Ditën e hapjes së fushatës elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, Edi Rama nuk bëri asnjë përpjekje për të sjellë një narrativë të re, një vetëreflektim të thellë pas më shumë se një dekade në pushtet, apo një projekt të besueshëm për të ardhmen. Në vend të kësaj, ai zgjodhi të përsërisë një slogan që e ka konsumuar prej kokësh se vetëm Partia Socialiste, vetëm ai vetë, mund ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian.
Ky pretendim, i përsëritur me vetëbesim të sforcuar dhe të ndihmuar nga spektakli mediatik në sheshin Skënderbej, përbën jo vetëm një keqpërdorim të një aspirate të përbashkët kombëtare, por edhe një formë të rafinuar manipulimi elektoral që bie ndesh me çdo logjikë politike dhe diplomatike që e karakterizon procesin e integrimit evropian.
Në thelb, Rama po përpiqet ta shesë integrimin si një pronë private politike, të kontrolluar nga partia e tij, duke shndërruar një proces të kompleks, shumëpalësh dhe të ndikuar nga reforma të thella të brendshme, në një mjet për të legjitimuar pushtetin e tij personal, ku çështja varet ekskluzivisht nga autoriteti dhe mundësitë e tij.
Por integrimi në BE nuk është një sport individual dhe as garë me vetëm një lojtar ku Rama e sheh vetën në vend të trajnerit dhe ministrat e tij yjet e futbollit brazilianë.
Integrimi është një projekt kombëtar, që kërkon përfshirjen dhe kontributin e të gjitha palëve, pozitë, opozitë, institucione të pavarura, shoqëri civile, media, dhe mbi të gjitha qytetarët. Shqipëria nuk do të anëtarësohet në BE sepse një lider e premtoi me flamur në dorë, por sepse shteti do të funksionojë si një demokraci me standarde evropiane. Dhe këtu qëndron paradoksi më i madh i kësaj fushate: Rama thotë se është garant i integrimit, ndërkohë që realiteti i qeverisjes së tij është gjithnjë e më larg modelit evropian.
Për të kuptuar se sa i pashëndoshë është ky pretendim, mjafton të shohim qëndrimin e vetë Evropës. Pas zgjedhjeve të fundit në Gjermani, kancelari Friedrich Merz, një konservator klasik dhe mbështetës i një BE-je më funksionale, ka deklaruar se zgjerimi nuk mund të ndodhë pa reformë të brendshme institucionale. Ai ka theksuar se BE nuk është më në gjendje të përballojë anëtarë të rinj pa ndryshuar mënyrën se si vendos, si funksionon nga ana e buxhetit dhe si i menaxhon politikat e jashtme. Në këtë kuptim, asnjë lider në Ballkan nuk mund të premtojë anëtarësimin si një garanci politike të vetën, thjesht sepse ky vendim nuk i përket atij. Varet nga 27 shtete anëtare, varet nga konsensusi i Brukselit dhe i kryeqyteteve të tjera, varet nga gatishmëria e BE-së për të përballuar vetveten, përpara se të përballojë të tjerët.
Këtu bie poshtë retorika e Ramës. Ajo nuk përputhet me realitetin ndërkombëtar, por është ndërtuar për konsum të brendshëm elektoral, për të përforcuar idenë se çdo votë që nuk shkon për PS-në është votë kundër integrimit.
Kjo logjikë është jo vetëm e gabuar, por thellësisht e rrezikshme: ajo përjashton, përçan, dhe minon vetë konsensusin kombëtar që është i nevojshëm për të përmbushur kushtet që BE vendos. Në vend që të ndërtojë një aleancë të gjerë për Evropën, Rama ndërton një rrjet luajaliteti rreth partisë së tij, ku çdo institucion shtetëror është zgjatim i pushtetit ekzekutiv dhe ku asnjë aktor jashtë këtij rrethi nuk shihet si bashkëpunëtor, por si pengesë.
Dhe ja ku vjen pika më thelbësore për këtë fushatë: Edi Rama nuk po e afron Shqipërinë me BE-në, përkundrazi, po e largon në mënyrë strukturale, sepse po krijon një realitet politik që nuk i përngjan më asnjë modeli europian. BE nuk është vetëm një treg apo një biletë udhëtimi diplomatike. Është një mënyrë e të qeverisurit. Ajo kërkon pluralizëm të vërtetë, drejtësi të pavarur, media të lirë, zgjedhje konkurruese dhe institucione që i qëndrojnë përballë pushtetit, jo që e shërbejnë atë. Sot Shqipëria është më pak demokratike se në vitin 2013, me më pak opozitë reale, me drejtësi të kapur nga emërime politike, me një administratë publike që punon për partinë dhe jo për qytetarin, dhe me një Parlament që ka më shumë përfaqësues të PS-së sesa pikëpyetje nga populli.
Kjo është Shqipëria që Rama premton se do ta çojë në BE. Por problemi është se Evropa nuk e njeh këtë Shqipëri si të vetën. Nuk e njeh një vend ku partitë opozitare përjashtohen nga çdo proces politik. Nuk e njeh një vend ku zgjedhjet fitohen pa garë. Nuk e njeh një vend ku shërbimet publike janë monedhë për besnikëri politike. Në vend që ta afrojë Shqipërinë me Europën, Rama ka krijuar një formë teknokratike të izolimit, ku vendi mund të flasë për Europën, por të mos funksionojë kurrë sipas parimeve të saj.
Kjo është arsyeja pse premtimi “Vetëm ne e çojmë Shqipërinë në BE” është jo vetëm një gënjeshtër e madhe, por një pengesë për vetë procesin. Sepse, për ironi, sa më shumë që Rama mbështet idenë se ai është i pazëvendësueshëm në këtë rrugë, aq më shumë BE kupton se Shqipëria ka një problem me funksionimin e demokracisë dhe kjo është arsyeja pse rruga drejt anëtarësimit bëhet më e largët, jo më e afërt. E vërteta është se asnjë lider nuk çon një vend në BE. Por një vend shkon në BE vetëm kur liderët e tij e lënë atë të funksionojë i lirë, demokratik dhe europian brenda vetes. Dhe sa kohë që kjo nuk ndodh, Shqipëria e Ramës nuk ka rrugë drejt Brukselit jo sepse s’e do, por sepse nuk i ngjan më.