11 vjet më parë!

Një mbrëmje fantastike, një ndeshje në kufijtë e legjendës, një himn për futbollin dhe magjinë që vetëm ai mund ta dhurojë. “Kishim një plan, por pastaj pësuam dy gola dhe planin na u desh ta hidhnim në koshin e plehrave”. Jurgen Klopp shpjegon kështu atë mbrëmje epike, atë që gjithë bota do ta kujtojë për përmbysjen e çmendur 4-2 të Liverpulit të tij, kundër Dortmundit të tij të vjetër.
Origi që i dha jetë përmbysjes me të parin e katër golave e shpjegon në një tjetër mënyrë. “Në pushimin e ndeshjes Klop na tha të luanim një ndeshje që do të mund t’ua tregonim fëmijëve dhe nipërve tanë”.
Dhe lojtarët e dëgjuan. “The Sun” dilte në shitje me këtë titull “Stambolli II”. Referimi për finalen e Championsit të 2005 kundër Milanit, kur “The Reds” triumfuan nga pika e bardhë e penalltive, pasi ishin në disavantazh 3-0 në fundin e pjesës së parë është i qartë.
Klopp është heroi i momentit, në rrjetet sociale simpatia për të është plebishitare, një njeri që i dhuroi futbollit një përrallë për t’u treguar. Ai e shijon në mënyrën e tij, si gjithmonë duke i lënë me gojë hapur gazetarët. “Më pranë triumfit dhe Championsit? Ju lutem mos më bëni këto pyetje koti”.
Klopp kishte dëshirë që thjesht të fliste për mrekullinë e djemve të tij. “Ishte diçka speciale. Sjellja e skuadrës time ishte fantastike. Ka ditë të vështira dhe të lehta. Në ato të lehtat të gjithë mund të fitojnë, në ato të komplikuarat është e vështira. Duhej të bënim 3 gola, ishte diçka që dukej jashtë logjikës, diçka e pamundur. Por unë ja kisha thënë skuadrës time, tifozët na mbështetën, e bënë dhe në Stamboll kur ndryshuan rrjedhën e ndeshjes”.
Edhe Klopp kujton mbrëmjen magjike të ‘’The Reds”, 11 vjet më parë. Të gjithë të çmendur, për Klopp dhe natyrisht, për Liverpulin. Pepe Reina këtë herë nuk irriton askënd, nëse përdor një fjalë jo dhe aq etike për të përshkruar golin e 4-3 të Lovren. Xabi Alonso, mes protagonistëve të mëdhenj të përmbysjes në finalen e Championsit me Milanin, zgjedh një foto me mbishkrimin. “Ky është Anfield”. Nuk ka nevojë për të shtuar diçka tjetër. Kjo ishte vërtet një festë e futbollit.
Emocione të pabesueshme, 7 gola, një fund përrallash për Liverpoolin dhe një mankth për Borussian e Dortmundit që i jep lamtumirën Europa League në një ndeshje të çmendur të luajtur në “Anffield Road”. “The Reds” nuk e braktisën asnjëherë shpresën ashtu siç tifozët e pranishëm në stadium nuk e braktisën asnjëherë skuadrën për të regjistruar një nga fitoret më të pabesueshme që futbolli dhuron. 4-3 e mbylli 90 minutëshin e dytë skuadra e Jurgen Klopp që besoi deri në fund te kualifikimi edhe pse në pjesën më të madhe të kohës u detyrua të luante në ndjekje të kundërshtarëve me 2 gola disavantazh.

Exit mobile version