105 vite nga eliminimi i Ismail Qemalit, “enigmat” e burrështetasit që themeloi shtetin e shqiptarëve

Nga Laert MIRAKU

Sot janë bërë 100 vjet që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës. Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por mendohet se Qemali është helmuar.

Vdekja natyrale apo eliminimi i Ismail Qemalit

“Nëse doni që Shqipëria të bjerë në qetësi duhet të vriten tre persona: Ismail Qemal Vlora, Esad Pashë Toptani dhe unë”. Në një ditë prilli të vitit 1914 Preng Bibë Doda iu drejtua princ Vid-it me këto fjalë teksa bisedonin në Durrës se si duhet të bëhej shteti shqiptar. Më 24 janar 1919 u vra  në Perugia të Italisë Ismail Qemali. Më 22 mars 1919 u vra duke shkruar në Lezhë vetë Preng Bibë Doda . Më 13 qershor 1920 u vra në Paris Esad Pasha.  A ishte profeci apo zëvendëskryeministri Doda dinte shumë për kurthet, intrigat, stilin oriental të të funksionarit të shqiptarëve këtë nuk di ta them. Por e sakta është se ajo që ai i tha princit gjerman rezultoi e vërtetë. Shumë pak, për të mos thënë aspak, është folur për vdekjen e njeriut që themeloi shtetin shqiptar. Zyrtarisht është shkruar se ai vdiq nga hemorragjia cerebrale. Por nga investigimi që unë kam bërë për shumë vite më rezulton se ai është vrarë. Më saktë akoma është helmuar (R.Q).

Ismail Qemal Bej Vlora pak ditë para se ta helmonin shkruante: “…sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”.

Ismail Qemali i mbylli sytë me shprehjen: “Më hëngër me të pabesë”. Një vdekje e mbuluar me mister për babain e kombit shqiptar! Ai jetoi vetëm pak minuta pasi kishte pirë “filxhanin e kafesë” që ishte veç një filxhan helmi përpara se të nxirrte shkumë nga goja. Një vrasje e pastër me helmim, që nuk bënte zhurmë si krisma e kobures! Por, efektin e kishte të sigurt.

Ai ishte stacionuar në hotel “Brufani” në Peruxhia të Italisë dhe priste lajm për takim me politikanët diplomatë italianë, por që vdekja i erdhi nga një dorë misterioze që babain e kombit, një nga njerëzit më të mençur dhe diplomatin e sprovuar nuk e donin “nëpër këmbë”. Prandaj, i erdhi edhe vdekja që ishte shokuese për dy djemtë që nuk iu ndanë deri momentin e fundit të jetës, por dhe për gjithë shqiptarët kudo që ishin. Në fund të kësaj përmbledhje keni të renditura 17 argumente mbi vrasjen (helmimin) e Ismail Qemalit

Dy tentativa për vrasje para arritjes së objektivit

Tentativa e parë për eliminimin e Ismail Vlorës ndodhi më 7 shtator 1901. Gazeta greke “Sotiria” shkruan: “Me tre fëmijët e vegjël shkoi në një anije anglezë, ku Ismail Vlora i dorëzoi ambasadorit anglez N.O.Konor letrën: “I lutem shkëlqesisë tuaj që të kini mirësinë të më ofroni mbrojtjen tuaj të lartë duke i dhënë kapitenit të anijes udhëzimet e duhura që të më nxjerrë jashtë atdheut tim, të cilin po e braktis për arsye të patriotizmit të tepruar”. Ishte koha e përndjekjes së Sulltanit ndaj Ismail Vlorës për shkak të bashkëpunimit të tij me Vezirin e Madh, Mit’hat Pashën, një reformator që pasi u dënua, u vra. Kjo solli edhe përndjekjen ndaj Ismail Vlorës. Tentativa e dytë kishte të bënte me Gani Toptanin, vëllain e Esat Pashë Toptanit.

Sipas dokumenteve të kohës, Ganiu ishte një agjent direkt i Sulltanit të Perandorisë Osmane dhe nuk ishin të pakta rastet që Ganiu kishte kryer vrasje me porosi direkte të tij. Ngjarja mori përmasa reale, kur dy miqtë e Ismail Vlorës i thonë që Sulltani kishte urdhëruar Gani Toptanin për ta vrarë. Duhet kujtuar që dy vëllezërit Gani dhe Esat Toptani kishin për motër nënën e Eqrem bej Vlorës, djalin e kushëririt të Ismail Vlorës, të cilin e quante nip. Në bisedë e sipër, miqtë i kishin thënë Ismail Qemal Vlorës se Ganiu i kishte garantuar se edhe pse sulltani i kishte dhënë urdhër, ai nuk do ta vriste Ismail Vlorën, në të kundërt, do të arratisej ose do të vriste veten. Nuk ndodhi as e para, as e dyta, por ndodhi kjo e treta. Për fatin e Ismail Vlorës, Ganiu vrau veten aksidentalisht, duke luajtur me një mikun e tij.

Përplasja me Myfit Libohovën

Studiuesit e shumtë e vlerësojnë Ismail Qemalin një produkt më të madh se statuja e popullit që e përfaqësonte. Ai ishte një personalitet që spikaste për maturi dhe i besonte më shumë diplomacisë dhe zgjuarsisë, sesa forcës kur përballej në debate të tilla si ai me Myfit Libohovën, që zbulohet për herë të parë pas 100 vjetësh. Aty nga mesi i vitit 1913, kur Kryeministri shqiptar ballafaqohej me çështje nga më kritiket për fatet e vendit, i del hapur një tjetër kundërshtar, madje nga radhët e kabinetit qeveritar.

Myfit bej Libohova, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, në një letër denoncuese i drejtohej Ismail Qemalit: Ju njoftoj naltësia tuaj të ndiqni rrugën e ndërgjegjes e të njerëzillikut dhe të na paguani borxhet që na detyroheni me dëftesë e pa dëftesë.” As më shumë dhe as më pak: Ministri Brendshëm i kërkon Kryeministrit t’i kthejë ato pare që ia dha për të shkuar delegacion në Europë për njohjen e shtetit shqiptar! Sidoqoftë, ankesa e Libohovës nuk ishte fare pa arsye. Sipas të dhënave të kohës, pakënaqësia e tij paska qenë përse Kryeministri Ismail Qemali nuk e caktoi atë, por Luigj Gurakuqin në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit(!). Një natyrë sjelljeje kjo si e politikanëve të sotëm që e kanë trashëguar nga një takëm paraardhësish si Libohova, që paratë e vëna në shërbim të Pavarësisë së Shqipërisë ia kërkonte më pas Ismail Qemalit në formë borxhi.

Akti i dorëzimit të pushtetit që ndërkombëtarët të vijojnë me njohjen e Shqipërisë

Më 22 janar të vitit 1914 qeveria Shqipërisë e drejtuar nga Ismail Qemali krye akti i dorëzimit të pushtetit i cili u firmos nga kryeministri shqiptar dhe anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Shumica e Fuqive të Mëdha që kishin pasur kundërshtitë e rezervat e tyre për pavarësinë e Shqipërisë, e paragjykonin Qeverinë e Vlorës dhe përfaqësuesit e saj. Qeveria e Përkohshme dhe kryetari i saj kishin që në fillim një mandat të përkohshëm, deri në krijimin e Qeverisë Definitive nga Princ Vidi i zgjedhur i 6 Fuqive të Mëdha, por ky mandat përfundoi para mbërritjes së Vidit i detyruar nga rrethanat e vështira që u krijuan në marrëdhëniet e reja me KNK dhe kompromiseve ndërkombëtare që ky Komision përfaqësonte.

Fuqitë e Mëdha i kërkuan qeverisë shqiptare 110 vite më parë që të bënte një hap pas. Rezervat e Fuqive të mëdha për pavarësinë e Shqipërisë dhe paragjykimet për qeverinë e Vlorës dhe përfaqësuesit e saj bënë që “vendimmarrësi” i kohës Europë të merrte në drejtim edhe Shqipërinë. Me mbërritjen e KNK në Vlorë, në fillim të tetorit 1913, çështja e parë që doli në pah ishin marrëdhëniet e tij me Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Duhet pohuar se marrëdhëniet e Qeverisë së Vlorës me KNK që në fillim ishin jo të mira dhe ato erdhën duke u tensionuar.

Që në vendimet e para të KNK-se dukej qartë përpjekja për të dobësuar autoritetin e Qeverisë së Vlorës. Në këto kushte , Qeveria e Vlorës duhej të përcaktonte qëndrimin e saj të ri. Ismail Qemali vazhdoi të tregonte një shpirt mosnënshtrimi dhe pavarësie, edhe pse pozitat diplomatike të tij tashmë ishin zbehur shume.

I vendosur në pozita të vështira brenda e jashtë vendit nga veprimtaria e KNK dhe presioni që ushtrohej mbi të, me 10 janar 1914 Ismail Qemali deklaroi se ishte i gatshëm të kalonte pushtetin nën autoritetin e KNK. Pas disa ditësh konsultimesh qeveritë e Fuqive te Mëdha ranë dakord që KNK të autorizohej për të marrë gjithë pushtetin në Shqipëri.

Kur Konica sulmonte Ismail Qemalin: Plak zemër-thatë e i vdekur nga çdo ndjenjë, që vodhi Shqipërinë

“Ditët e para të luftës Ismail Qemal Beu i shkoj në Stamboll, i hequr më nj’anë, dyke heshtur e dyke përgjuar punët. Pas Lule-Burgazit u kuptua se Turqia e humbi luftën edhe urdhërimin e saj në Ballkan. Ismail Qemali doli nga vrima, u hoth në Bukuresht, e andej në Vjenë ku, që të përdorim një fjalë të popullit, “i kish rënë era kërmë”. Plaku zëmër-thatë e i vdekur nga çdo ndjenjë, s’humbi kohë me prralla idealiste, po nisi të shtrojë listën e harxheve: harxhe që s’kish në mëndje t’i bëjë, as i bëri kurrë. Berchtold-i, kërrusur nën barrën e mejtimeve, s’kish ngè të bëjë pazarllëqe me një Armen të Bezistenit, po me sy të mbyllur dha ç’i kërkuan. Ismail Qemali, torbën me flori nënë sqetull, edhe doli në Durrës. Atje mblodhi edhe ca njerëz të tjerë, edhe të gjithë, ca kaluar e ca më këmbë, ca në qerre të hequra prej buajsh, u nisnë për në Vlorë.

Kjo karvanë, e përzjerë, e varfër, e qelbur, në çdo rast tjatër do t’ish për të qeshur, po tani shpinte fatin e një kombi të vjetër e, nga madhësia e barrës, merrte një farë madhësie edhe vetë. Passi Sërbët ishin në rrethet e Elbasanit, karavana kish zgjedhur një udhë të vështirë ngjat detit. Ismail Qemali, i ngrysur e i rëndë, me maskën e Moisuit të ngjitur mirë në faqe, mbahej si një profet i theatros edhe kalonte pa folur. Me në funt Dheu i Premtuar u duk: Vlora e lodhur, e shtrihur në zall të detit.

Çdo njeri ka orën e tij, një orë që i kapërxen të gjitha të tjerat nga bukuria e nga forca edhe është si maja më e lartë e një jete. Padyshim, më 28 të Vjeshtës së Tretë 1912, kur dora thonjë-mbrehur e tij ngriti në Vlorë flamurin e vjetër të Skënder-beut, katërqint vjet të harruar, çasti i math për Shqipërinë ka qënë edhe më i bukuri në jetë të turbulluar t’Ismail Qemalit. Sikur të kish vdekur të nesërmen, do të kish mbetur i rritur dhe i paharruar në zemër të popullit. Po rrojti. Rrojti mjaft sa të çbëjë me rrënjë atë që kish nisur edhe sa t’a ndyjë flamurin gjithë me atë dorë me të cilën e kish ngrijtur.

E para punë që bëri në Vlorë ish të dërgojë njerës në Janinë t’u këshillojë ushtarëve shqipëtarë të mos lëftojnë më kot për Turqinë, po të kthehen në shtëpit’ e tyre, se Evropa do t’i jipte Shqipërisë lirinë. Aqë budalla nuk ish Ismail Qemali sa të mos kuptonte që luftërat që bëheshin në Bezhan nuk ishin për të mbajtur Tuqinë, rolli i së cilës ish i mbaruar: ishin për të ruajtur Shqipërinë nga invazioni. Po ca vjet më parë Ismail Qemali kish shënuar me grekët një rimarrëveshje, pas së cilës kufiri i Greqisë edhe i Shqipërisë do t’ish një ditë Vjosa; më i besës te Greqia se të Shqipëria, ky “disfattista” para se të krijohet fjala i çponte Shqipëtarët të dezertojnë ballët e Bezhanit që t’u hapej Grekëve udha e Shqipërisë.

Një tjatër pun’ e bukur e Ismail Qemalit ish këshilla që u dërgonte shqiptarëve të mundojnë ushtarët e thyer të Turqisë, që xvarrniseshin të urët e të lodhur nga sheshet e luftës. Kur ish kundrë Turqisë, pse nuk e goditte sa ish Turqia e gjallë dhe e fortë? Turqët pa dyshim që na kishin bërë dëme, po a i ka hije një populli fisnik të shkelë e të shajë ata që janë mbë dhè? Kur del tjatri me dorën të zgjatur për lutje e me “amanin” në gojë, s’ke më një mik a një armik përpara, ke vetëm një njeri. Ç’mësim qytetërie për një popull t’i këshillosh t’u përgjigjet me shkelme njerësve të plagosur që kërkojnë një kupë ujë! Jo, Ismail Qemali nuk u dëftua si një stërvitës i lartë i popullit, po si një negër me instinkte shumë t’unjura.

E poshtër moralisht, sjellja e tij ish politikisht e lajthitur. Sa me atë mënyrë mbolli në zemër të Turqve dëshirën e çpërblimit. Dhe s’është aspakë një paradoksë të thomi se kryengritja e Shiakut më 1914 u gatit më 1912 në Vlorë. Që të mos mbetej asnjë dyshim në mëndje të Turqve se Shqipëria e re u kish deklaruar sheshit e gjer në funt luftën, një njeri i sëmurë, i cili kërkoi dhe mori lejë zyrtare për të shkuar nga Vlora që t’i hipij vaporit, u vra mu në mes të qytetit kur e shpijin të shtrihur në një shtrat. Ismail Qemali kujtonte se kjo vrasje do t’pëlqehej, sepse i vrari quhej Njazi, po edhe një malok e di se është gjë e poshtër të ngitet një njeri që shkon nga kufiri yt i siguruar me fjalën, me besën, me nderin tënt.

Me të tilla, dhe me qint të tjera si këto, Ismail Qemali e filloi Shqipërin’ e re, nxiu vetëdijat e Shqipëtarëve që prisjin dritë, edhe fëlliqi flamurin t’onë në sy të botës. Pakë nga pakë i dolli turpi, hoqi maskën, u duk hajduti sheshit, gjer sa më në funt një oficer i Hollandës i vuri hekurat në dorë e, mes dy zaptiesh me sungji përpjetë, e futi në vapor edhe e nxori për gjithnjë nga sheshi i politikës.

Po, me gjith’ këto turpe, dora e Ismail Qemalit do t’kujtohet për jetë në histori, se ngrijti e para flamurin e unjur katër shekuj më parë. Me këtë veprë Vlora u bë më tepër se një qytet historik: u bën simboll i pavdekur dhe një copë e pandarë e shpirti shqiptar.”

Nga: Faik Konitza, 28 Vjesht’ e Tretë / 3 Qershuar 1917, në “Kuvendi”, Romë, 30 nëntor 1919.

17 argumente mbi vrasjen (helmimin) e Ismail Qemalit

Argumenti I: Dëshmia e Ethem Vlorës, djalit të Ismail Qemalit, që nuk u nda kurrë nga i ati, kur ia tregonte kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit (20.12.1918-5.11.1920 dhe 1934-1939) është mjaft decizive: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespondentët e shtypit. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët”. (Karakteristikë kjo e dukshme e helmimit)

Argumenti II: Dëshmia e pronarit të hotelit që sjell Profesor Gaçe është unikale: “Pronari i hotelit pak momente përpara se të jepte shpirt i është drejtuar të bijës: ‘Po vdes me një peng, kryeministrin e Shqipërisë ma helmuan këtu në hotelin tim’”.

Argumenti III: Dëshmia e shkrimtarit, historianit dhe filozofit Koli Xoxe (1923-2013), që në librin “Ismail Qemali, jeta dhe vepra”, që i referohet shërbëtores së Ismail Qemalit, znj. Fatushe Shedula, konfirmohet helmimi i Ismail Qemalit: “Plakun patriot e helmuam në kafene. Pasi kishte pirë kafe i kishin filluar dhimbjet e mëdha në stomak. Plaku kishte thirrur me gojën e tij më helmuan, e më pas vdiq”.

Argumenti IV: Referuar historianit Koli Xoxe, mbi bazën e të dhënave të Shedulës: “Në dy filxhanët e kafesë që kishin pirë Ismail Beu dhe i biri Ethemi në barin e hotelit ‘Brufani’, pak minuta para konferences bënë që Ismail Qemali të ndërronte jetë ndërsa i biri, Ethemi, e kaloi helmimin me shumë peripeci në spital me lavazhe të stomokut, me moshën e re dhe organizmin e fuqishëm prej ushtaraku të mirëstërvitur”.

Argumenti V: Të dhënat flasin për Fatushe Shedula, si një grua besnike që kishte shkruar në ditarin e saj faktin se “Ismail Qemali ishte helmuar”, që ishte deklarim i një prej enigmave më të mëdha të shekullit.

Argumenti VI: Faktet shtohen kur edhe vetë Fatushe Shedula u helmua në vitet ’30, kur erdhi me banim në Tiranë, një zhdukje fizike e saj bashkë me ditarin e saj. Kjo vërteton se një dorë e kujdesshme vrastare ka ndjekur nga pas edhe vetë dëshmitarët e kësaj ngjarjeje, edhe pse shkenca sot mundet ta zbulojë misterin e kësaj zhdukjeje që e ka kaluar tashmë shekullin.

Argumenti VII: “Ekipi mjekësor” italian shkoi me vonesë nuk i ofroi ndihmën e duhur. Mjekët bënë vetëm një “punë”, që u’a kërkonte jo misioni i mjekut, por procedura e këqyrjes së kufomës dhe ka shkruar një deklaratë me mjaft gabime. Në të shkruhet: “…Ismail Qemali ka vdekur më 26 janar 1919”, kur në fakt Ismail Qemalit i pushoi zemra më 24 janar 1919.

Argumenti VIII: Formalitetet e këqyrjes së kufomës i kanë bërë tre ditë pas vdekjes (një dorë i kishte përgatitur të gjitha rrethanat), pra më 27 janar, një fakt i pakundërshtueshëm manipulues. Dhe, së fundi është shkruar që “varrosja duhet të bëhet pas 27 janarit 1919”! Përse vallë, ndërkohë që mjeku që ka këqyrur kufomën nuk ka vendosur as emrin e vet, për të humbur gjurmët. Ndërkohë, Formulari origjinal, që vjen nga Komuna e Peruxhia: “Unë i nënshkruari sanitar deklaroj që kam vizituar trupin e Ismail Qemal Vlorës, i biri i Mahmudit dhe Hedijes, 75 vjeç, lindur në Vlorë, banues në hotel ‘Brufani’, që vdiq më 26 janar 1919(?), ora 23.50, nga hemorragjia cerebrale. Deklaroj se kjo kufomë mund të transportohet brenda disa orësh dhe varrosur pas datës 27 janar 1919. Sanitari, firma”. (Ky deklarim është bazuar në dokumentin e mjekut ligjor të spitalit të Peruxhia, Arkivi i Spitalit Shtetëror të Peruxhia, 27.01.1919).

Argumenti IX: Zyra e gjendjes civile në Peruxhia, që i referohet raporti të Mjekësisë Ligjore thotë: “Komuna e Peruxhia-s/ Zyra e gjendjes civile/ Raporti nekroskopik: ‘Deklarata e sanitarit për hemorragjinë cerebrale si shkak i vdekjes së Ismail Qemalit është e paqartë. Zyrtari i gjendjes civile/Gabellini Era’”. (Komuna e Peruxhias, Zyra e gjendjes civile 27.1.1919, nr.52, pj, parë).

Argumenti X: Fakt është se pas formaliteteve të vdekjes në Itali u bë balsamosja e kufomës, që zgjati dy javë (një mister më vete) deri në sjelljen e trupit në Vlorë dhe varrosjes në Kaninë, ku qëndroi në varrezat e Vlorajve deri më 28.11.1932, kur u rivarros për herë të dytë në Vlorë, ku gjendet edhe sot. Edhe 13 vjet pas varrosjes u krye këqyrja e kufomës gjatë zhvarrimit ku në raportin e kohës shkruhet: “Në trupin e kufomës së Ismail Qemal Vlorës nuk kishte asnjë shenjë balsami dhe kufoma është gjysmë e dekompozuar”, që vërtetojnë se dekompozimi i balsamosjes të një kufome 13 vjeçare ishte një vrasje e dytë, një vrasje që nuk mundën ta bënin me plumb, por e realizuan me helmimin e një personaliteti që nuk ka epokë që mund ta fshijë nga faqja e historisë së shqiptarëve.

Argumenti XI: Nermin Vlora Falaski ka qenë vajza e vajzës së Ismail Vlorës dhe Kleoniqit. Profesor Gaçe, duke ju referuar Nermin Vlorës (Falaski), shkruan: “Ismail Qemali është vrarë, domethënë helmuar nga njerëz që nuk donin që ai të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, sepse donin që këtë konferencë ta zotëronte Esad Pashë Toptani. Autorët janë njerëz të afërm të Esad Pashë Toptanit. Janë nipërit e tij, që janë autorë të kësaj vrasjeje. Unë me Nermin Vlorën, mbesën e Ismail Qemalit, kemi investiguar për këtë vdekje. Kemi kontaktuar edhe me policinë e Peruxhias dhe të gjitha gjurmët na çonin në një hotel përballë hotelit “Brufani” ku qëndronte Ismail Qemali, i cili ishte 35 metra larg tij”. (Vajza e madhe e Ismail Qemalit, Myvedet Vlora, ka pasur dy vajza: Belkis dhe e dyta Sara Blloshmi. Belkiz është nëna e Nermin Vlora-Falaskit, që ka vdekur në Bogota të Kolumbisë, ku i shoqi i Nerminit, Renzo Falaschi ishte ambasador i Italisë. Aktualisht janë shuar Nermini dhe Renzo dhe prehen në Kaninë).

Argumenti XII: Të dhënat familjare që janë dokumentuar në Akademinë “Iliria” në Romë provojnë për një fakt tjetër domethënës është se: “Katër shqiptarë kanë udhëtuar me tren drejt Periuxhias më 24.1.1919 dhe kanë bujtur në hotelin përballë hotelit ‘Burfanit’, kanë paguar kafexhiun e hotel ‘Brufanit’, i cili ka hedhur helmin në kafe”. Është fakt se katër shqiptarë kanë qëndruar për pesë orë në një hotel përballë hotel “Brufanit” në Peruxhia ditën e vdekjes së Ismail Qemalit. Historiani Bardhosh Gaçe, por edhe familjarët e Ismail Qemalit që kanë mbështetur në kërkime profesor Gaçen janë të bindur se Ismail Qemalin e kanë helmuar. Por, edhe një fakt tjetër që Ismail Qemali ishte një figurë e gjallë e diplomacisë shqiptare vërtetohet, sepse në vitin 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të ShBA-së, e kishte caktuar delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris. Dokumentacioni thotë se pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i jepte të drejtë kërkesave legjitime të shqiptarëve shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit!”.

Argumenti XIII: Nga analiza e zhvillimeve shqiptare edhe pse është anakronike, armiq të rrezikshëm të Ismail Qemalit ishin dhe shpura e kushëririt të tij Syrja bej Vlora, kushëri i dytë i babait të Eqrem Vlorës, rivalë në pushtet dhe pasuri. Syrja Vlora ishte investuar edhe ai për pavarësinë e Shqipërisë, por në fakt dëshmoi në “medaljen e meritës së Pavarsisë” dhe e realizoi Ismail Vlora dhe kjo ishte një arsye e madhe për të qenë kundërshtarë deri në armiqësi, në marrëdhënie të çuditshme, që duket edhe në kujtimet e Eqrem bej Vlorës, që kushdo e kupton formatin “trimëror” në “mbrojtje” të Himarës dhe mungesën në momentin historik të shpalljes së Pavarësisë, por që argumenti nuk mund të shkojë deri tek pasja gisht në eliminim. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kundërshtarin tjetër të Ismail Qemalit që ishte Faik Konica, që me shkrime ja dëshironte “vdekjen e tij”, por sërish nuk vërtetohet nga analiza dora e tij.

Argumenti XIV: Në vijim të analizës dhe tezave argumentuese për helmim të Ismail Qemalit, diplomati italian Renzo Fallaschi, bashkëshorti i Nermin Vlora Falaskit, përjashton çdo “mundësi helmimi nga organet e sigurimit Italian”. Në jetëshkrimin që ai ka hartuar për Ismail Qemalin, si shtojcë në vëllimin e kujtimeve që ka diktuar vetë Plaku i Vlorës, ai pranon se “shkaku i vdekjes së Ismail Qemalit ishte një hemorragji cerebrale e shkaktuar nga një vrull i furishëm zemërimi, i krijuar tek ai nga njohja e papritur e një lajmi, që ai kishte qenë viktimë e një mashtrimi të rëndë” … “…mbetet mister shkaku i emocionit që e shpërtheu zemërimin e tij e që sigurisht lidhet me thirrjen përbuzëse për ‘njerëzit e pabesë’”. Rrethanat e përjashtojnë që Ismail Qemali t‘i drejtohej për pabesi Orlandos. Sipas tij, mosardhja e përgjigjes nga Orlandoja nuk mund të ishte arsyeja e zemërimit të Plakut të Vlorës, mbasi dihej se kryeministri italian do të shkonte në Paris, pra nuk kishte kohë të takohej me të. Ai shton se edhe ministri i Jashtëm italian, Sonnino, nuk kishte mundësi t‘i përgjigjej, pasi edhe ai u nis për në Paris për përgatitjen e Konferencës së Paqes. Prandaj, shkaku i zemërimit të thellë duhej kërkuar gjetkë, ndoshta në “një pabesi të re nga kundërshtarë të vjetër”. Renzo Fallaschi shkruan: “Ismail Qemali mund të ketë zbuluar një pabesi të re nga kundërshtarët e tij të vjetër, gjë që zemra e tij fisnike të mos e ketë përballuar dot”.

Argumenti XV: Një “dozë” helmi Ismail Qemali e kishte edhe nga politika italiane e kohës: “Ndalesa me urdhër qeveritar në Peruxhia”, “refuzimi i takimit të tij me ministrin e Jashtëm Italian Sonino”, “shpërfillja që i bëri Kryeministri i Italisë Orlando, i cili nuk iu përgjigj kërkesës së Ismail Qemalit”, “udhëtimi i tyre për në Paris pa e njoftuar diplomatin shqiptar” dhe sedra e Ismail Qemalit “për besëprerët” si dhe vdekja e papritur, pa u ankuar për shqetësime shëndetësore. “Doza e helmit nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit, ku e prisnin mbi njëqind gazetarë e fotoreporterë, e sprapsi Ismail Qemalin nga misioni i tij për Shqipërinë”, sikurse shkruante Skënder Luarasi. Në mënyrë të çuditshme në kancelaritë diplomatike, pati një sensibilizim të veçantë, për jehonën e madhe që pati vdekja e Ismail Qemalit dhe pala italiane me justifikimin që ai kishte vdekur në vendin e tyre, “e nderoi”, e “balsamosi” dhe e mbajti plot dy javë trupin e pa jetë të Ismail Qemalit në Peruxhia, ku ai ishte shuar në mënyrë tragjike.

Argumenti XVI: Helmimi me kafe ose ndonjë mister tjetër i humbjes së jetës së Atit të kombit mund të lidhet edhe me gjendjen emocionale të dërmuar të Ismail Qemalit, pasi sipas profesor Gaçes ndikohej fort edhe nga vdekja e gruas së Ismail Qemalit dhe sëmundja që përjetonte djali i tij i madh Mahmud Bej Vlora, i cili kishte ngelur në Stamboll dhe po përjetonte përvec sëmundjes së rëndë edhe torturat që i bënte sulltanati që përjetonte ditët e fundit të Osmanizmit.

Argumenti XVII: Ismail Qemalit armiqtë e tij “ja kishin bërë benë” dhe në jetën e tij ka pasur disa herë tentativa për ta eliminuar. Por, ai në misionin e tij për Shqipërinë, për pavarësinë dhe më tej për rikonfirmimin e saj luftoi deri në frymën e fundit si burrë. Njësoj si ish-presidenti amerikan Abraham Lincoln, që përpara se ta vrisnin kishte thënë: “Nëse vritem, vdes një herë; por të jetosh nën tmerrin e vazhdueshëm të saj, është të vdesësh pa pushim”. Rasti i parë që u tentua për ta vrarë Ismail Qemali më 7.9.1901 kur sulltani kishte kërkuar kokën e tij si mik i Mithat Pashës, por u ndihmua nga ambasadori anglez në Stamboll, N.O.Konor, i cili e nxori Ismail Qemalin familjarisht nga Stambolli. Herën e dytë Gani Toptani (truprojë dhe agjent i Sulltanit), që ishte i vëllai i Esad Toptanit, i përlyer në vrasje me porosi direkte, por miqtë e Ismail bej Vlorës e njoftuan në kohë për “misionin e Gani Toptanit për ta vrarë” dhe në fakt në vend që ta vriste e vranë vrasësin. Ismail Qemali është një nga 30 politikanët shqiptarë me emër që janë vrarë. Dhe, ndërmjet tyre përmendim: Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Avdyl Ypin, Esad Toptanin, Avni Rustemin, Jusuf Dibrën (ish-ministër i Luftës), Qazim Koculin, Idhomene Kosturin, Kostaq Kotten, Xhelal Koprënckën, Preng Bibë Dodën, Mark Gjon Markajn, Lefter Kosovën, Nako Spiron, Mehmet Shehu, e deri tek Azem Hajdari dhe Fatmir Xhindi etj. Nuk është e rastit thënia profetike e At Zef Pllumi-t: “Nëse je politikan në Shqipëri, një këmbë e ke në varr dhe një këmbë e ke në burg”.

Artikulli paraprakGënjeshtra për Bashën vrapoi së bashku me Ramën, Berishën, Metën, por e vërteta triumfoi!
Artikulli tjetër“Duam të bëhet reforma zgjedhore”/ Edvin Kulluri: PD ka kërkuar nisjen e punës, salla në komision u shndërrua në një arenë boksi