150 milionë euro

Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio është kthyer nga vizita dyditore në Kinë me lajme shumë të mira për zikaltërit pas premtimit për një shifër të rëndësishme që do të investohet menjëherë për merkaton e skuadrës së drejtuar nga Pioli. Ai është takuar me përfaqësuesin kryesor të Suning përsa i përket menaxhimt të Interit, Zhang Jindong, ku ka marrë “ok” për të planifikuar që tani fushatën e blerjeve në verë, gjatë të cilës do të investohen rreth 150 milionë euro, në përputhje me rekomandimet e UEFA-s pa thyer Fair Play Financiar.
Emrat që qarkullojnë janë të shumtë, por Interi ka vendosur piketat për ato që do të trajtojë si prioritet. Berardi, Bernardeski, De Vrij, Manolas e Konti, janë emrat që përmenden nga Seria A prej kohësh. Ëndrra e zikaltërve është Verrati, të cilin vështirë se PSG do të pranojë ta lërë të lirë me një shifër normale. Por për mesfushorin italian, kinezët janë gati të bëjnë një sforco të ndjeshme ekonomike nëse u shfaqet një mundësi.
Emri i fundit që ka dalë në skenë është ai i talentit 18-vjeçar të Monako, Kilian Mbape, i cili kërkohet nga gjysma e Europës. Interesimin e Interit e ka konfirmuar pa dashje menaxheri i Kandrevës, Pastorelo. “Kandreva do të jetë pjesë e Interit të së ardhmes që ka ambicie të mëdha, vetëm Suning ka mundësitë aktualisht që të vihet në ndjekje të një lojtari si Mbape”, tha ai.
Edhe këtë vit, Mauro Ikardi përgjigjet vazhdon t’i japë në fushë: 20 golat sezonalë konfirmojnë rëndësinë e tij për të mbajtur skuadrën mbi shpatulla dhe cilësitë prej lideri. Kapiteni bomber do të përpiqet të përsëritë paraqitjet e mira dhe të udhëheqë Interin drejt suksesit sot ndaj Sampdorias, duke mos lejuar Atalantën të gëzojë avantazhin prej tri pikësh, të arritura falë fitores së djeshme ndaj Xhenoas.
Zikaltrit kanë nevojë të domosdoshme për pikë, për të mos rritur më tej distancën me konkurrentët e tjerë drejt objektivit “Europë”. Ikardi në “San Siro” transformohet dhe shifrat i japin të drejtë: Në 13 ndeshjet e zhvilluara në shtëpi, kapiteni ka gjetur rrugën e rrjetës 15 herë. Mesatarja e më shumë se një goli për ndeshje është e jashtëzakonshme, por ajo që habit është ecuria e kapitenit zikaltër larg shtëpisë.
Në ndeshjet jashtë argjentinasi ka zbritur në fushë 14 herë, duke mposhtur portierët vendës vetëm në 5 raste. Mesatarja që bie me 60 për qind nuk është i vetmi tregues negativ. Pasimet për gol janë një tjetër veçori e 24-vjeçarit, ku bie në sy që shifrat flasin sërish pozitivisht kur bëhet fjalë për ndeshje në shtëpi. Ikardi ka dhënë 5 pasime për gol në Meaca, kundrejt vetëm tri të tillave në transfertë.
Prirjen për të qenë më efikas në Milano, kapiteni zikaltër e konfirmon me një tjetër të dhënë, ajo e goditjeve në kuadrat. Kur Interi luan në shtëpi, argjentinasi e godet portën mesatarisht 4,5 herë, ndërsa kur i duhet të udhëtojë, mesatarja përgjysmohet. Me sa duket, mbështetja e tifozëve vendës ndikon në paraqitjet e lojtarit. Sa herë që luan përballë publikut të tij, Ikardi fiton gjysmën e dueleve dhe është efikas në 71 për qind të pasimeve të tij, ndërkohë që larg syve të “Curva Nord”, mesatarja bie deri në 68 për qind.

Artikulli paraprakGafa e Donnarumas, Pescara ndal Milanin
Artikulli tjetërÇmendet Mario Gomez me 3 gola