Në vetëm dy vitet e fundit të qeverisjes së PS, 14 kompanitë klienteliste të Ramës kanë përfituar tendera në vlerën e 135.3 miliardë lekëve. Kjo është shenja më e qartë e korrupsionit masiv në qeverisje, ku tenderat janë monopol i një grushti njerëzish të afërt me Ramën që së bashku ndajnë paratë e korrupsionit duke zhvatur shqiptarët.
Nga janari deri në shtator të këtij viti të njëjtat kompani kanë përfituar 52 miliardë lekë tendera nga dora e Ramës.
“Vetëm gjatë vitit 2016, nga janari deri në shtator, 14 kompani me lidhje miqësore, politike dhe klienteliste me Edi Ramën kanë përfituar 407 kontrata me vlerë rreth 52 miliardë lekë. Ky rekord për 9 muajt e parë të vitit ka arritur vlerën që kishte vjet gjatë gjithë vitit.
Nga 2013 e deri më sot, 14 kompani me lidhje me Edi Ramën kanë përfituar 1208 kontrata me vlerë totale 135 miliardë e 368 milionë lekë. Çdo tender, çdo koncesion jepet vetëm për miqtë. Nuk ka më grante për fermerët, nuk ka më ndihmë sociale, nuk ka më shkolla e rrugë e as mbështetje për punësimin. Vetëm tendera për miqtë e fasada.
Me këto para mund të paguheshin në një vit 55 mijë të papunë. Me këto para mund të paguhej në një vit 200 mijë familje në ndihmë ekonomike. Por, Edi Rama ka vendosur që këto para t’ua japë miqve dhe klientëve të tij.
Çdo ditë ankohet para fermerëve se nuk ka para për t’u dhënë subvencione, të cilat vetë ua premtoi kur u mori votën.
Çdo ditë ankohet se nuk bën dot investime, se nuk ul dot taksat, por siç duket për miqtë e oligarkët pranë pushtetit e ka gjetur mënyrën.
Prioriteti i Edi Ramës nuk janë investimet, nuk janë të papunët, nuk janë të sëmurët, nuk janë të pamundurit, nuk janë fermerët. Prioritet i Ramës është sigurimi i parave për vete, miqtë dhe klientët e tij. Edi Rama shpreson se me paratë e siguruara nga korrupsioni dhe krimi të blejë vota dhe të sigurojë pushtete. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën.
E vetmja shpresë e Edi Ramës për të mbajtur pushtetin janë paratë e krimit dhe korrupsionit. Kjo duket qartë në realitetin që po kalon vendi sot. Ashtu si hashashi këtë vit është thelluar dhe korrupsioni. Miqtë e Ramës vazhdojnë të jenë përfituesit kryesorë të buxhetit të shtetit”, tha dje deputetja Tabaku në një denoncim në selinë e PD.
OSHEE mbi 6.2 miliardë lekë tendera për 40 ditë
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka hapur mirë thesin e parave për t’i shpërndarë te oligarkët e pushtetit. Nga një hulumtim i “Boldnews.al” në Agjencinë e Prokurimit Publik rezulton se OSHEE ka vendosur të shpenzojë mbi 6.2 miliardë lekë për tendera publikë.
Do të jenë pikërisht 18 tendera që do t’u shpërndahen kompanive, si dhe do të “justifikojnë” këtë shifër galopante për ekonominë e vendit tonë. OSHEE i ka shpërndarë këto para në 8 qytetete, përkatësisht në Berat, Burrel, Shkodër, Durrës, Tiranë, Fier, Kavajë dhe Gjirokastër.
Këto 6.2 miliardë lekë ose përafërsisht 4.6 milionë euro kanë nisur të shpërndahen për kompanitë fituese që në fillim të muajit tetor, ndërsa paratë do të shkojnë të gjitha në destinacion brenda 11 nëntorit të këtij viti.
Në një përllogaritje të thjeshtë, OSHEE përdor mbi 150 mijë euro në ditë nga paratë e konsumatorëve shqiptarë për tendera, që shkojnë kryesisht për oligarkët pranë pushtetit. Fondet publike për të hapur tendera.
Edhe pse në listën fituese ka qytete të mëdha, për çudi pjesën më të madhe të tortës e merr Burreli, ku OSHEE ka alokuar mbi 2.9 miliardë lekë për rikonstruksion të rrjeteve elektrike.
Në qytetin bregdetar, aty ku administratori i OSHEE, Ardian Çela ka mbajtur postin e zv.kryetarit të Bashkisë së Durrësit, janë zhvilluar edhe tendera për vlerësimin e ndikimit në mjedis të investimeve në energjetikë. Janë rreth 25 milionë lekë që do të shkojnë për studime, ndërkohë që sot ka me mijëra shqiptarë që nuk janë në gjendje të paguajnë energji elektrike qoftë edhe për një poç të vetëm.
Ardian Çela ka zgjedhur vetëm qytetin e Durrësit për të shpallur herë pas here tendera të këtij lloji. Kjo edhe për shkak të lidhjeve të tij në të kaluarën, por edhe në të tashmen.
Duket se Durrësi do të vijojë të mbetet destinacioni ku mund të realizohen tendera të dyshimtë dhe të zhduken fondet publike të OSHEE.