Punimet për rrugën “Demokracia” 7 km nga Ura e Institutit deri në Babrru, janë drejt fundit. Përfundimi i këtij investimi tejet të rëndësishëm të Bashkisë Kamëz që u vjen në ndihmë 50 mijë banorëve të Paskuqanit dhe drejtuesve të mjeteve që lëvizin në këtë aks rrugor për në Tiranë, është shoqëruar edhe me futjen e 15 autobusëve të rinj. Tashmë banorët e Paskuqanit përveçse do të kenë një rrugë me standarde bashkëkohore, do të mund të lëvizin edhe me autobus të rinj, që plotësojnë kushtet e duhur për transport.
Transportit publik të Bashkisë së Kamzës i janë shtuar 15 autobusë të rinj, që do të ndikojnë në përmirësimin e ndjeshëm të këtij shërbimi. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu në ceremoninë e rastit, u shpreh se autobusët e rinj do t’i japin një cilësi tjetër transportit publik në këtë qytet. Bashkia Kamëz së bashku me operatorin e transportit publik, me vënien në punë të këtyre mjeteve kanë bërë që të rritet dukshëm shpejtësia dhe shpeshtësia e lëvizjes, ndërkohë që edhe kushtet e shërbimit do të kenë tashmë një cilësi të pakrahasueshme me të kaluarën.
Ky është një tjetër premtim i mbajtur i kryebashkiakut Xhelal Mziu i bërë realitet tashmë. Ofrimi i këtij shërbimi me cilësi të lartë vjen pas realizimit të investimit madhor që është drejt përfundimit, rruga “Demokracia”, rikualifikimit urban të bllokut të pallateve në Babrru-Qendër, si dhe rreth 30 projekteve infrastrukturore që po zbatohen aktualisht në Njësinë Administrative të Paskuqanit.