15 vite nga dita kur Inter ia fali titullin Juventusit

Tifozët e Interit dhe ata të Juventusit nuk e harrojnë lehtë datën 5 maj 2002, që do të kujtojë gjithmonë një nga zhgënjimet më të mëdha të historisë së zikaltërve dhe një nga gëzimet më të paparashikuara të bardhezinjve.
Interi kishte 13 vite pa fituar titullin kampion në Itali dhe shkonte në ndeshjen e fundit ndaj Lacios me avantazhin e një pike ndaj Juventusit. Mendohej se do të ishte një formalitet, por zikaltërit u shpërbënë plotësisht edhe pse ishin në avantazh dy herë me anë të Vierit dhe Di Biaxhios.
Dy gola të Karel Poborskit dhe pastaj Diego Simeone e Simone Inzagi, vulosën një fitore të bujshme 4-2 të Lacios në një stadium ku edhe tifozët vendas në fakt kishin filluar të mbështetnin Interin.
Lotët e Materacit dhe sidomos Ronaldos, i cili pak ditë më vonë i dha lamtumirën me polemika klubit për t’iu bashkuar Real Madridit, treguan më së miri ankthin që u përjetua atë ditë në kampin zikaltër. Ndërsa në atë bardhezi filloi festa, pasi Juventusi mundi 2-0 Udinezen me golat e Trezege dhe Del Piero, për të festuar titullin e radhës.

Artikulli paraprak11-metërshat, UEFA synon ndryshimin e rregullores
Artikulli tjetërRevolucion te Inter