Milionat që Rama i jep Sadriut në një vit, çdo familje dibrane mund të merrte pagesë papunësie
12 miliardë lekë ka marrë Sadri Abazi, i favorizuar nga ministritë e bashkitë e Edi Ramës, ndërkohë që ofertat e tjera të skualifikuara merrnin përsipër t’i kryenin punimet me 11 miliardë lekë. Partia Demokratike denoncoi të dhëna të tjera dje në lidhje me tenderat abuzivë të fituar nga Sadri Abazi nga bashkitë e ministritë. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, denoncoi me shifra reale vjedhjet dhe zhvatjen e parave publike nga Abazi.
Ajo theksoi se, me këto miliarda para që i janë dhënë Sadriut mund të ishin investuar shumë të mira e shërbime për qytetarët e Dibrës.
“Fatura e korrupsionit të Edi Ramës vetëm me tenderat që i jep Sadri Abazit për një vit është sa pensioni në qytet për 7055 persona, pensioni në fshat për 12 832 persona, sa 4811 paga minimale, është pagesa e papunësisë për 15 453 persona.
Eshtë pra njësoj sikur çdo familje dibrane të marrë 68 mijë e 500 lekë në muaj pagesë papunësie, por që nuk i marrin, sepse i ndan Rama me Sadriun. Prej tre vitesh, me këtë skemë, pasuritë e buxheti i vendit shkojnë për Edi Ramën e kusarët e tij, për popullin mbetet varfëria, burgu ose emigracioni”, tha Zhupa.
“Konkretisht; Edi Rama i ka dhënë oligarkut të tij, Sadri dhjetra tendera për një vit dhe ka pranuar ofertën e tij më të lartë në çdo rast. 12 miliardë lekë ka marrë Sadriu nga ministritë e bashkitë e Edi Ramës, ndërkohë që ofertat e tjera të skualifikuara merrnin përsipër t’i kryenin punimet me 11 miliardë lekë. 1 miliard lekë është diferenca, është fatura e korrupsionit të Edi Ramës. 1 miliard lekë që vidhen ende pa filluar punimet, para që do të kishin përmirësuar jetën e mijëra qytetarëve, siç edhe i kemi renditur në tabelë. 1 miliard lekë Edi Rama mund t’i kishte kursyer, duke lejuar garën e konkurencën”, tha Zhupa.
Zhupa tha se, prioriteti dhe zgjedhja e Ramës, është ndarja e parave të shqiptarëve me Sadriun.
“Këto para mund të shkonin për zbutjen e varfërisë e krijimin e vendeve të punës. Po nuk është ky prioriteti i Edi Ramës. Nuk janë qytetarët zgjedhja e tij. Që Sadriu më pas të blejë vota. Që pushteti të mbahet me çdo kusht. Ky sundim i korruptuar e kriminal është në ditët e fundit. Qytetarët nuk do të mbajnë më në kurriz Edi Ramën me oligarkët e tij. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”, tha Zhupa.
Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme. Një ndërtim 6-katësh i paligjshëm tek “Zogu i Zi” ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa. Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qejfit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshëm përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi.
Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën. Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.