Dritan KABA
“Shumica e heshtur” janë qytetarët që nuk duan të jenë aktivë në ngjarjet politike, por janë të vendosur për të shprehur vullnetin e tyre vetëm nëpërmjet votës. Ata nuk protestojnë. Ata nuk bëjnë debate. Ata nuk japin as përgjigjet e sakta dhe nuk pranojnë të prononcohen për ekipet e sondazheve. Ata ndjehn të frikësuar nga agresiviteti i kundërshtarit politik, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale, mediave, dhunës, intimidimit me vendin e punës apo me goditjet ndaj bizneseve i kthen në tabela qitjeje. “Shumica e heshtur” janë përgjithësisht qytetarë të shtresës së mesme, posedues të bizneseve të vogla apo fermerë, që punojnë gjithë ditën për të siguruar familjet e tyre. Kjo Shumicë nuk përballet, por pret vetëm ditën e zgjedhjeve.
Në Shqipëri në votimet moniste të qershorit të vitit të kaluar, kjo shtresë u intimidua nga pushteti me anë të kërcënimeve nga më të ndryshme të shkonte në votime. Edhe raporti i ODIHR e vuri theksin tek kërcënimi i të punësuarve dhe bizneseve për t’i detyruar të marrin pjesë në zgjedhje, kundër vullnetit të tyre. Pas më shumë se 40 ditësh mezi u shpall rezultati i zgjedhjeve, ku vetëm Rilindja ishte në komisionet e qendrave të votimit dhe në ato të numërimit. Me gjithë falsifikimet e shumta, numri fletëvotimeve nuk i kaloi 800 mijë. Fletët e pavlefshme arritën një rekord historik, me gjithë manipulimin për uljen e tyre.
Dhe të mendosh që në SHBA presidenti është përfaqësuesi i “Shumicës së heshtur”. Gjykatat më shumicën e trupës se tyre janë me integritet dhe marrin vendime pa ia ndjerë për presionet.
Ndërsa në Shqipëri Gjykatat dhe Prokuroria kontrollohen nga Rilindja. Pushteti qëndror dhe lokal në 100% të saj. Nëse shkruan diçka kundër vijës së Rilindjes hiqesh nga puna. Po të jesh kritik i saj të bëjnë presione, të intimidojnë të afërmit e tu, të vijnë dhjetra kontrolle të njëpasnjëshme po pate biznes. Nëse ke shoqatë të harrosh të marrësh fonde. Kërcënimet ndaj intelektualëve dhe gazetarëve janë në nivele të krahasueshme vetëm me diktaturat e kuqe.
Opozita duhet që të frymëzojë këtë “Shumicë të heshtur”. Diferenca me autokracinë, e kam shprehur edhe më parë, nuk vjen nga niveli i taksave, por nga morali politik i përballjes me autokracinë. “Shumica e heshtur” kërkon të shohë realisht shtyllat kryesore të moralit politik, që ajo ta mbështesë në ditën e votimit, Opozitën e Bashkuar. “Drain the swamp” duhet të jetë shtylla kryesore e programit të qartë të Opozitës.
Këneta Rilndase po i merr frymën ekonomisë, punësimit, garës së ndershme në biznes, punësimit meritokratik, arsimimit, shëndetësisë. Nuk ka nevojë për shumë faqe program, por vetëm një paraqitje të qartë si do çlirohet ekonomia, arsimi, dreejtësia dhe policia nga kapja mafioze e Rilindjes. Pastaj taksat, subvencionet, çmimet janë më pas. Lufta e vërtet e Opozitës së Bashkuar edhe ajo që kërkon realisht “Shumica e heshtur” është pastrimi i Kënetës së Rilindjes.
Ata duan të dinë thellësinë e drenazhimit dhe kullimit të ujrave të ndotur të Rilindjes dhe garancinë që Këneta nuk do kthehet sërish. Kjo do të bëjë që “Shumica e heshtur” të mbështesë Opozitën e Bashkuar pa asnjë mëdyshje.