Biblioteka ëndrrash, 10 vende ku do të dashuroheni me librat

Biblioteka është vendi i ruajtjes së kulturës.
Në këto ndërtesa te vërteta të dijes e kujtesës nuk mund të mos mrekulloheni nga mjedisi.
Më poshtë janë dhjetë biblioteka ëndrrash, ku do të dashuroheni me librat…

BIBLIOTEKA PICCOLOMINI – SIENË
Është një xhevahir, me bukuri të pakrahasueshme. Bën pjesë në kompleksin monumental të Katedrales së Sienës, e ndërtuar në vitin 1492 nga Kardinali Francesco Piccolomini Todeschini (e më pas Papa Pio III). Afresket në mure janë pikturuar nga Pinturicchio (Bernardino di Betto), gjatë periudhës 1502 – 1507.
Siene

BIBLIOTEKA ARCHIGINNASIO – BOLONJË
Është e specializuar në shkencat humane dhe në historinë e qytetit me seli në Pallatin e Archiginnasio, në zemër të qendrës historike. Është themeluar në vitin 1801 në manastirin San Domenico për të mbledhur trashëgiminë letrare të urdhrave fetarë të shtypur nga Napoleoni, pastaj u transferua në selinë aktuale.

ROYAL LIBRARY – KOPENHAGËN
Ndodhet në një ndërtesë moderne, e hapur në vitin 1999, e quajtur zakonisht “Diamanti i zi”, për shkak të pllakave të mermerit në atë ngjyrë dhe xhamit të tymosur që formojnë shtesën e jashtme.

STADTBIBLIOTHEK STUTTGART – SHTUTGART
Në nëntë katet e saj dominon ngjyra gri e qartë, mbi të cilën bëjnë kontrast vetëm kopertinat e librave. Është hapur në tetor të vitit 2011, si projekt i studios së arkitekturës Yi Architects dhe ka më shumë se 500 mijë libra.

STRAHOV MONASTERY – PRAGË
Këtu ndodhen dy salla të vjetra dhe të mrekullueshme leximi: Biblioteka e Teologjisë dhe ajo e Filozofisë. Është e vështirë të thuash se cila është më e bukura.

TRINITY COLLEGE LIBRARY – DUBLIN
Në këtë bibliotekë madhështore ruhen rreth 5 milionë libra dhe një koleksion i rëndësishëm dorëshkrimesh të vjetra. Në Old Library ndodhet një sallë gjigante, Long Room. Këtu janë xhiruar disa prej skenave të sagës së Harry Potter.

BIBLIOTEKA ADMONT ABBEY – AUSTRI
Është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit 18 dhe punimet përfunduan gjatë kohës së perandoreshës Maria Tereza e Austrisë. Ajo ndodhet në një ndërtesë madhështore të stilit rokoko. Në sallën gjigante dhe të mrekullueshme të leximit, me mure të mbuluara plotësisht me volume, hapësirat zbukurohen me buste studiuesish dhe artistësh.

BIBLIOTEKA ALEXANDRINA – BIBLIOTEKA E ALEKSANDRISË
Në kohërat e lashta ishte biblioteka më e madhe dhe e pasur në botë dhe një nga polet kryesore kulturore helenistike. U shkatërrua disa herë mes viteve 48 para Krishtit dhe 642 pas Krishtit. Në kujtim të saj në vitin 2002 u hap biblioteka moderne Alexandrina.

PUBLIC LIBRARY – NJU JORK
Selia qendrore e bibliotekës ndodhet në Manhatan dhe është e treta më e madhe në Amerikën e Veriut dhe një nga më të rëndësishmet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtohet privatisht nga një shoqatë jofitimprurëse me mision public

BIBLIOTEKA QENDRORE – SEATTLE
Ndodhet në një ndërtesë moderne, e lartë 56 metra, e ndërtuar në dru panje dhe xham, mu në mes të qytetit. Projekti është vepër e arkitektëve Rem Koolhaas e Joshua Prince-Ramus, të cilët imagjinuan një hapësirë të veçantë në të cilën jetojnë thuajse një milionë e gjysmë libra dhe materiale të tjera.

Exit mobile version