FC Kamza synon ngjitjen e menjëhershme në Superligë

Ekipi i Kamzës në futboll do të jetë një ekip me objektiva madhorë në sezonin futbollistik 2016-2017. Këto ditë, më saktë më 11 korrik, do të fillojnë përgatitjet e ekipit për fillimin e sezonit të ri. Po punohet fuqishëm për ndërtimin e një skuadre me synim fitimin e titullit të Kategorisë së Parë dhe ngjitjen e menjëhershme në Superligë. Për këta objektiva të arritshëm, skuadra e Kamzës po zhvillon një merkato të fuqishme. Kryebashkiaku Xhelal Mziu mblodhi sot në një takim presidentin e ekipit të FC Kamza, z. Naim Qarri, trajnerin aktual, Bledar Devolli, si dhe shefin e klubit, Albert Bana. Në këtë takim ata vendosën objektivat për sezonin e ri 2016-2017. Duke parë punën e shkëlqyer dhe shumë serioze që ka bërë trajneri aktual Devolli që nga muaji janar e deri më tani, kreu i Bashkisë ka qenë i kënaqur, duke i dhënë besimin që edhe për këtë sezon do të jetë ai timonieri që do të drejtojë ekipin.
Mziu u ka bërë të ditur mbështetjen e pakursyer të tij për ekipin si dhe i ka garantuar që do të zhvillojnë një merkato të fuqishme, me synim ndërtimin e një ekipi konkurrues dhe ngjitjen e ekipit menjëherë në Superligë. Për këtë synim kryebashkiaku Mziu së bashku me presidentin Qarri janë në negociata me 7-8 lojtarë cilësorë dhe me përvojë. Bëhet e ditur se janë arritur marrëveshje me 6 prej këtyre futbollistëve, lojtarë të cilët do ta ndihmojnë ekipin që të ngjitet menjëherë në nivelet e larta të futbollit në Shqipëri. Siç e pohoi edhe trajneri Bledar Devolli, objektivi i ekipit është të ruajë boshtin e ekipit që kishte vjet, por bashkëngjitja e këtyre futbollistëve të rinj do ta ndihmonte skuadrën edhe më shumë që të zhvillojë një kampionat të shkëlqyer.
Edhe drejtuesit e Kamzës po bëjnë punë të shkëlqyer në përzgjedhjen e lojtarëve që do të jenë pjesë e skuadrës gjatë sezonit 2016-2017. Sa i përket përzgjedhjes së futbollistëve, sipas përfaqësuesve të ekipit të Kamzës, do të bëhet prej një stafi profesionistësh, i krijuar në bazën e një programi të përbashkët të kryebashkiakut Mziu së bashku me presidentin Qarri. Objektivat për këtë sezon janë shumë të arritshëm, duke parë edhe mbështetjen që do të ketë skuadra nga kryebashkiaku Mziu, i cili do të ndërtojë një ekip konkurrues me ekipet e tjera të Kategorisë së Parë. Bashkëpunimi Mziu me presidentin Qarri edhe më parë ka dhënë frytet e veta, ku së bashku ngjitën skuadrën e Kamzës mes ekipeve më të mira të elitës në futbollin shqiptar, në Superligë.

Exit mobile version