150 mijë USD pa tender, Rama i dhuron projektin Alban Eftimit

Agjencia e Planifikimit të Territorit njoftoi dje se i ka akorduar pa tender rreth 150 mijë dollarë studios së projektimit “Atelier 4” për hartimin e projektit të zbatimit të “By Pass-it Gjirokastër”.
Kjo vepër është një rrugë dytësore që lehtëson qarkullimin në zonën e mbrojtur historike të qytetit në gur.
Eftimi është një bashkëpunëtor i hershëm i Edi Ramës, që prej kohëve kur ky i fundit ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.
Për projektin e By Pass-it të Gjirokastrës qeveria zhvilloi dhe një konkurs në tetor 2015, ku ndodhi dhe një episod interesant, sepse gjatë prezantimit të kompanive pjesëmarrëse, studioja “Atelier 4” u etiketua si kompania fituese nga vajza që bënte prezantimin e eventit, ndërsa zarfi me emrin e fituesit pritej të hapej më vonë.
Është e paqartë se përse Agjencia e Planifikimit të Territorit ka bërë këtë prokurim me negocim në shumën e 150 mijë dollarëve, në kushtet kur ka pasur dhe një konkurs që do të shpallte studion fituese për këtë projekt. Konkurs që presupozohej se ezauronte të gjithë paketën e projektimeve për këtë By Pass.

Eftimi si “arkitekti total”

Asnjë arkitekt shqiptar nuk ka pasur në dekadat e fundit ndikimin dhe prezencën që ka sot Alban Eftimi. Ai është kudo, në cilindo projekt madhor të qeverisë dhe të pushtetit vendor. Aq e fuqishme është marka e tij “Atelier 4” sa dhe Agjencia e Planifikimit të Territorit një nga drejtoritë më të rëndësishme e ka quajtur “Atelier Albania”.
Studioja e Eftimit ka fituar disa qindra projekte pas vitit 2014, projektet më madhore si stadiumet, parqet apo qendrat e reja të qyteteve kanë kaluar nga studioja e Eftimit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit nga ana tjetër i jep kësaj studioje pjesën dërrmuese të projekteve të veta. Edhe kur është krijuar iluzioni se për projekte të caktuara kanë fituar studio të huaja, nuk ka vonuar shumë dhe është mësuar se studiot e huaja ishin koperturë dhe se përfituesi real ishte Alban Eftimi.
Biznesi i projektimit dhe arkitekturës nuk ka njohur asnjëherë më parë një monopolizim të kësaj grade, ku Kryeministri ka vendosur të imponojë në mënyrë totale gustot e veta personale, të cilat ia ka besuar arkitektit të tij personal, Alban Eftimit.

Tenderat miliona euro që i janë dhënë Eftimit

Pas çdo projekti qindra milionësh të shpallur nga qeveria qëndron miku dhe ortaku i vjetër i Edi Ramës, Alban Eftimi, i njohur për pazaret e tij me Ramën, kur i ky i fundit drejtonte Bashkinë Tiranë. Projektet i kalohen ortakut të Ramës pa zhvilluar asnjë tender e asnjë procedurë.  Alban Eftimi  ka qenë  anëtar i KRT së Tiranës kur Rama ishte kryebashkiak, i cili përgjatë gjithë mandateve të tij përmes aferave dhe pazereve i akordoi studios së Eftimit në shkelje të hapur me çdo ligj me dhjetëra leje ndërtimi, si dhe leje projektimi. Një dosje voluminoze e këtyre shkeljeve dhe vjedhjeve të Rama-Eftimit ndodhen në Prokurori. Projekti më i fundit i majmë që i është dhënë Eftimit është ai për projektimin e stadiumit të Shkodrës “Loro Boriçi”. Projektimi i stadiumit “Loro Boriçi”, i fituar nga studioja i Eftimit nuk është i vetmi. Firma e privilegjuar arkitekturore nga Rama, ka dhe projekte të tjera qindra milionëshe që ka futur në xhep. Një tjetër projekt, ka qenë ai i “Elbasan Arena”, të cilin “Atelier 4”, studio e Eftimit, e ekspozon edhe në faqen e vet zyrtare. Edhe në këtë rast kuptohet që shifra e akorduar për realizimin e projektit ka qenë marramendëse. Tenderi për këtë projekt, ashtu si edhe për projektin e stadiumit “Loro Boriçi” kanë kaluar në heshtje, pa u bërë publike e pa u zhvilluar fare. Megjithëse për projekte të tilla gjithmonë ftohen studio ndërkombëtare për të paraqitur projekte, e në fund zgjidhet ajo me koston më të pranueshme dhe projektin më të mirë. Por një gjë e tillë nuk ekziston në asnjë nga tenderat e qeverisë për projekte të mëdha, të cilat i kalojnë automatikisht ortakëve të vjetër të Kryeministrit.
Të gjitha projektet e ministrive dhe institucioneve të tjera që kanë të bëjnë me projektime, arkitekturë etj., i kalojnë në mënyrë automatike studios së Eftimit.  Është po “Atelier” që po bën ndërhyrjen mes Teatrit Kombëtar dhe Ministrisë së Brendshme, sheshi që pretendohet t’u kthehet qytetarëve dhe të hiqen rrethimet mes këtyre institucioneve. Në pjesën më të madhe të ndërhyrjeve për qendrat e qyteteve, ka punuar… “Atelier 4”. Dhe në fund, pas çdo tenderi për projektin më të mirë, në shumicën e tyre, është pikërisht Alban Eftimi. Në rrethet e arkitektëve në Tiranë, padyshim nuk fshihen zërat se Alban Eftimi është i preferuari i qeverisë në përzgjedhjen e punëve të mëdha dhe me shumë lekë. Duket se studiot e tjera arkitekturore, janë dorëzuar përballë “konkurrencës” së madhe që bën firma e Alban Eftimit. Dhe e fundit, është pikërisht te “Loro Boriçi” në Shkodër, ku të gjithë kujtojnë se është një firmë e huaj që po bën arkitekturën. Thjesht e qartë, është sërish Alban Eftimi.

HashtagAL

Artikulli paraprak88 milionë euro import energjie për të mbuluar humbjet në 2015
Artikulli tjetërKredia rënie vjetore me -1.6 %