14 miliardë lekë për zyrat, 530 milionë për kondicionera

Buxheti i Ramës për Kryeministrinë kalon të gjitha parashikimet. Me paratë e taksapaguesve edhe në fillimin e vitit 2017 pritet të bëhet një rikonstruksion tjetër i zyrave të Ramës dhe institucioneve në varësi të tij, duke arritur shumën rekord të 3 miliardë lekëve, ndërsa vetëm për kondicionera do të shpenzohen 530 milionë lekë.
Buxheti është i shfrenuar në shpërdorimin e parave të shqiptarëve ku në krye të të gjitha institucioneve është kryehajduti Rama. Pas Ramës vijnë me radhë edhe institucionet e tjera. Pothuajse të gjitha kanë parashikuar investime në luksin e zyrave dhe rikonstruksione të fasadave. Ajo që bie në sy është një tjetër rast flagrant ku vetëm për rikonstruksionin e një vile qeveritare do të shpenzohen nga paratë e taksapaguesve plot 860 milionë lekë e barabartë në fakt me ndërtimin e një pallati 6 katësh. Ndërsa kulmi tjetër arrin në zyrat e ALUIZNI-t, ku vetëm për një shtesë kati do të shpenzohen 2.7 miliardë lekë ose afro 2.2 milionë dollarë, shifër kjo e barabartë me ndërtimin e një kulle 9 katëshe.
Vetëm për dy gjëra ka menduar qeveria kur ka hartuar buxhetin për vitin tjetër; për të joshur qytetarët në këtë vit zgjedhor me rritje rrogash dhe pensionesh dhe për veten, duke planifikuar miliarda për zyrat, makinat dhe vilat qeveritare. Nga ana tjetër vijon shtrëngimi i investimeve kapitale, sidomos ato për infrastrukturën rrugore.
Sa i përket Presidencës, qeveria ka parashikuar vetëm financimin e një automjeti me vlerën e 5 milionë lekëve të rinj, ndërsa ka refuzuar të marrë në konsideratë kërkesat e saj për pajisje zyrash dhe kompjuterë. Ndërkohë që nuk ka ndodhur kështu me Kuvendin, i cili për vitin e ardhshëm do të ketë financimin e blerjes së automjeteve për institucionin në vlerën e 12 milionë lekëve. Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin e këtij institucioni nuk përcaktohet nëse bëhet fjalë për një automjet për kryetarin e Kuvendit apo për disa automjete për institucionin. Po ashtu për Kuvendin qeveria ka akorduar edhe 18 milionë lekë për blerje pajisje zyre.

Kryeministria

Një shumë të konsiderueshme për shpenzime operative qeveria ia ka dhënë edhe vetes së saj. Vlera totale për investime të brendshme për Kryeministrinë shkon në 304 milionë lekë të rinj ose 3 miliardë lekë të vjetër. Ndërsa vlera e përgjithshme e Kryeministrisë dhe institucioneve të vartësisë direkte të saj për shpenzime të brendshme shkon në 1 miliard e 41 milionë lekë, nga të cilat: rikonstruksion godine 108 milionë lekë, blerje pajisje 10 milionë lekë, ndërtimi i sistemit të sigurisë 50 milionë lekë dhe ndërtimi i sistemit të kondicionimit 53 milionë lekë. Ndërkohë që për ASPA-n janë akorduar 13 milionë lekë të rinj për rikonstruksion godine, pajisje zyrash dhe kondicionim.

Ministria e Brendshme

Një pjesë e madhe e fondeve për investime të brendshme i kanë përfituar ministritë, ku duket se sërish kampione është Ministria e Brendshme. Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin e vitit 2017 janë parashikuar blerje pajisje përgjimi për SHÇBA në vlerën 200 milionë lekë të rinj. Projekti ka filluar këtë vit, ku janë akorduar 50 milionë lekë dhe duhet të mbyllej vitin e ardhshëm. Për vitin 2017, Ministria e Brendshme ka parashikuar të shpenzojë nga buxheti i vet plotë 50 milionë lekë.
Në tabelën që shoqëron projektbuxhetin theksohet se, pjesa e mbetur prej 100 milionë lekësh që duhet për të realizuar këtë projekt do duhet të kalojnë përtej vitit 2017. Jo vetëm kaq, por në këtë projektbuxhet janë parashikuar edhe blerje programi për analizimin e informacionit SHÇBA në vlerën e 300 milionë lekëve, nga të cilat 100 milionë për vitin 2016 dhe 200 milionë për vitin 2017.
Gjithashtu, për këtë ministri është parashikuar edhe blerje kompjuteri dhe aparatit fotografik digjital për IKMT në vlerën e 120 milionë lekëve. Edhe kjo blerje, ka nisur të bëhet në vitin 2016 gjatë të cilit janë akorduar 70 milionë lekë dhe duhet të përfundojë në vitin 2017, ku është parashikuar të paguhet dhe pjesa tjetër prej 50 milionë lekësh.
Në tabelë është pasqyruar edhe blerje automjetesh për SHÇBA në vlerën e 320 milionë lekëve, por parashikimi është që blerja e automjeteve të nisë në vitin 2018 dhe të përfundojë në vitin 2019. Për Ministrinë e Brendshme janë parashikuar edhe blerje pajisje zyre për aparatin e Ministrisë me kosto totale prej 1 miliard e 720 milionë lekë, nga të cilat 780 milionë lekë janë dhënë gjatë vitit 2016 dhe 90 milionë janë parashikuar të jepen në vitin 2017, ndërkohë pjesa tjetër për vitet vijuese.

Ministritë e tjera MMSR

Një tjetër ministri që ka përfituar mbështetje buxhetore për shpenzime për rikonstruksion godine është edhe Ministria e Mirëqenies Sociale. Kështu në projektbuxhet është parashikuar rikonstruksion i pjesshëm i godinës së MMSR në vlerën e 300 milionë lekëve nga 500 milionë lekë që është i gjithë projekti.
Ndërkohë që MMSR ka kërkuar 300 milionë lekë për blerje automjetesh për aparatin, kërkesë e cila nuk është marrë parasysh për vitin e ardhshëm dhe do të nisë të zbatohet në vitin 2018.
Po ashtu një nga inspektoratet në varësi të kësaj ministrie siç është ai i punës ka kërkuar 700 milionë lekë për blerje automjetesh për ISHP. Për Ministrinë e Mjedisit janë akorduar 60 milionë lekë të rinj, nga të cilat 50 për orendi dhe pajisje dhe 10 milionë për rikonstruksion godine.
Për Ministria e Energjisë janë dhënë 190 milionë lekë për rikonstruksion godine për vitin 2017 nga 330 milionë që është i gjithë projekti. Ministria e Financave ka akorduar gjithashtu një shumë të madhe lekësh edhe për nevojat e saj të brendshme, siç janë ato për pajisje zyre, kompjuterë etj.
Në projektbuxhet është parashikuar mbështetja financiare për rikonstruksionin e zyrave dhe rrjetit LAN të MoF në vlerën e 50,000 milionë lekëve të rinj, blerje pajisje zyre 4.3 milionë lekëve, blerje pajisje kompjuterike në vlerën e 17 milionë lekëve, krijimin e një dhome konference në vlerën e 7.7 milionë lekëve, krijimin e një dhome e monitorimit dhe networku me vlerë 15 milionë.
Gjithashtu janë dhënë 39 milionë lekë për blerje pajisje zyre dhe elektronike për tatimet. Për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar mbështetja financiare për rikonstruksionin pjesor të godinës me vlerë 30 milionë lekë dhe blerje pajisje zyre dhe pajisje elektronike me vlerë 14 milionë lekë.
Ministria e Jashtme ka parashikuar blerje pajisje kompjuterike dhe zyre me vlerë 8 milionë lekë dhe rikonstruksion godine me vlerë 20 milionë. Ndërkohë për Ministrinë e Energjetikës janë dhënë 14 milionë lekë për modifikimin e sistemit ngrohje-ftohje dhe aspirim, 19 milionë për rikonstruksion godine dhe 4.5 milionë për blerje pajisje zyre dhe kompjuterike.

2.7 miliardë lekë për shtesë kati të ALUIZNI-t

Ministria e Zhvillimit Urban ka përfituar mbështetjen financiare të rikonstruksionit të godinës së saj në vlerën e 262 milionë lekë për vitin 2017 nga 320 milionë lekë në total.
Ndërkohë që Rivitalizimi i Monumentit Natyror “Syrit i Kaltër”, i cili është atraksion për mijëra turistë vendas dhe të huaj, nëpërmjet ndërhyrjeve në mobilim urban është një projekt që është parashikuar të vlejë 250 milionë lekë, por që qeveria nuk e ka parë të arsyeshme ta vlerësojë për ta financuar.
Siç parashikohet në projektbuxhet, ky projekt do të duhet të presë për t’u financuar përtej vitit 2019. Ndaj edhe për disa vite të tjera një nga pikat më të bukura dhe më të vizituara nga turistët në Shqipëri do të jetë e vështirë për t’u aksesuar për shkak të rrugës së paasfaltuar dhe mungesës së çdo elementi tjetër urban.
Ndërkohë nga ana tjetër po në buxhetin e kësaj ministrie është parashikuar që në vitin 2017 të financohet ndërtimi i një kati shtesë në godinën e përgjithshme të ALUIZNI-t në vlerën e 270 milionë lekëve (të reja) ose 2.7 miliardë lekë.
Një investim ky që vjen në një kohë kur misioni i ALUIZNI-t po vjen duke u reduktuar për shkak se procesi i legalizimeve është konceptuar të jetë i përkohshëm dhe të mbarojë shumë shpejt.
Po ashtu, po kjo ministri ka parashikuar që për blerje pajisje zyre AKPT, AQTN, AZHT, ALUIZNI të shpenzojë 230 milionë lekë. Por ndërsa ka refuzuar të financojë projektin e Syrit të Kaltër, qeveria ka vendosur të shpenzojë një shumë të konsiderueshme lekësh për rikonstruksionin dhe mobilimin e vilave qeveritare.
Kështu në projektbuxhet është parashikuar rikonstruksioni dhe mobilimi i pjesshëm i Vilës 30, në Tiranë me 65 milionë lekë të rinj, të gjitha të programuara për t’u shpenzuar në vitin 2017.
Gjithashtu është parashikuar studim projektimi për rikonstruksionin dhe mobilimin e pjesshëm të vilës 30, në Tiranë në vlerën e 21 milionë lekëve po për vitin 2017. Ndërkohë që 210 milionë lekë qeveria shpenzoi edhe gjatë vitit 2016 për rikonstruksionin e vilës qeveritare në Dhërmi.

Exit mobile version