Pas 3 firmave të Interit në derbin e Madonnina-s, shkon në 13 numri i golave të pësuar nga Milani në 8 javët e para të kampionatit. Një fakt shqetësues për skuadrën e Vincenzo Montella-s, që fut ujë në fazën e mbrojtjes dhe jep sinjale se rrezikon të mbyllë një sezon të dështuar, ndryshe nga ç’pritej.
Nën akuzë është kapiteni Leonardo Bonucci, blerja e madhe e verës e shoqërisë kuqezi, rendimenti i të cilit deri tani është nën pritshmëritë. Bonucci-t i bashkohen edhe paraqitjet negative të Musachio-s dhe Romagnoli-t, ndërsa Zapata-s i ka munguar vijueshmëria.
Por diskutimi zgjerohet në mesfushë, e cila nuk bën filtrimin e duhur për prapavijën. Si rezultat shpesh mbrojtësit kuqezi gjenden një kundër një me sulmuesit kundërshtarë. Edhe ndryshimi i modulit të lojës, duke kaluar nga mbrojtja me 4 në atë me 3 lojtarë, duket se e ka theksuar problemin në vend që t’i japë zgjidhje. Në mbrojtjen me 4, golat e pësuar ishin 5 në 4 javët e para, 4 prej të cilëve në transfertën shumë negative të Romës me Lazio-n.
Është pikërisht ndryshimi taktik i dëshiruar nga Montella, që nuk ka dhënë fryte. Në 5 ndeshjet e tjera të kampionatit Milani ka pësuar 8 gola dhe vetëm kundër Spal në “San Siro” Donnarumma ka mundur ta mbajë të paprekur portën e tij. Në 3 ndeshjet e fundit kuqezinjtë kanë pësuar 7 gola, 9 në 4 ndeshje duke konsideruar edhe të fundit në Europa League.
Numra shqetësues, nëse merret parasysh se në 20 vitet e fundit vetëm Milani i Mihajloviç-it i sezonit 2015-2016 kishte pësuar më shumë gola në 8 javët e para të Serie A. Pas afrimit të Christian Brocchi-t në stol, skuadra në fund të sezonit e mbylli në vendin e 7. Të njëjtin numër golash kuqezinjtë kanë regjistruar edhe në 2013-2014, kur drejtoheshin nga Allegri. Më pas, “Djalli” që ndryshoi drejtimin në janar duke marrë Seedorf-in, e mbylli kampionatin në vendin e 8.
Duke analizuar sezonet më të mira të mijëvjeçarit të ri, nga 2002-2003 dhe deri në 2010-2011, golat e pësuar nga mbrojtja kuqezi nuk ka qenë kurrë një numër dyshifror në 8 javët e para. Pra, është e qartë që alarmi mbrojtje është ndezur në shtëpinë e Milanit dhe duhet menjëherë të gjendet një zgjidhje në mënyrë që të mos avullojë objektivi i sezonit, kualifikimi në Champions.
Arlind RAMA