12 propozimet e PD për Reformën Zgjedhore

Votim dhe numërim elektronik i votave

Partia Demokratike prezantoi në Komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore platformën e saj për amendimin e Kodit Zgjedhor. Bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi tha se identifikimi biometrik i zgjedhësve, votimi dhe numërimi elektronik, qëndrojnë në krye të kërkesave.
“Të ecim përpara në futjen e identifikimit të zgjedhësve, votimit elektronik dhe tabulimit, nxjerrjes së rezultatit pa patur nevojën e numërimeve të fletëve të votimit në qendrat e përqendruara”, tha Bylykbashi. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, propozi që votimi dhe numërimi elektronik të miratohen të parat në Kod për t’i dhënë mundësi përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, kundrejt propozimit të Finos për dy variante votimi, që të mos rrezikohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke kërkuar që reforma të mos jetë një proces skematik, Bylykbashi propozoi votim dhe numërim elektronik.
“Duhet të sigurohet largimi i individëve kriminalë nga strukturat zgjedhore. Sfida kryesore duhet të jetë përdorimi i teknologjive, të bëhet identifikim biometrik për zgjedhësit dhe kjo është e mundur. Të bëhet votim dhe numërim elektronik. Kjo i jep fund votimit të personave më shumë se një herë. Me këtë shmanget keqpërdorimi i kartës së identitetit që është kthyer në faktor të madh risku. Identifikimi biometrik heq këtë mundësi. Fleta e votimit të jetë e administrueshme, askush të mos numërojë një fletë votimi të një subjekti për një tjetër, të gjitha këto janë të mundshme”.
Duke u ndalur tek fushata zgjedhore, Bylykbashi tha: “Shpenzojmë shumë para në procesin zgjedhor, të kufizohen me ligj shpenzimet e panevojshme e këtu fushatat janë më të shtrenjta se në SHBA. Të ndalen paratë e dyshimta në fushatë, pasi ka më shumë se sa deklarohen”.
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu propozi që Kodi ta ndalojë dhe trafikimin e deputetëve. “Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të jetë Kuvendi i gjithë pazareve të gjësë së gjallë. Shtrembërimi i vullnetit qytetar duke ndryshuar kahet politike pa asnjë qëllim politik, por thjesht për pazar duhet të jetë një fenomen që ne duhet ta frenojmë”, tha Mediu. Votimi dhe numërimi elektronik sipas Partisë Demokratike do të mundësonte standarde në zgjedhjet e ardhshme në procesin e numërimit dhe votimit, si dhe uljen e kostove të zgjedhjeve.

Propozimet e PD

1.    Dekriminalizimi i procesit zgjedhor. Zbatimi i plotë i ligjit të dekriminalizimit,  në germë dhe frymë është kyç për një proces zgjedhor të besueshëm dhe të pranueshëm. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit duhet të sigurojë që asnjë kandidat me rekorde kriminale të mund të marrë një post të zgjedhur. Po kështu, këta individë nuk duhet të jenë pjesë e procesit zgjedhor dhe fushatës së partive dhe kandidatëve. Kodi Zgjedhor duhet të ndalojë që këta individë të marrin pjesë në administratën zgjedhore të çdo niveli.
Kodi Zgjedhor, në sintoni me Ligjin 138/2015 për dekriminalizimin e institucioneve publike, duhet të shtojë parashikimet për kriteret procedurat, afatet dhe dokumentacionin e nevojshëm në lidhje regjistrimin e kandidatëve për funksionet e zgjedhura me votim të drejtpërdrejtë.
Po kështu, Kodi Zgjedhor duhet të përfshijë parashikime të reja për të parandaluar penetrimin e individëve në çdo nivel të administratës zgjedhore, deri tek niveli i numëruesit.
Duhet parashikuar mundësia që në kodin zgjedhor dhe në ligjin për partitë politike të vendosen ndalime ose pengesa që persona me rekorde kriminale të marrin pozicione drejtuese ose janë anëtarë të organeve kolegjiale drejtuese të partive që kanë përfaqësim parlamentar ose në organet e pushtetit vendor. Duhet të parashikohen procedura verifikimi në përputhje me ato të Ligjit 138/2015. Ligji duhet të parashikojë sanksione të forta financiare përfshirë ndalime nga financimi vjetor apo zgjedhor për partitë që mbajnë në fuksionet e përcaktuara nga ligji persona me rekorde kriminale.
KQZ duhet të hartojë pa vonesë aktet e nevojshme nënligjore në përputhje me Ligjin 138/2015 dhe ndryshime të tjera ligjore në lidhje me dekriminalizimin e procesit zgjedhor.

2.    Përdorimi i teknologjive në votim. Partia Demokratike kërkon futjen e teknologjive në votim në vitin 2017, me qëllim identifikimin e sigurtë të votuesve në qendrën e votimit, verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumfishtë në të njëjtën qendër votimi ose në qendra të ndryshme, shmangien e kontrollit të votës (cënimin e lirisë së votës) në mënyrë politike, korruptive apo kriminale, modernizimin dhe përshpejtimin e procesit të votimit, numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit, ndërkohë që sigurohet përdorimi i thjeshtë i teknologjive.
Duhet ngritur një sistem, i cili identifikon zgjedhësin në qendrën e votimit nëpërmjet dokumentit të identitetit dhe të dhënave biometrike, përfshirë shenjën e gishtërinjve. Komunikimi duhet të garantojë në kohë reale të dhënat në bazat shtetërore të të dhënave të gjendjes civile, listës së zgjedhësve, të dokumentave të identitetit dhe shenjave të gishtave. Gjithashtu, sistemi duhet të parashikojë verifikimin nëse zgjedhësi për të cilin po kryhet verifikimi, ka votuar më parë gjatë ditës së votimit në ndonjë QV. Verifikimi i suksesshëm duhet t’i hapë rrugë autorizimit për të votuar.
Qendra e votimit duhet të jetë e pajisur me pajisje elektronike votimi ku zgjedhja e subjektit zgjedhor nga votuesi bëhet në ekranin e pajisjes kompjuterike. Shfaqja e subjekteve në ekran duhet të jetë e qartë dhe e thjeshë për t’u kuptuar dhe zgjedhur. Zgjedhja e kryer në ekran passjell printimin e një flete votimi me karakteristika dixhitale sigurie që garantojnë unicitettin e fletës, votën e shprehur nga votuesi dhe fshehtësinë e saj. Fleta e votimit, përveç barcode apo një kodi të ngjashëm të lexueshëm në mënyrë optike, duhet të përmbajë të shtypur me gërma vetëm emrin e subjektit zgjedhor për të cilin ka votuar zgjedhësi, me qëllim që ky i fundit të ketë mundësi të verifikojë zgjedhjen e bërë.
Fleta e votimit është e lexueshme nga zgjedhësi para se të hidhet në kuti, por nuk mund të merret prej tij. Pajisja mundëson leximin viziv pa pengesë. Konfirmimi i zgjedhësit sjell hedhjen e fletës së votimit në kutinë e votimit, ndërsa vota regjistrohet elektronikisht në memorien e pajisjes së votimit në mënyrë që siguron fshehtësinë e votës. Me qëllim shmangien e shit-blerjes së votës, intimidimin e zgjedhësit dhe ruajtjen e konceptit bazë të votimit, vota e printuar nuk mund të merret fizikisht nga zgjedhësi. Vota e ruajtur në memorien elektronike të pajisjes është e dhëna parësore për hartimin e rezultatit zgjedhor, ndërsa vota e printuar e depozituar në kuti shërben vetëm për qëllime verifikimi dhe auditimi të rezultatit në procesin ankimor. Shkëputja e dy të dhënave me elementë të njëjtë dhixhitalë përbën garanci për bllokimin e çdo tentative për manipulim, transparencë dhe besueshmëri nga zgjedhësi dhe subjektet.
Ky sistem mundëson identifikimin e sigurtë të zgjedhësve, parandalimin e votimit të shumëfishtë apo në emër të zgjedhësve të tjerë, eliminon fenomenin e bllokimit të zgjedhësve nëpërmjet marrjes së dokumentit të identitetit, votimin e sigurtë që ul numrin e fletëve të pavlefshme, eliminim të fenomenit të votimit “karuzel” nëpërmjet nxjerrjes së votës jashtë QV, nxjerrjen e menjëhershme dhe të sigurtë të rezultatit zgjedhor, garantimin e shmangies së ndërhyrjeve nga jashtë në sistem dhe transparencë dhe auditim të plotë e të sigurtë të rezultatit.
Përzgjedhja e teknologjisë duhet bërë në mënyrë që siguron besim tek palët. Teknologjia duhet të garantoje akses të plotë e të papenguar për opozitën tek software dhe hardware i përdorur, procesi të jetë plotësisht i auditueshëm dhe objekt ankimi sipas rastit.
Një element thelbësor është ngritja e një grupi ekspertësh auditimi IT që përfshin detyrimisht ekspertë të partive politike si dhe hartimi dhe miratimi i procedurave transparente, profesionale, efikase të auditimit të software-it dhe hardware-it të sistemit. Këto objektiva duhet të garantojnë akses dhe besim të subjekteve zgjedhore dhe të publikut.
Ligji duhet të jetë i plotë në lidhje me përdorimin e teknologjive në votim. Teknologjia duhet të garantojë identifikim të saktë të zgjedhësve.
Një sistem i tillë gjithashtu, mund t’i hapë rrugë zvogëlimit të administratës zgjedhore, duke reduktuar numrin e komisionerëve, uljen e kostove me rreth 1,6 milionë euro në çdo zgjedhje, thjeshton procesin, rrit besimin në procesin e votimit dhe numërimit e për pasojë mundëson profesionalizimin e komisionerëve nëpërmjet trajnimit në kohë të tyre, edhe kur janë të emëruar politikisht. Një zvogëlim i administratës passjell ulje të kostos së procesit. Ulje të kostos passjell edhe reduktimi i kostove për printimin dhe logjistikën e fletëve të votimit me shumë subjekte. Gjithashtu, ky sistem, për shkak të saktësisë së identifikimit, votimit dhe numërimit, ul numrin e ankimeve zgjedhore duke shkurtuar fazën paszgjedhore.

3.    Financimi i partive dhe fushatës dhe ulja e kostove të politikëbërjes. Pavarësisht përputhjes me standardet e Këshillit të Evropës, korniza ligjore për financimin e partive dhe fushatës zgjedhore duhet rishikuar për të siguruar barazi sipas standardeve ndërkombëtare, mekanizma rigoroz dhe efikasë kontrolli të burimeve të financimit dhe shpenzimeve, me qëllim garantimin e financimit të ligjshëm, të mjaftueshëm dhe transparent. Afatet dhe procedurat e deklarimit dhe verifikimit duhen rishikuar dhe shtrënguar. Përzgjedhja e ekspertëve kontabël duhet të jetë e detyrueshme për ekspertët që përcaktohen për të kryer ekspertimin. Refuzimi për të kryer ekspertimin duhet të përfshijë penalitete të forta.
Partia Demokratike propozon që financimi i partive politike dhe ai për zgjedhjet të jetë 100% nga buxheti i shtetit me qëllim shmangien e financimeve private nga burime të dyshimta. Paralelisht me këtë, propozohet kriminalizimi i financimeve private. Kodi Zgjedhor dhe ligji për partitë politike duhet të përcaktojnë rregulla dhe kritere detyruese për përllogaritjen e vlerës së financimit për njësi (vlerë për një zgjedhës dhe/ose vlerë për mandat përfaqësimi parlamentar), i cili të bëjë të mundur përllogaritjen e shumës që duhet të vejë në dispozicion buxheti i shtetit. Shuma e përllogaritur sipas kritereve duhet të jetë detyruese për t’u vënë në dispozicion sipas ligjit për buxhetin e vitit përkatës.
Kostot indirekte të politikës, përveç kostos së financimit publik, rriten nga pasojat që krijon konflikti i interesit që passjell financimi privat. Për këtë, duhet ashpërsuar korniza ligjore që pengon financimin nga subjekte që kanë përfituar nga fonde publike nëpërmjet tenderash dhe koncensionesh si dhe duhet të ndalohet përfitimi i tenderave apo koncensioneve për një kohë të përcaktuar, nga kompani që kanë financuar partitë politike dhe kandidatët.
Duhet rregulluar në mënyrë strikte përfitimi i donacioneve  në natyrë dhe shërbime apo favore nga partitë politike, kandidatët apo edhe institucionet shtetërore. Lista e donatorëve, shifra e donacionit ose shifra e përllogaritur e një donacioni në natyrë ose shërbime, për institucionet shtetërore duhet bërë publike.
KQZ duhet të krijojë një listë kostosh reference të detyrueshme, për materiale, infrastrukturë apo aktivitete zgjedhore me qëllim matjen e shpenzimeve. KQZ duhet të jetë e autorizuar me ligj që të përllogarisë koston e aktiviteteve zgjedhore si në ambiente të hapura, edhe në ambiente të mbyllura bazuar mbi një listë shpenzimesh tip. Duhet përcaktuar kostoja për tipologji të ndryshme të zyrave elektorale, materialeve të propagandës (postera, billborde, flamuj, banera, etj). Lista e kostove-tip duhet bërë publike nga KQZ. KQZ duhet të përllogarisë shpenzimet e deklaruara sipas kostove të miratuara në rastet kur subjekti politik deklaron shifra më të ulta se kostot referencë.
Me qëllim uljen e kostove të fushatave dhe të politikëbërjes e për rrjedhojë, të ulë sasinë e nevojshme për financim dhe bërjen e këtij financimi të përballueshëm, Kodi Zgjedhor duhet të vendosë kufizime të detajuara për tipologjitë e caktuara të aktiviteteve dhe infrastrukturës së përdorur apo mjeteve të propagandës. Kështu, duhet kufizuar numri i zyrave elektorale në raport me popullsinë apo numrin e qendrave të votimit. Duhet kufizuar numri i billbordeve posterave, banerave apo flamujve të përdorur nga një subjekt. Duhen vendosur kufizime strikte për kohën totale dhe numrin e reklamave zgjedhore për çdo subjekt dhe kostoja e një reklame duhet të përcaktohet ligjërisht dhe të jetë e unifikuar. Në të njëjtën kohë duhen vendosur mekanizma që kostoja e reklamave të mos jetë e pagueshme drejtpërdrejtë, por të jetë e zbritshme nga transmetuesit televizivë dhe radiofonikë nga detyrimet që i kanë shtetit. Duhet të kufizohet numri i aktiviteteve që transmetohen live apo në çdo formë tjetër dhe që përfshin kosto për transmetim mediatik. Në çdo rast, kufizimet duhet të jenë proporcionale dhe nuk duhet të pengojnë zhvillimin dhe mediatizimin efikas të fushatës së një subjekti.
Shpenzimet zgjedhore (jo financimet) duhet të deklarohen periodikisht përpara zgjedhjeve. KQZ duhet të krijojë instrumentat për denoncimin e të dhënave në lidhje me shpenzimet e bëra nga subjektet politike sipas kostove të deklaruara prej tyre apo kostove referencë. Subjektet duhet të kenë detyrimin për të deklaruar periodikisht gjatë fushatës numrin e zyrave zgjedhore, tipologjinë e tyre dhe vendndodhjen përkatëse, numrin e aktiviteteve të kryera, sasinë e materialeve kryesore propagandistike (billborde etj), numrin e reklamave televizive dhe shpenzimet e tjera mediatike për pasqyrimin e fushatës, sondazhet e kryera dhe koston përkatëse. Subjektet duhet të regjistrojnë në KQZ kontratat për konsulencë zgjedhore apo për marrëdhëniet me publikun dhe të deklarojnë kostot përkatëse.
Përveç instrumentave zyrtarë të verifikimit në kohë dhe në vend gjatë fushatës, KQZ duhet të trajtojë me seriozitet denoncimet e bëra nga subjektet politike apo OJF edhe kur ato nuk janë të akredituara si vëzhguese apo denoncimet në media.
Duhet ngritur një sistem i pavarur verifikimi i lëvizjeve financiare të korporatave për një periudhë përpara dhe pas procesit zgjedhor. Subjektet e përfaqësuara në KQZ duhet të kenë mundësi që nëpërmjet audituesve zyrtarë të akredituar nga KQZ, të mbikëqyrin lëvizjet financiare dhe bankare që raportohen në Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Partitë politike duhet të paraqesin raportet e detajuara financiare të financimit dhe shpenzimeve pas procesit zgjedhor në afate të shkurtuara. Subjektet politike duhet të justifikojnë paratë e shpenzuara. Shumat e pashpenzuara nga financimi i marrë, duhet të verifikohen si gjendje në llogaritë bankare të subjekteve. Kontrolli duhet të kryhet i njëjtë për të gjithë subjektet, duke shmangur selektivitetin dhe abuzimin me qëllim ushtrimin e presionit mbi subjekte të caktuara politike.
Ligji duhet të parashikojë sanksione të ashpra, përfshirë sanksione penale për deklarime të pasakta apo të rreme në lidhje financimin dhe shpenzimet politike. Duhet të sigurohet aplikimi pa ekuivok dhe konsistent i sanksioneve ligjore të përcaktuara. Duhet përcaktuar qartë përgjegjësia individuale edhe penale e funksionarëve partiakë dhe kandidatëve në kuadër të financimit politik dhe deklarimit të burimeve të financimit dhe shpenzimeve. Deklarimi i rremë i shpenzimeve duhet të passjellë humbjen e mandatit të zgjedhur dhe ndjekjen penale.
Duhet parë mundësia e krijimi të një komisioni të përhershëm parlamentar për monitorimin e financimit të partive politike në periudhë zgjedhore dhe jozgjedhore. Ky komision duhet të ngrihet mbi baza paritare dhe duhet të drejtohet nga opozita parlamentare. Komisioni duhet të ketë kapacitete të plota ligjore për të thirrur çdo institucion kompetent, përfaqësues të subjekteve deklaruese dhe çdo individ për të raportuar para tij.

4.    Përdorimi i burimeve shtetërore dhe presioni mbi administratën. Duhen forcuar në Kodin Zgjedhor kriteret ndaluese për përdorimin e burimeve njerëzore dhe aseteve shtetërore në fushatën zgjedhore në favor të subjekteve zgjedhore apo kandidatëve. Për këtë qëllim duhet rishikuar edhe kuadri ligjor penal.
Duhet forcuar kuadri ligjor zgjedhor, por edhe ai që rregullon shërbimin civil dhe administratën publike në tërësi me qëllim mbrojtjen e nëpunësve nga presionet politike nëpërmjet masave disiplinore dhe largimeve nga puna. Duhet forcuar legjislacioni që pengon marrjen në punë me qëllime elektorale. Duhet forcuar kuadri ligjor penal për presionin e ushtruar ndaj punonjësve të administratës me qëllim pjesëmarrjen në aktivitetet zgjedhore, strukturat zgjedhore të subjekteve garuese dhe veçanërisht presionet për të votuar në favor të kandidatëve të caktuar.
Duhen ngritur instrumente ligjore efikase për denoncimin dhe hetimin e rasteve të presionit mbi punonjësit e administratës. Prokuroria duhet të hetojë rastet e denoncuara si akte që cenojnë lirinë e votës.

5.    Media dhe fushata. Korniza ligjore duhet rishikuar me qëllim garantimin e parimit “par condicio” ose kushteve të barabarta, si dhe të shmanget çdo formë censure e drejtpërdrejtë apo e tërthortë nga shteti apo media të veçanta. Korniza ligjore duhet të sigurojë mbulim të plotë të nivelit të zhvillimit të medias së shkruar, elektronike dhe në internet.
Në periudhën e fushatës zgjedhore liria e shprehjes e kandidatëve dhe liria e zgjedhësve për të përzgjedhur midis platformave konkurruese duhet të prevalojë mbi çdo aspekt tjetër, përfshirë lirinë e medias. Liria e medias nuk duhet të përthyejë apo deformojë mesazhin që japin kandidatët, i cili duhet të transmetohet tek zgjedhësi në mënyrën më të drejtpërdrejtë të mundshme. Zgjedhësi duhet të bëjë zgjedhje të informuar dhe të lirë nga çdo ndikim. Kostot e mbulimit mediatik duhet të ulen dhe kontrollohen në përputhje me standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare. Mekanizmat e monitorimit duhet të forcohen në aspektin e kompetencave, kapaciteteve dhe profesionalizmit apo pavarësisë nga shteti. Duhet të zhvillohen dhe miratohen dokumente që përcaktojnë standarde sasiore dhe etike sipas fushave të mbulimit mediatik, me qëllim garantimin e njëtrajtshmërisë dhe efikasitetit të mbulimit dhe të monitorimit. KQZ duhet të aplikojë pa mëdyshje sanksionet ligjore.

6.    Listat e zgjedhësve dhe sistemi i adresave. Duhet rishikuar kuadri ligjor dhe administrativ për hartimin e listave të zgjedhësve, si dhe të garantohet integriteti i dokumenteve të identitetit. Kuadri ligjor duhet të garantojë që zgjedhësit të votojnë sipas vendbanimit faktik të regjistruar.
Për këtë qëllim, duhen forcuar kriteret dhe procedurat ligjore dhe nënligjore të regjistrimit dhe verifikimit të vendbanimit faktik nga zyrat e gjendjes civile (ZGJC) dhe pushtetit vendor. Procedura e verifikimit duhet të kryhet nga zyrtarë të përcaktuar të bashkisë (Policia Bashkiake) brenda një afati të shkurtër dhe duhet të garantojë që vendbanimi i deklaruar i shtetasit është faktik. Ligji duhet të lidhë shërbime të ofruara nga shteti me regjistrimin e vendbanimit faktik të saktë. Saktësia e vendbanimit lidhet me saktësinë e të dhënave për dokumente identifikimi si letërnjoftim, pasaportë apo patentë dhe të dhëna të rreme mund të ndikojnë organet ligjzbatuese apo gjykatat në përmbushjen e funksioneve.
Duhet të parashikohen rregulla të qarta e strikte për deklarimin dhe/ose ndryshimin e vendbanimit nga një njësi në një tjetër dhe brenda të njëjtës njësi, si dhe mekanizma ligjorë kontrolli e verifikimi që janë të thjeshtë e të besueshëm.
Deklarimi i rremë e vendbanimit duhet të jetë i dënueshëm. Deklarimi i të dhënave të rreme passjell falsifikim të të dhënave të regjistrit të gjendjes civile dhe ligji duhet të penalizojë deri edhe penalisht deklaruesit e të dhënave të rreme dhe zyrtarët që nuk kryejnë verifikimin sipas ligjit. Ligji duhet të lejojë çregjistrimin kryesisht të vendbanimeve fiktive.
Qeveria duhet të plotësojë regjistrin e adresave me urgjencë dhe saktësi e transparencë për publikun dhe opozitën. Regjistri i adresave të shtetasve dhe saktësia e tij është themelore për saktësinë e listave të zgjedhësve dhe parandalimin e manipulimit të tyre. Nëpërmjet popullimit të sistemit të adresave duhet të hiqen rekordet “999” dhe listat duhet të pastrohen nga dublimet. Popullimi i regjistrit të adresave duhet të përfundojë para fillimit të procesit të listave të zgjedhësve për vitin 2017. Opozitës duhet t’i krijohen mekanizma aksesi dhe monitorimi të plotë në këtë proces.

7.    Votimi i emigrantëve. Ndryshimet ligjore për regjistrimin e emigrantëve përbëjnë rrezik për të drejtën e votës së emigrantëve, pasi regjistrimi në regjistrin e emigrantëve passjell heqjen automatike të tyre nga QV në territorin e Republikës së Shqipërisë. Legjislacioni zgjedhor dhe i gjendjes civile duhet të mbrojnë këtë të drejtë duke harmonizuar dispozitat e ligjit të gjendjes civile me Kodin Zgjedhor.
Duhet të krijohen mekanizma ligjorë auditimi nëpërmjet auditësh zyrtarë si në rastin e listave të zgjedhësve, për të dhënat e sistemit TIMS në lidhje me hyrje-daljet e emigrantëve në periudhë zgjedhore dhe ditën e votimit, me qëllim verifikimin e mashtrimeve zgjedhore nëpërmjet votimit të paligjshëm në emër të emigrantëve.
Prokuroria duhet të ndjekë me rreptësi pretendimet për shkelje të kësaj natyre që mund të përfshijnë jo vetëm votimin fiktiv, por edhe falsifikimin nga zyrtarë të të dhënave të TIMS. Verifikimi duhet të përfshijë verifikimin dhe ballafaqimin e hyrje-daljeve të kufi me të dhënat e votuesve në ditën e zgjedhjeve.

8.    Rishpërndarja e mandateve. Duhet siguruar informacion periodik mujor për ndryshimet e popullsisë në gjendjen civile me qëllim sigurimin e shpërndarjes së drejtë të mandateve sipas qarqeve. Auditët e KQZ të përcaktuar me ligj duhet të kenë të drejtë të verifikojnë ndryshimet e kryera në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe t’ia raportojnë zyrtarisht KQZ-së.

9.    Roli i policisë në zgjedhje. Duhet rishikuar korniza ligjore që rregullon Policinë e Shtetit dhe rolin e saj në procesin zgjedhor. Policia e Shtetit duhet të garantojë që persona me rekorde kriminale apo të lidhur me struktura kriminale të mos jenë të pranishëm pranë qendrave të votimit apo të dëmtojnë fushatën e subjekteve zgjedhore.
Policia e shtetit duhet të hetojë menjëherë dhe në mënyrë të besueshme dhe transparente çdo rast dhune të denoncuar nga subjektet zgjedhore. Rastet e hetuara duhet të referohen në Prokurori.
Ligji duhet të rregullojë qartë identifikimin e efektivave të përfshirë me detyra në procesin zgjedhor, rolin dhe detyrat e ngarkuara dhe rregullat për veprim të Policisë së Shtetit në fushatë, ditën e votimit dhe gjatë numërimit të votave.

10.    Forcimi i politikës penale. Rishikimi dhe sipas rastit, ashpërsimi i politikës penale në lidhje me krimet zgjedhore. Është i nevojshëm rishikimi i të gjitha dispozitave penale në lidhje me veprat penale zgjedhore. Ligji i dekriminalizimit ka vendosur ndalim 20-vjeçar për ushtrim funksioni pas kryerjes së dënimit me burg për personat që kryejnë vepra penale në fushën e zgjedhjeve. Ky ndalim tregon vullnetin e legjislatorit për ta konsideruar krimin zgjedhor me një rrezikshmëri të madhe sociale, të njëjtë me korrupsionin.
Korniza ligjore penale duhet t’i përshtatet këtij vullneti politik dhe publik. Në mënyrë të posaçme, shitblerja e votës, korruptimi i funksionarëve zgjedhorë, marrja apo dhënia e premtimit të votës apo mbështetjes zgjedhore nëpërmjet ofrimit të të mirave materiale duhen klasifikuar si korrupsion zgjedhor. Legjislacioni penal i shteteve demokratike ka përcaktime që i kualifikojnë këto vepra si korrupsion zgjedhor. Për shembull, në Itali, këto veprime përbëjnë korrupsion dhe Gjykata e Kasacionit, në vitin 2014, ka vendosur që ndryshe nga veprat e zakonshme të korrupsionit ku kërkohen dy persona që vepra të jetë konsumuar, korrupsioni zgjedhor konsiderohet se është konsumuar si vepër penale edhe kur veprimet e kundërligjshme janë kryer nga një person i vetëm (premtuesi, ofruesi apo kryerja e një veprimi pa patur domosdoshmërisht pëlqimin e atij që përfiton).
Duke u konsideruar si korrupsion, kjo vepër duhet t’i nënshtrohet hetimit për veprat e korrupsionit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e në përputhje me Reformën në Drejtësi, nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Ligji duhet të parashikojë shpërblime të larta për personat që denoncojnë raste të korrupsionit zgjedhor. Shpërblimi duhet që të jetë dukshëm më i lartë se pagesat korruptive që ofrohen në shkëmbim të votës, dokumenteve të identifikimit apo veprave të tjera të dënueshme. Ndërkohë që dënohet pranimi i pagesës apo të mire materiale, përfitimi, privilegji, shërbimi, vendi pune, etj., nga votuesi, komisioneri apo çdo person tjetër që parashikon ligji, denoncimi mund të passjellë përjashtim nga ndjekja penale.
Duhet të hetohen dhe dënohen rastet e denoncimit të përdorimit të dokumenteve të identifikimit të falsifikuara dhe të votimit të shumëfishtë.
Prokurori i Përgjithshëm duhet të ndërmarrë masa të dukshme dhe të besueshme në forcimin e zbatimit të politikës penale ndaj krimit zgjedhor. Prokuroria duhet të ngrejë një task forcë me resurse të mjaftueshme për ndjekjen, hetimin dhe procedimin penal të krimeve zgjedhore.

11.    Referendumet. Duhet rishikuar korniza ligjore që rregullon referendumet me qëllim garantimin efikas e të papenguar nga ligji apo vullnetet politike apo ekstraligjore e të drejtës për demokraci të drejtpërdrejtë. Duhen rishikuar afatet, procedurat dhe kërkesat e panevojshme dhe penguese ligjore që janë vërtetuar se bëjnë de facto nul iniciativat për referendum.

12.    Sistemi zgjedhor. Reforma duhet të marrë në shqyrtim edhe optimizimin e sistemit zgjedhor dhe eliminimin e hapësirave për abuzim me të. Ndërkohë që sistemi duhet të garantojë përfaqësim politik, ai duhet të sigurojë efikasitet në qeverisje.
Duhet garantuar e drejta e çdo subjekti politik real dhe kandidati të pavarur për të garuar të lirë, por duhet eliminuar që sigla partiake të “blihen” dhe të përdoren në zgjedhje për të kontrolluar votën nëpërmjet skemash mafioze të kontrollit të votës. Ndërkohë që duhet ruajtur e drejta e shtetasve për të krijuar parti politike pa pengesë, partitë politike duhet të regjistrohen në zgjedhje mbi bazën e një minimumi mbështetjeje që provon ekzistencën reale të tyre. Siglat e partive të regjistruara formalisht mund të përdoren për të kontrolluar votat e blera apo votuesit e intimiduar duke orientuar këta votues që ta hedhin votën në sigla të caktuar. Më pas, në numërim verifikohet nëse zgjedhësit përkatës i kanë hedhur votat siç janë instruktuar. Nëpërmjet skemash të përcaktuara mafioze, kur në garë konkurrojnë një numër i lartë partish të regjistruara fiktivisht, mund të kontrollohet një numër i madh votuesish për qendër votimi apo në nivel zone zgjedhore.
Reforma duhet të përmbyllet në kohë të mjaftueshme për të garantuar që procesi përgatitor të jetë i plotë dhe i besueshëm. Kjo kërkon vullnet të qartë kryesisht nga mazhoranca, jo vetëm për të përmbyllur reformën ligjore, por edhe për të marrë masat për alokimin e fondeve të mjaftueshme, marrjen e masave që ndalojnë përdorimin e aseteve shtetërore dhe të administratës, si dhe veprimet e tjera që lidhen me veprime kyçe përgatitore si listat e zgjedhësve, adresat, etj.
Kjo kërkon edhe monitorim parlamentar me qëllim garantimin në kohë të zbatimit të kornizës ligjore.

Artikulli paraprakPajisja e përgjimit 800 mijë euro, mbahet në Akademinë e Rendit
Artikulli tjetërPërgjimet, Prokuria thërret Zv.drejtorn e policisë së shtetit