Përqindja e banesave të zakonshme të pabanuara është 32,9 përqind, ndërsa përqindja e banesave të pabanuara në pallate, kryesisht në Tiranë është rreth 40 për qind
Ose e llogaritur ndryshe janë gati 171 mijë apartamente bosh në mbarë vendin. Kjo tregon për një stok të madh pronash të pa shitura në pallate, ndërkohë që çmimet kanë arritur në shifra rekord dhe vazhdojnë të rriten. Pse ndërtohet ende, kush po i blen dhe ndërkohë që popullsia është në rënie, si shpjegohet që çmimi i banesave rritet?
Shifrat e Censit 2023 tregojnë se prej vitit 2000 çdo vit Shqipërisë i janë larguar 50 mijë qytetarë kryesisht të rinj dhe aktivë për punë dhe ky trend ka vijuar edhe gjatë 12 viteve të fundit.
Çfarë politikash janë ndërmarrë gjatë këtyre viteve që të frenohej emigracioni dhe të rinjtë ta shohin të ardhmen në vendin e tyre? Pse nuk taksohen pronarët që mbajnë stok banesat, me qëllim që të detyrohen ti nxjerrin ato në shitje pasi një ofertë më e madhe do të shoqërohej me uljen e çmimit.
Dhe në vend të mungesës së taksimit të pronarëve që zotërojnë banesa të dyta, të treta e kështu me radhë, përse duhej që të tatoheshin profesionet e lira (përmes një ligji që sapo e shfuqëzoi Gjykata Kushtetuese), pse duhen tatuar qytetarët e pamundur dhe pse vendosen taksat?
Pse ndërtohet kaq shumë në Tiranë kur popullsia pakësohet çdo vit për shkak të emigracionit dhe rënies së lindshmërisë dhe si është e mundur që çmimet e banesave vazhdon dhe rritet.
Në Censin 2023 u mblodh informacion mbi numrin e banesave të zakonshme dhe karakteristikat e tyre, përfshirë shërbimet bazë, sipërfaqen e përdorur për banim11 dhe periudhën e ndërtimit.
Censi 2023 numëroi 1.082.529 banesa të zakonshme. Shtëpitë individuale përfaqësonin 47,0 përqind të këtyre banesave, ndërsa 39,9 përqind e tyre janë pallate. Një kategori e vogël e banesave janë banesa pjesërisht të veçuara (8,1 përqind) dhe shtëpi në rend tarracor (5,0 përqind).
Nga numri gjithsej i banesave të zakonshme, në momentin e censit rezultuan 726.325 (67,1 përqind) banesa të banuara, duke vlerësuar 32,9 përqind banesave të zakonshme të pabanuara.
Shkalla e banesave të zakonshme të pabanuara varionte nga 24,3 për qind për banesat pjesërisht të veçuara në 39,4 për qind për banesat në pallate, shtëpitë individuale dhe ato në rend tarracor ishin përkatësisht secila 29,2 dhe 29,8 përqind.
Banesat e zakonshme të banuara përfshijnë 755.531 njësi ekonomike familjare dhe 2.384.418 popullsi vendbanuese. Përafërsisht në përqindje të barabarta, banesat e zakonshme ishin ndërtuar në periudhën që nga viti 2001 (36,4 për qind), dhe në periudhën 20 vjeçare 1981-2000 (37,5 për qind), ndërkaq rreth një e katërta (26,1 përqind) ishin ndërtuar para vitit 1981.
Rreth një e katërta (26,1 përqind) e banesave të zakonshme janë ndërtuar para vitit 1981 dhe përafërsisht në përqindje të barabarta, në periudha 20 vjeçare, 1981-2000 ishin ndërtuar 37,5 përqind, dhe që prej vitit 2001 e në vijim janë ndërtuar 36,4 përqind.
Për banesat e zakonshme të banuara, sipërfaqja e përdorur ishte një ndër informacionet e mbledhura e cila do të shërbejë për të analizuar “mbipopullimin e banesave”. Pothuajse gjysma e këtyre banesave (47,1 përqind) kishte një sipërfaqe të përdorur prej 40-69 m2 dhe rreth një e katërta (23,7 përqind) kishin një hapsirë të dobishme prej 70-99 m2
Censi vlerësoi se 86,4 përqind e banesave të zakonshme të banuara kishin ujë të rrjedhshëm në banesë ose në ndërtesë. Pothuajse të gjitha banesat e zakonshme të banuara (96,2 përqind) kishin tualet brenda banesës ose brenda ndërtesës. Një përqindje e vogël (më pak se 0.1 përqind) të banesave të numëruara në Cens ishin banesa jo të zakonshme. Në këto njësi të tjera banimi jetonin rreth 400 NjEF dhe 1,4 mijë vendbanues të zakonshëm./Lapsi.al