15 shtatori- Dita Ndërkombëtare e Demokracisë/ Leskaj: Sot në Shqipëri po ngrihet në kult sundimi antidemokratik

Nga Bujar LESKAJ

15 shtatori është një ditë dhe datë ceremoniale, vendosur nga Kombet e Bashkuara, si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë.

Është një datë e cila festohet në mbarë botën e vendet demokratike.

Sot, në 15 shtator, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kemi detyrën dhe detyrimin të kujtojmë me respekt 8 Dhjetorin, ditën tonë të Demokracisë, kemi për detyrë të kujtojmë me respekt e përulje Studentët e Dhjetorit ’90, që me vetmohim, guxim, ëndrra e idealizëm luftuan për Demokracinë; duhet të përulemi me respekt përpara Dëshmorëve të saj, Arben Broci, Azem Hajdari, etj; duhet të përulemi me respekt përpara qëndrestarëve antikomunistë shqiptarë; përpara themeluesve të Partisë Demokratike, z. Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, , etj; të partisë, e cila bëri ndryshimin në Shqipëri, solli pluralizmin e Lirinë me mbështetjen e pakursyer në gjithë këto vite të partnerit tonë strategjik, kampionit të Demokracisë në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por sot kjo ditë duket sikur e ka humbur simbolikën dhe kuptimin e saj.

Aktualisht në Shqipëri kemi një kufizim total të demokracisë, “demokracia” nuk është më në modë dhe modeli autoritarist dominon.

Në emër të pragmatizmit brezi ynë hoqi dorë nga idealizmi dhe idealet demokratike të ditës që sot “festojmë” nga liritë tona, nga të drejtat tona, nga aspiratat dhe fuqia jonë e vërtetë me një shkelje syri.

Sot, pas tri dekadash “demokraci” Shqipëria është peng i korrupsionit, mentalitetit përçmues e kriminal, autoritarizmit të një sekti që i ka mbërthyer shqiptarët për gryke, peng i një sekti që është i paaftë të ofrojë ndryshime në zhbërjen e vlerave demokratike.

Partia- shtet ka kapur gjithçka, shtetin, pushtetin, ekonominë, politikën, Drejtësinë…

Sot, në Shqipëri jo vetëm mohohet jeta e Demokracisë, fjala dhe ligjërimi demokratik, por ngrihet në kult sundimi sundimi më antidemokratik duke na e imponuar këtë sundim si model inspirues.

Ndaj Shqipëria e sotme, vazhdon të jetë vend i ikjes masive të popullit e i elitave intelektuale, i ikjes së të rinjve, i ikjes së atyre që kanë potencial ndryshimi të vërtetë, dhe njëherësh është vendi ku pushteti kthehet kundër e përballë qytetarëve dhe vlerat janë krejt të përmbysura.

Në Shqipëri veç me fjalë sot flitet për demokracinë, kulturën demokratike, moralin e idenditetin e vlerave, lirinë individuale, emigrimin masiv, arsimin e të ardhmen.

Veç me fjalë propozohen zgjidhje. Asgjë nga këto nuk bëhet realisht.

Sot, në Shqipëri nuk flitet thelbësisht për reforma e alternativa demokratike.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duhet të reflektojmë përpara së gjithash tek vetja dhe të kuptojmë që Demokracia nuk është përjashtuese.

Është ditë dhe moment reflektimi të thellë edhe për Partinë Demokratike, si shpresë e alternativë reale për shqiptarët.

Brezi ynë është fajtor për këtë gjendje dhe për atë ç’ka po u lëmë trashëgim fëmijëve tanë e brezave.

U kërkoj realisht e sinqerisht ndjesë!

Të rinjtë kanë mundësinë të na korrigjojnë, kanë mundësinë që potencialet negative që po u lëmë trashëgim t’i përmbysin, t’i ndryshojnë e t’i korrigjojnë, në mënyrë që kjo Ditë e Demokracisë të ketë vërtet kuptim.

823 n

Exit mobile version