Kompanitë italiane, interes për ndërtimin e impiantit të mbetjeve urbane në Kamëz

Kompanitë italiane interes për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Kamëz

Kreu i Bashkisë, Xhelal Mziu takim me përfaqësues të kompanive, të cilët shprehën interesin edhe për ndërtimin e një rruge

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu priti sot në një takim disa investues italianë, të cilët kanë shprehur interesin për ndërtimin e një impianti për përpunimin e mbetjeve urbane. Një nga përfaqësuesit e kompanive të huaja, si “Stoma Engineering S.P.A”, “Enetec srl”, ishte dr. Vito Catucci, i cili përveç ndërtimit të impiantit, shprehu interesin për të kontribuuar edhe për ndërtimin e një rruge në Kamëz, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
Kreu i Bashkisë, Mziu, i falënderoi miqtë për ardhjen në Kamëz. Ai bëri një prezantim të qytetit, i krijuar në 20 vitet e fundit, me 150 mijë banorë dhe me pozitën gjeografike më të mirën në Shqipëri për sa i përket zhvillimit të bizneseve.
“Besoj se është një qytet mjaft i pëlqyeshëm nga bizneset për zhvillimin e tyre, pasi është një zonë që po zgjon interes për zhvillim, sidomos për biznesin e huaj”, u shpreh Mziu, duke theksuar se aktualisht, ka një zhvillim industria fasone, por edhe lloje të tjera biznesi. “Në këtë qytet, për shkak të mesatares së moshës më të ulët dhe taksave të ulëta, ka pasur një zhvillim jo vetëm të fasoneve, por edhe të bizneseve të tjera. Megjithatë, vijoi Mziu, qyteti ka nevojë për investime në fusha të ndryshme”. Duke folur për impiantin e përpunimit të mbetjeve urbane, kryebashkiaku Mziu u shpreh se mbetet një nevojë emergjente për qytetin.
“Ne garantojmë vendin e ndërtimit të impiantit, si dhe mund të jemi bashkëhartues të projektit. Jemi të hapur për të gjetur çdo mundësi për fitimin e këtij projekti. Për gjërat që i përkasin Bashkisë jemi të gatshëm për t’i realizuar”, tha zMziu, duke theksuar edhe faktin se pozicioni i përshtatshëm gjeografik që ka Kamza mund të shërbejë edhe për ndërtimin e qendrave të ndryshme të biznesit, të panaireve etj. Përveç impiantit, Mziu tha se mund të kemi edhe fusha të tjera bashkëpunimi me këto kompani.

Exit mobile version