Australia e ka prej kohësh, SHBA-ja qysh nga viti 2007, fjala është për një sistem elektronik për udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë. Këtë sistem do ta aplikojë tani edhe BE-ja, për të kontrolluar më mirë, se kush hyn e del në kufijtë e saj. Në SHBA sistemi i regjistrimit elektronik përmes internetit quhet “ESTA”. Në Europë ai do të emërtohet “Etias” (European Travel Information and Authorisation System). Komisioni i BE-së ndërkohë po provon në një studim fizibiliteti, se si “Etias” mund të instalohet në qindra aeroporte dhe kalime kufitare të BE-së. Në fund të vitit do të nisë procesi i hartimit të ligjit.
Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së vitin e kaluar e ripërsëritën kërkesën për një sistem elektronik regjistrimi pas sulmeve terroriste në Paris. Ky sistem ishte planifikuar prej kohësh për të mbyllur boshllëqet e konstatuara në sistemin e sigurisë. Tani ai do të aplikohet në praktikë. Ngjashëm si në sistemin amerikan të SHBA-së, udhëtarët, që nuk kanë nevojë për vizë në BE, duhet të regjistrohen në internet. Për këtë ashtu si në SHBA do të aplikohet një pagesë, që sipas të dhënave të nëpunësve të BE-së mund të jetë rreth 13 deri në 50 euro. Nga rreth 30 milionë udhëtarë nga vendet jo anëtare të BE-së që kanë nevojë për vizë, këto të ardhura do të jenë të konsiderueshme nga 390 milionë deri në 1,5 miliardë euro në vit.