140 të arrestuar pas përleshjeve mes tifozëve të Ajaxit dhe Juventusit

Tifozët e klubit holandez dhe atij italian u përplasën mes vete para ndeshjes së mbrëmshme. Kjo përleshje rezultoi në arrestimin e më shumë se 140 personave, sipas policisë së Amsterdamit.

Policia e Amsterdamit i ka arrestuar më shumë se 140 persona pas përleshjes mes tifozëve të Juventusit e atyre të Ajaxit para barazimit 1:1 në kuadër të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, transmeton Gazeta Express.

Tifozët e dy klubeve e filluan një përleshje në rrugët e qytetit dhe pamjet nga ky incident u shpërndanë gjithandej nëpër rrjetet sociale. Policia e Amsterdamit i publikoi edhe disa fotografi të mjeteve të sekuestruara, ku përfshihen fishekzjarrë dhe thika.

Fillimisht ishin arrestuar rreth 20 persona, mirëpo një njoftim i lëshuar më vonë nga policia e bëri të qartë se sa problematik kishte qenë ky incident mes dy grupeve të tifozëve.

“Dy grupe të mëdha, më së shumti tifozë italianë, janë arrestuar. Grupi i parë, 46 të dyshuar, u arrestua në stacionin e trenit, ndërsa grupi i dytë, 61 të dyshuar, u arrestua në stadium. Armë dhe fishekzjarrë u gjetën te këto dy grupe”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga policia.

“Policia veproi edhe në anën jugore të stadiumin, për shkak të disa shqetësimeve në këtë anë. Këtu policia përdori cisterna uji për t’i shpërndarë tifozët, më shumë se 30 prej të cilëve u arrestuan. Policia është duke i hetuar këto raste”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvini, pretendoi se 120 prej të arrestuarve janë tifozë të Juventusit.

“Rreth 120 tifozë të Juventusit u arrestuan. Njerëzit kishin me vete objekte të papërshtatshme për udhëtimin në stadium. Futbolli është i bukur, sporti është i bukur, por vetëm me duar dhe fytyra të pastra, pa shkaktuar telashe”.

Exit mobile version