150 gjimnazistë në Fier pa mësim, s’ka karrige e banka

Në Fier 150 gjimnazistë nuk janë ulur në bankat e shkollës. Kjo për shkak se godina është e papajisur me banka dhe karrige. Si mysafirë të paftuar duken nxënësit e gjimnazit “Perikli Ikonomi” në Fier ditën e tretë të shkollës. Godina është bërë si e re pas restaurimit, por nuk është gati të presë të gjithë nxënësit. Këta të fundit vendosën të kërkojnë llogari për bankat dhe ndenjëset që mungojnë nëpër klasa.
150 nxënës të gjimnazit “Perikli Ikonomi” në Fier nuk kanë ku të ulen për të zhvilluar mësimin. Përjashtim bëjnë nxënësit e një klase që i kanë shndërruar bankat në ndenjëse. Një veprim i pahijshëm që bëhet në emër të edukimit.
Mësuesit gjithashtu i kanë zyrat të boshatisura. Shkaku mbetet i paqartë, por mendohet se bankat dhe karriget janë zhvendosur gjatë restaurimit të godinës disa muaj më parë dhe nuk dihet ku përfunduan. Nga 800 nxënës që ka gjimnazi 150 prej tyre i kanë klasat pa ndenjëse.
Drejtoria arsimore sqaroi se klasat do të kompletohen brenda pak ditësh, por derisa të zgjidhet situata askush nuk i detyron dot këta nxënës të shkojnë në mësim.
Edhe shkollat në disa fshatra të Mallakastrës nuk kanë nisur mësimin për shkak të infrastrukturës. Edhe këtu nxënësit u përballën me mungesën e kushteve. Shkak është infrastruktura e papërshtatshme për të zhvilluar procesin mësimor. Tavolina nuk ka, as karrige, madje dhe baza materiale didaktike mungon. Në këto kushte ka qenë e pamundur të bëhet mësim për 270 nxënës të Shkollës së Bashkuar të fshatit Rrëmbec.
Tek shkolla “Vasil Shanto” në Tiranë, në vend të nxënësve, në këtë ditë të parë të shkollës ka punëtorë me llaç e tulla. Nxënësit janë transferuar te shkolla “Sabaudin Gabrani”, për të zhvilluar procesin mësimor pas orës 13.30. Edhe pse kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi para disa ditësh se shkolla “Vasil Shanto” do të jetë gati në shtator për procesin mësimor, ajo nuk është gati.
Në nisje të punimeve Veliaj i siguroi banorët e mësuesit “se në shtator shkolla do të jetë gati për të pritur nxënësit”. Por siguria e tij nuk vlejti, pasi nxënësit janë pa shkollë. Rikonstruksioni i shkollës “Vasil Shanto” do të vijojë deri në fund të muajit nëntor, ndërsa nxënësit e kësaj shkolle do të zhvillojnë mësimin pasdite në shkollën “Sabaudin Gabrani”.

Artikulli paraprakKlinton, libër për humbjen ndaj Trump
Artikulli tjetërKërcënohet shoferi: “Zbriti mësuesit nga autobusi”