të kap drogën sillen si pulat vetë”.
Në mbi 3 vjet qeverisje, tha kreu i demokratëve, Edi Rama ka treguar se i vetmi shqetësim i tij është pasurimi i tij dhe klientëve të pushtetit dhe fama personale me ekspozita dhe promovime libri.
“Sot në Shqipëri kemi një qeverisje, e cila shqetësohet vetëm për pasurinë e vet dhe vetëm për pushtetin e vet. Sot në Shqipëri kemi një regjim, i cili shqetësohet vetëm për paratë dhe pushtetin e vet. Për paratë dhe pushtetin e vet, kjo qeveri shkel ligjin, mbron kriminelët, godet të pambrojturit. Për paratë dhe pushtetin e vet Edi Rama e ka shndërruar buxhetin e shtetit në pasurinë e tij private, me të cilën pasurohet ai dhe një grusht njerëzish”.
25 milionë dollarë për luskin e zyrave në 2017
Edi Rama ka ndarë 25 milionë dollarë për zyra dhe mobilim zyrash në buxhetin e vitit 2017. Kjo shumë marramendëse për një vend si Shqipëria i shtohet qindra milionë dollarëve të tjerë të harxhuar këto tre vjet për fasada, zyra dhe kolltukë nga Edi Rama.
Moti i keq i ditëve të fundit nxori në pah nevojën jetike që ka vendi për investime në infrastrukturë dhe në mbështetje për njerëzit në nevojë.
Pak ditë reshje sollën pasoja dramatike: qindra hektarë tokë u përmbytën, mijëra familje humbën të mbjellat dhe gjënë e gjallë nga e cila varet jeta e tyre, qindra shtëpi u bënë të pabanueshme, zona të tëra mbetën të izoluara dhe pa energji.
Por kjo emergjencë nuk është prioritet i Edi Ramës. Prioriteti i tij i vetëm janë fasadat dhe kolltukët. Ky që justifikohet kudo se nuk ka para për shëndetësinë dhe arsimin ndaj po ja u jep privatëve, ka përherë para pa fund për zyrat e tij dhe të shërbëtorëve të tij.