Pse heshti Tahiri për 10 tonelatat e drogës?

Prokuroria e Krimeve të Rënda drejtoi dje operacionin e sekuestrimit të 10 tonë droge në Vlorë, pasi Drejtoria e Policisë së Vlorës hezitoi të kryente operacionin për shkak se në kultivimin e kanabisit ishin përfshirë zyrtarë të lartë policie në bashkëpunim me trafikantë që kanë mbështetje nga lart. Bëhet e ditur se, plantacionet me kanabis u zbuluan nga një raport i SHISH dhe më pas Prokuroria pas kryerjes së hetimeve urdhëroi policinë për nisjen e operacionit.
Një burim i besueshëm në Policinë e Vlorës, konfirmoi se, drejtuesit e Policisë së Vlorës kanë hezituar që të angazhojnë strukturat e tyre në operacion. Pas informacioneve që u ka vënë përpara Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ Shtetëror, ata kanë kërkuar që të përdoren Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Kjo për faktin se, emrat e tre prej personave për të cilët kërkohej arrestimi, ishin të njohur dhe “njerëz të fuqishëm”, të lidhur edhe me shefat lart. Zona ku është gjetur kanabisi, 7 300 rrënjë ishte deklaruar “e pastër” nga policia pasi një agjent i krimit ekonomik në Policinë e Vlorës ishte garanti i trafikantëve.
Burimet nga Policia e Vlorës bënë të ditur se, ka qenë një hetim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, që ka gjetur lëndën narkotike. Policia bëri të ditur se, gjatë operacionit u arrestuan 6 persona dhe u shpall në kërkim një efektiv policie. Implikimi i Policisë së Vlorës shkon përtej oficerit të shpallur në kërkim. Sipas policisë gjatë operacionit u arrestuan shtetasit, Shkëlqim Koçiaj, 24 vjeç, banues në fshatin Dushkarak, Vlorë, Arjan Hasanaj, 43 vjeç, banues në Vlorë, Klajdi Imeri, 21 vjeç, banues në Vlorë, Taulant Haxhiraj, 35 vjeç, banues në Vlorë, Albert Aliaj, 53 vjeç, banues në Vlorë. Në njoftimin e policisë thuhet se, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, Grupet e FNSH Fier, midis fshatrave Vezhdanisht dhe Treblovë kanë konstatuar 6 kasolle brenda të cilave janë gjetur rreth 2000 bimë narkotike në proces tharjeje si dhe rreth 5250 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa, të mbjella në lugina dhe zona të thella rreth 2 orë larg qendrave të banuara. Policia ka bërë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjithashtu, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri të llojit “automatik”, 1 armë zjarri e llojit “pushkë”, 2 krëhëra me 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm si dhe veshje dhe sende të tjera, të cilat shërbejnë si provë materiale. Policia ka bërë asgjësimin e lëndës narkotike nëpërmjet shkuljes, copëtimit dhe djegies me zjarr. Po punohet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Droga e sekuestruar në Vlorë, e kushërinjve të Tahirit?!
Pas urdhërit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë, Policia e Vlorës sekuestroi 10 tonë drogë në qytetin bregdetar. Ka qenë vetë Prokuroria për Krimet e Rënda që ka drejtuar operacionin për sekuestrimin e kanabisit pas një raporti të SHISH. Ndërkohë, një burim në Policinë e Vlorës i tha “HashtagAl” se, pronarët e vërtetë të “mallit” janë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Burimi i rezervuar nga struktura e Antidrogës në Policinë e Vlorës i tha “HashtagAl” se, territori ku është kapur kanabisi është patronazh i vëllezërve Habilaj, kushërinj të parë të ministrit të Brendshëm, Tahiri. “Kam asistuar operacionin dhe policët, përfshirë ata të ardhur nga Tirana, kanë qenë të intimiduar gjatë kryerjes së veprimeve, shoqërimeve dhe arrestimeve”, shprehet oficeri i Antidrogës në Policinë e Vlorës.
“Territori ku është bërë sekuestrimi i kanabisit nga policia është një territor, ku punohet intensivisht. Në njërën prej kodrës, nga maja e të cilës ka fushëpamje totale të parcelave, policia ka ngritur një postë, e cila ruan territorin për llogari të mbrojtjes së kultivuesve”, ka deklaruar më tej ai.
Zyrtari i Antidrogës së qytetit të Vlorës, i cili dëshiron të mbetet anonim, i tha “HashtagAl” se, nuk ka prova direkte që implikojnë vëllezërit Habilaj, të paktën deri në këtë moment, por kontrolli i tyre mbi këtë territor është një “sekret i hapur”. Sipas tij, e dinë të gjithë në këtë zonë që ky territor kontrollohet nga vëllezërit Habilaj.
Vëllezërit Habilaj akuzohen prej tre vitesh nga opozita dhe mediat, si menaxherët e kanabisit në aksin Vlorë-Tepelenë, akuza që filluan që në momentin kur lidhja e tyre me ministrin Tahiri dhe drogën u denoncua nga ish-oficeri i Antidrogës në Policinë e Fierit dhe të Vlorës, Dritan Zagani.
Zyrtari i Policisë së Vlorës i tha “HashtagAl” se, sasia e drogës ishte aq e madhe, saqë policisë i mbaroi benzina e makinave duke e transportuar. Vetë ministri i Brendshëm nuk tha asnjë fjalë për kanabisin e sekuestruar në Vlorës, teksa promovoi makinat që nuk u mbaron benzina, automjetet e reja elektrike për Policinë e Shtetit. Por çuditërisht, Tahiri shigjetoi Prokurorinë, madje edhe median. I rreshtoi ato në aksin e së keqes, ndërkohë që të dhënat tregojnë se është policia e drejtuar prej tij, që jo vetëm është rreshtuar me trafikantët e drogës, por edhe i ruan ato nga organet e tjera të zbatimit të ligjit.

Oficeri i policisë shpallet në kërkim për drogën në Vlorë

Një oficer i Policisë së Vlorës është shpallur në kërkim si pjesë e grupit të narkotrafikut të goditur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që administronte 10 ton kanabis në dy fshatra të qytetit bregdetar. Një burim i Lapsi.al tha se, oficeri është drejtues i një zyre në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Por ai nuk është emri më i rëndësishëm i grupit të strukturuar kriminal. Tre persona të tjerë, emra të njohur për Policinë e Vlorës dhe organet e hetimit, janë drejtuesit dhe financuesit e këtij rrjeti.
Prokuroria e Krimeve të Rënda po heton mbi këtë të dhënë, por deri tani nuk ka drejtues të tjerë të Policisë së Vlorës të vënë nën hetim. Plantacionet me kanabis u zbuluan nga një raport i SHISH dhe informacionet e mëpasme të shërbimeve sekrete se ato nuk ishin asgjësuar, siç referonte policia. Arsyen përse policia e ka deklaruar “të pastër” zonën pritet ta zbardhin hetimet. Referuar burimit të “HashtagAl”, është lidhja e drejtuesve të grupit të narkotrafikut me ministrin Tahiri, arsyeja e vërtetë se përse këto sipërfaqe nuk janë asgjësuar dhe për më tepër kanë qenë nën ruajtje nga policia për llogari të kultivuesve dhe trafikantëve të drogës.
Vëllezërit Habilaj janë akuzuar prej kohësh nga opozita si drejtues të një prej grupeve më të mëdha të trafikut të drogës në vend. Ata kanë përdorur edhe makinën e ministrit Tahiri, kushëririt të tyre, për të transportuar drogë jashtë vendit. Ministri i Brendshëm i pati mohuar fillimisht akuzat, se Habilajt kishin në përdorim makinën e tij, por me publikimin e disa dokumentave nga opozita, ai u detyrua të pranonte se ua kishte shitur atyre makinën, por nuk kishte bërë aktin ligjor të shitjes, për të shmangur pagesën e një detyrimi që lindte nga humbja e një gjyqi me opozitën. Një deklaratë e tillë e paprecedent shkaktoi reagime të forta në atë kohë, pasi Tahiri u bë i pari ministër që pranoi publikisht se kishte shkelur ligjin për t’iu shmangur detyrimeve që buronin nga një vendim gjykate. Kushërinjtë e ministrit Tahiri administrojnë sipërfaqet më të mëdha të kanabisit në Vlorë.

R.POLISI

Exit mobile version