“14-vjeç nënë, dhëndri në burg!” – Drama shqiptare dhe ‘shkopinjtë e Maliqit’ që shfaqen “ashiqare”

Nga Aranit Muraçi

T’i marrësh jetën dikujt e të sorrollatesh i lirë e nga ana tjetër të sjellësh në jetë një njeri, pavarësisht rrethanave, e të përfundosh pa kaluar as 24 orë në burg, kjo është ironia e jetës. Me drejtësinë. Veçanërisht, në një shoqëri të vuajtur dhe të etur për drejtësi!

Është edhe “forca e ligjit”! E drejta për të cilën “shqyhen” ligjvënësit, sa herë që “shkelet” një e tillë! As më shumë dhe as më pak nuk është e drejta sesa një interpretim, që ngjan me “shkopin e Maliqit” te filmi që bazohet në komedinë e Çajupit “14 vjeç dhëndër”!
Historia e fundit në Korçë është një tjetër komedi e shoqërisë sonë ‘moderne’, e cila ngjan në fakt më shumë si dramë. Është edhe pak tragjedi.

Sa e sa kriminelë janë ende të lirë nën akuzë për vrasje? Sa e sa prova fshihen nga ligjzbatuesit e korruptuar dhe zyrtarët e paaftë? Se e sa gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të shtetit janë blerë dhe janë shitur për t’i shërbyer botës së krimit?! Sa e sa të vrarë janë edhe nga vetë dora e shtetit, në mes të ditës, në sytë e të gjithëve.
Sa e sa shqiptarë nuk gjejnë drejtësi. Iu mohohet, iu shkelet e drejta. Në disa raste iu dhunohet një e tillë nga vetë ligjzbatuesit.

Por cila është ironia e kësaj historie sa dramatike, komike po aq edhe tragjike?

Në Korçë lindi sot një 14-vjeçare, e cila, sipas mjekut të maternitetit gëzon shëndet të plotë bashkë me foshnjen që solli në jetë! Çudi e madhe për kohën që jetojmë! Babai i foshnjës, një 21-vjeçar, pa kaluar as 24 orë arrestohet nën akuzë për “marrëdhënie me të mitur nën moshë” dhe me shumë mundësi ende nuk e ka kuptuar “krimin” që ka kryer. Madje edhe 14-vjeçarja që sapo u bë nënë dhe familjarët e dy familjeve pretendojnë se nuk ishin në dijeni të “krimit” që ai ka kryer.

A nuk duhet tja kursenin të paktën arrestimin “kriminelit” në ditën që u bë baba, i cili pavarësisht rrethanave nuk ia mori, por u bë prind dhe solli sot në jetë një njeri? Përderisa ai nuk paraqet as rrezikshmëri shoqërore dhe as nuk ka bërë ndonjë përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë, a nuk do të kishte qenë e udhës të ishte vepruar më “dorëlëshuar” nga ligjzbatuesit ‘e përpiktë’ të kësaj komedie, drame apo qoftë edhe tragjedie?

Pse duhej arrestuar pa vendim gjykate një 21-vjeçar i cili, për më tepër se ai, vajza minorene, duhet të ishte sot si të gjithë moshatarët e saj në shkollë dhe jo në maternitet. Në këto rrethana ‘zbatuesit e përpiktë’ të ligjit, para arrestimit ndoshta do të ishte më e drejtë dhe njerëzore ta hetonin “babain-kriminel” në gjendje të lirë. Derisa Apeli të merrte një vendim të formës së prerë, nëse çështja do të shkonte deri atje. Sipas të njëjtit standard, ose ashtu siç ndodh jo në pak raste me deputetë dhe ministra të cilët kanë shkelur ligjet që kanë hartuar vetë pavarësisht se paguhen për ti zbatuar ato me “rigorozitet dhe seriozitet”!

Autoritetet ligjzbatuese, bashkë me ato edukuese, rregullatore e progresiste, në vend të prangosjes me kaq shpejtësi të një të riu i cili bashkë me partneren dhe familjet e tyre, me shumë mundësi pa asnjë klasë shkollë dhe për rrjedhojë ende nuk dinë se çfarë krimi kanë kryer, sikur të fokusohen më shumë në arsimimin dhe në ndërgjegjësimin e të rinjve e të mbarë shoqërisë, më mirë do të vepronin. Dhe ligjet kur ti zbatojnë me kaq forcë ndaj të dobëtit, sikur të kishin mësuar nga porositë e Martin Luter King, Jr: Kurrë mos harroni se gjithçka që Hitleri bëri në Gjermani ishte legale. E ligjshme!” – akoma më mirë do të ishte!

Artikulli paraprakMjalti me rigon, si ta përdorni kundër dhimbjeve të stomakut dhe kokës
Artikulli tjetër“Kjo opozitë, peng i egoizmit dhe paaftësisë për reformim”/ Ardi Stefa: Realiteti flet që mban Edi Ramën në pushtet