11 miliardë lekë për servisin e makinave

Armand MAHO

Viti që lamë pas ishte i vështirë për shqiptarët… Rilindja u lëshua me të gjitha bateritë e saj, për t’u rrëmbyer dhe qindarkën e fundit me energjinë, taksat, papunësinë, rritjen e çmimeve për mallrat baza të jetesës, ilaçeve, shëndetësinë. Vit pas viti ata ndjehen më të varfër, ndërsa detyrohen në ekranet e tyre të TV-ve, (të vëna përulësisht në shërbim të pushtetit) propagandën false që drejtohet nga koka e madhe e karvanit të Rilindjes, nën dirigjimin e Fugës së vogël. Të premten lideri global pati një takim me nxënësit e programit PISA në arsim ku mes të tjerave, para adoleshentëve 15-vjeçarë mbrojti iniciativën e tij të çmendur për restaurimin e fasadave në të gjithë vendin. Sipas tij, kjo inisiativë ka të bëjë me progresin dhe mirëqenien që duhet të reflektojmë. Por cilën mirëqenie! Atë të 11 të vdekurve nga i ftohti në ditët e para të këtij viti, apo i dhjetëra të tjerëve që varën veten, pasi panë faturat e energjisë?!. Në cilin vend të botës përveç atyre diktatoriale dhe despotike anashkalohet varfëria për t’u shpenzuar në fasada që japin një realitet të rremë?! Në cilin shtet të botës ndodh që të zgjedhurit të notojnë mes luksit, të harxhojnë si të harbuar fondet publike për udhëtime jashtë vendit dhe luks zyrash dhe fëmijët të lihen të vdesin spitaleve!. Në cilin vend të botës ndodh që kryeministri të mos i dridhet qerpiku teksa kundron dorën e zgjatur të një fëmije që lyp çdo ditë para makinës së tij? Në cilin vend të botës ndodh që në fabrikat që janë nën kontroll të shtetit të mbeten nën zinxhirët e traktorëve minorenë që punojnë orëve të natës për një krodhe bukë? Askund, përveç se në vendet ku të zgjedhurit kanë një axhendë të qartë për vjedhjen e fondeve publike, askush përveç se në vendin ku drejton emri Rilindje dhe simotrat e saj…

Ku shkuan 200 miliardë lekët?

Gazeta “Rilindja Demokratike”, në vazhdimësi ka denoncuar shpenzimet e marrosura të kokës së karvanit për luks personal, ku në vitin 2017 ka parashikuar të shpenzojë rreth 30 milionë euro. Ose idetë e tij të çmendura për atë që ai e quan “Rilindje Urbane” që s’janë gjë tjetër vetëm se vjedhje fondesh, duke imituar veprimet abuzive në kohën, kur ishte ministër i Kulturës. Marrëzia e tij e bojatisjes na ka kushtuar deri më tani 283 miliardë lekë. Por protali Syri.net shkon dhe më tej. Sipas këtij portali, në vitin që shkoi Rilindja ka shpenzuar rreth 160 milionë dollarë apo 200 miliardë lekë për rikonstruksione zyrash dhe servise makinash. Një shumë e çmendur kjo që nëse do ishte investuar në zbutjen e varfërisë, sot jo vetëm ata persona që vdiqën nga i ftohti do të ishin gjallë, por me dhjetëra mijëra e mijëra të tjerë në të gjithë vendin që vuajnë për ushqimin e përditshëm do të bënin një jetë normale. Sipas asaj çka raportuar portali vetëm për rikonstruksion dhe supervizim ndërtesash janë harxhuar më shumë se 110 miliardë lekë… Për zërin orendi dhe mobilim janë shpenzuar 28 miliardë lekë, për karburant 22 miliardë lekë dhe për servis automjetesh 11 miliardë lekë. Por në përmasa të frikshmë është harxhuar dhe për shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë, ku natyrisht koka e karvanit mban vendin e parë, plot 26 miliardë lekë. Më tej, lista vazhdon me zërin kancelari, ku janë shpenzuar më shumë se 536 milionë lekë, duke e rrumbullakosur shifrën në më shumë se 2016 miliardë lekë. Një shifër që do e kishin zili dhe administrata që drejtojnë një popullsi dhjetëfish më të madhe se e jona. Sipas kësaj përllogaritje çdo qytetari shqiptar (edhe ata që kanë lindur në 1 janarin e vitit të shkuar) në vitin 2016 i ka rënë të paguajë rreth 70 mijë lekë të vjetra taksë vetëm për luksin e kryeministrit dhe administratës së tij.

Zyrat e shtetit në streha për të vjedhur

Shumë shpesh qytetarët pyesin se ku i çon paratë Rilindja?! Në tre vjet s’është parë të shtrohet një metër rrugë… U desh shitja e INSIG që të siguroheshin 25 milionë dollarë për të shtruar rreth 200 metra rrugë të mbetura nga “Komuna e Parisit” deri në hyrje të unazës së re tek Fabrika e Bukës. Në këto tre vjet, kryeministri s’ka bërë gjë tjetër vetëm se është ankuar si ai fëmija grindavec. Por duket se paratë paskan qenë dhe shqiptarët paskan paguar dhe jo pak. Shumës 200 miliardë të sipërpërmendura për 2016 po t’i shtojmë dhe 283 miliardë për fasada në dy vitet e fundit shkon në 483 miliardë ose më shumë se 360 milionë euro. Pra e gjithë kjo shumë ka shkuar për bojëra dhe shpenzime qeveritare. Kësaj shume nuk i kemi shtuar vjedhjet dhe batërdinë që është bërë në Ministrinë e Shëndetësisë, Energjitikë, Ekonomi etj., me PPP e famshme. Jemi përpara një fakti tronditës, se si një qeveri shpërdoron besimin që i është dhënë për të menaxhuar taksat e një shoqërie. Jemi përpara faktit se si një klan, një establishment i ka kthyer zyrat e shtetit, në kuvli ku nuk punohet, por hartohen plane ditë pas dite e vit pas viti se si t’u rrëmbehet gjithçka qytetarëve të saj, si të rrëmbehet çdo resurs nga pasuria e përbashkët e shqiptarëve, duke përdorur forcën e pushtetit. Mjafton të shohësh hallexhinjtë, fakirët e humbamenot që mbledh në çdo takim për ta kuptuar. Aty do vëresh se pas batutave që s’bëjnë për të qeshur as fëmijët e kopshtit, pas teatrit duke goditur ballin apo bërrylat, pas gajasjes histerike nën dirigjimin e regjisorëve të Kryeministrisë, fshihet realiteti i dhimbshëm i një kombi. Fshihet një megavjedhje në kurriz të tij, fshihet vjedhja e të ardhmes së fëmijëve të tij. Një vjedhje, e cila tenton të reklamohet si sukses nën shprehjen që koka e karvanit e ka fort për zemër “po bëjmë shtet”. Në fakt shteti funksionon, por për Vilmën, Beqjen, Ahmetajn, Gjiknurin, Milvën shitësin e fiqve, dhe të gjithë sojin që ai me kujdes është munduar t’i përzgjedhë nga fondacionet ushunjëza që e sollën në pushtet. Deri më 18 qershor, kur gjethet e shtetit që ai ka ndërtuar të bien dhe të mbetet cullak, ashtu sikur shullehej brigjeve të Francës dikur në rininë e tij.

Shifrat e çmendura 2016

Për zërin orendi dhe mobilim janë shpenzuar 28 miliardë lekë

Për karburant 22 miliardë lekë

Për servis automjetesh 11 miliardë lekë

Janë shpenzuar më shumë se 536 milionë lekë për kancelari

283 miliardë lekë për fasada në dy vitet e fundit

Exit mobile version