14 sfidat që do të vendosin fatin e kampionatit

Tottenham i dha fund serisë prej 13 ndeshjesh pa humbje për Chelsean, por më shumë se rekordi  i Bluve, skuadra e Pochetinos ndali rrugëtimin e djemve të Antonio Contes drejt titullit, duke injektuar sërish rivalitet për vendin e parë të Premier League. Liverpooli i vendit të dytë mbetet 5 pikë më pak, ndërsa Tottenham dhe Manchester City ndjekin me 7 pikë më pak. Deri në fund të sezonit çdo 90 minutësh do të jetë shumë i rëndësishëm në garën e titullit, por në veçanti janë 14 sfida që mund të rezultojnë vendimtare. Fillimisht Liverpool udhëton drejt “Old Trafford” ashtu si edhe Chelsea që do të vizitojë shtëpinë e Manchester United, ndërsa në 21 janar, Manchester City pret Tottenham.
Një duel mjaft i nxehtë do të jetë edhe ai mes Liverpool e Chelseat në 31 janar dhe janë pikërisht blutë që 4 ditë më vonë presin në “Stamford Bridge” Arsenalin për derbin e Londrës. Nuk ka pushim as për Liverpoolin që e presin dy muaj zjarri, pasi në 11 shkurt, të besuarit e Jurgen Klopp presin Tottenham, ndërsa në fundin e muajit të dytë të vitit 2017, “Etihad Stadium” hap dyert për derbin e Manchesterit që do të vendosë jo pak për fatet e këtij sezoni. Në 18 ditët e para të marsit, Liverpooli do të ketë sërish një kalendar të fortë me Arsenalin që do të vizitojë qytetin-port, ndërsa në 18 mars “The Reds” sfidojnë Manchester City-n që do të vazhdojë kalendarin me dy sfida të rëndësishme kundër Arsenalit dhe Chelseat në transfertë. 4 duelet e fundit që mund të vendosin shumë për fatet e titullit janë Manchester United-Chelsea, Tottenham-Arsenal, Arsenal-Man. United dhe në datën 13 maj Tottenham do të presë Manchester United në “White Heart Lane”.

Artikulli paraprakNdërhyn qeveria
Artikulli tjetërRonaldo i jep fund pushimeve