Propagandë dhe penalitete ndaj biznesit, strategjia e qeverisë për Covid-19

Nga Bardh SPAHIA

Ministrja e shëndetësisë paraqitet tashmë në parlament vetëm për të miratuar penalitete të reja ndaj biznesit! Llogaridhënia as nuk është në filozofinë e saj, e as nuk kuptohet si e drejtë nga ata që janë ulur në karriget e deputetëve në parlamentin qesharak.

Çdo ditë rritet lista e institucioneve publike ku shfaqen të infektuar, përvec institucioneve spitalore dhe cfarë bën ministrja? Anatemon e kërcënon me penalitete bizneset, pasi u lanë në fatin e vet prej 8 Marsit. Këputja e zinxhirit të infeksionit nëpër spitale e qendra shëndetësore mbetet emergjencë, por ministrja nuk artikulon asnjë plan, asnjë strategji, asnjë ide se si do e nxjerrë sistemin nga kjo situatë e dalë jashtë kontrollit!

Fshihet pas gishtit, nga një anë vetëm duke bërë thirrje sensibilizuese, e nga ana tjetër duke shpikur një narrativë idiote, sikur qenkërka anatemuar, pse paska shtuar kapacitetet me shtretër spitalorë!!!!!

E ke parë në ëndërr zonja ministre, sepse ju jetoni në realitetin e propagandës e realitetin as që e pranoni! Prej fillimit ju kemi bërë në mënyrë të përsëritur thirrje për rritje kapacitetesh në testime, mjete mbrojtëse për gjithë personelin shëndetësor e infrastrukturë adeguate për këtë situatë! Dhe çfarë ke bërë?

Vendi ynë është në bisht të rajonit për nga numri i testeve, e të parët që injorohen janë pikërisht personeli shëndetësor! Për më tepër, ia ke dalë si askund tjetër që të kthesh në vatra infeksioni institucionet publike shëndetësore, e ndërsa del e bën policin nëpër biznese, të infektuar shfaqen ditë pas dite nëpër institucione, spitale e qëndra shëndetësore dhe ti hesht për këtë situatë!

Ky vend nuk ka njohur kurrë, një qeveri kaq armiqësore me qytetarët e bizneset (përjashtim bëjnë vetëm oligarkët e zgjedhur)!

Exit mobile version