1200 kryevepra në një muaj! Çfarë do më tepër ky popull?

Nga Lutfi Dervishi

Në një përpjekje rraskapitëse për të qëndruar më afër njerëzve qeveria shqiptare ka thyer të gjitha rekordet e postimeve në Facebook. Me një normë prej 43.1 postimesh në ditë, ministrat tanë janë bërë influencues të rrjeteve sociale, më të njohur se yjet e Instagramit dhe tiktok-ut.

Në krye të kësaj gare titanike për postimet qëndron Ministri i Brendshëm Taulant Balla me 276 postime në muaj. Duket se ai nuk ka kohë për t’u marrë me çështjet e rendit dhe sigurisë, sepse është shumë i zënë me komente, like dhe share. Lufta për klikime në radhë të parë, pastaj lufta ndaj krimit të organizuar. Për ministrin, çdo klikim është një goditje ndaj krimit, çdo like një medalje nderi për policinë.

Kryeministri Edi Rama, një përdorues i flaktë i Facebook, mban vendin e dytë me 174 postime. Nuk është e qartë se si ja del të menaxhojë vendin, rajonin, botën dhe më gjerë, por është e sigurt që ai menaxhon mrekullisht profilin e tij në Facebook/instgrax/tiktok. Si një mesia i rrjeteve sociale, Rama na premton parajsën me postimet e tij. Çdo postim nuk është thjesht një imazh, apo një zotim, por një kryevepër që meriton të varet në Louvre, një Mona Lisa e epokës digjitale!

Në anën tjetër të spektrit qëndron Ministri i Financave Ervin Mete me vetëm 6 postime në 30 ditë. Është e pafalshme që ka harruar të klikojë butonin “post”, aq më tepër që çdo ditë leku arrin maja të reja në raport me euron. Ndoshta ka humbur fjalëkalimin e tij, ndoshta është humbur në një labirint burokratik. Në këtë pjesë të botës jemi mësuar me humbje. Eskili humbi tragjeditë, Mete humbi password-in.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, e cila nuk ka arritur as të futet në tabelën e më të postuarve, mund të konsiderohet si një shans i humbur për marketingun online të qeverisë. Ku je fshehur zonja ministre? Populli kërkon meme, jo masa ekonomike! Si mund të kuptojmë rëndësinë e reformave pa një gif?

Me 1293 postime në muaj, qeveria ka arritur një normë mesatare prej 43.1 postimesh në ditë. Cila qeveri tjetër ka punuar më shumë?! Pesë postime çdo orë! Zgjohesh në mëngjes dhe sheh postime për kantiere që janë hapur prej 10 vitesh dhe vijon puna pa u ndalur. Në drekë me rritjen e temperaturave, sheh policë që shpërndajnë ujë të ftohtë për turistët. Pasdite ke plazhet të mbushura plot dhe në darkë, si frymëzim për të nesërmen, sheh pamje me drone në vende të mrekullueshme që nuk ka shkelur këmba e njeriut. Një orkestrim perfekt i realitetit virtual, ku çdo postim është një ëndërr e bërë realitet digjital.

Qeveria e di se postimet nuk mbushin barkun bosh, nuk mbarojnë rrugë, nuk përmirësojnë gjendjen në shkolla e spitale dhe nuk zgjidhin asnjë problem, por postimet janë ushqimi më i mirë për popullin e Facebook-ut. Në këtë univers paralel, ku çdo gjë është e mundur përmes një postimi, qeveria ka krijuar një utopi ku të gjithë jemi të lumtur, të gjithë jemi të ngopur, dhe të gjithë jemi pjesë e maksimës shkodrane: lum çfarë shoh e mjerë çfarë dëgjoj!

P.S. Shkrimi është realizuar bazuar mbi postimin e mëposhtëm të gazetarit Isa Myzyraj

Exit mobile version