1100 familjeve u hiqet ndihma ekonomike se kishin televizor

Nga tremujori në tremujor numri i familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike vijon të rrudhet. Sipas të dhënave nga INSTAT në tremujorin e dytë të vitit dolën nga skema e ndihmës 1100 familje. Fondet më të mëdha dhe numri i më i madh i familjeve që përfituan janë nga Qarku i Dibrës dhe i Elbasanit.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike është 79.638 familje, nga të cilat 40.649 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 38.989 familje me ndihmë ekonomike të plotë.
INSTAT vëren se, numri mesatar i familjeve që përftuan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të dytë 2016 është ulur me 1,4% krahasuar me tremujorin e parë 2016. Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike (19,7 % të të gjitha familjeve në skemë në rang vendi), të cilat përfitojnë ndihmën ekonomike. Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe (30,3%) në numrin e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, 50,2% e të cilave përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë.
Ndihma ekonomike është një ndihmë në para për familjet e varfra dhe shpërndahet çdo muaj. Ajo mund të jetë e pjesshme ose e plotë, në varësi të të ardhurave të familjes. Në qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan është duke u zbatuar projekti i Modernizimit të Ndihmës Ekonomike, i cili ka për qëllim rritjen e shënjestrimit dhe përfshirjes së familjeve në nevojë. Risitë kryesore të projektit lidhen me përdorimin e teknologjisë së informacionit nëpërmjet ngritjes së Regjistrit Elektronik të Ndihmës Ekonomike dhe përdorimin e formulës së pikëzuar për përzgjedhjen e përfituesve.
Implementimi i këtyre dy instrumenteve të reja është bërë me asistencën teknike të Bankës Botërore. Regjistri Elektronik i Ndihmës Ekonomike lidh në rrjet njësitë e pushtetit lokal, Shërbimin Social Shtetëror, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe institucionet të tjera si Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, si dhe institucione të tjera që zotërojnë informacionin e nevojshëm për vlerësimin ekonomik, demografik dhe social të aplikuesve.
Aplikimi për ndihmë ekonomike në qarqet e pilotuara bëhet vetëm nëpërmjet regjistrit elektronik. Mbas mbarimit të afateve për dorëzimin e aplikimeve, bëhet verifikimi i kryqëzuar i dokumentacionit të paraqitur dhe informacionit të dhënë nga aplikuesit. Familjet në nevojë që rezultojnë me dokumentacion dhe informacion të rregullt vlerësohen nëpërmjet formulës së pikëzuar, e cila rendit në listë familjet në nevojë të përzgjedhura për përfitimin e ndihmës ekonomike.

Exit mobile version