Shqiptarët duan dhe presin ndryshim dhe ndryshimi fillon nga vota. Mos prisni nga Rama të lavdërojë një proces demokratik

• Votimi nga anëtarësia e PD është një sjellje e re dhe një model i ri në politikë. Demokracia nis nga brenda shtëpisë. Është parathënie e asaj që do të vijë pas 25 Prillit, një qeverisje për shqiptarët.
• Shqiptarët duan dhe presin ndryshim dhe ndryshimi fillon nga vota. Jo thjesht dhe vetëm një rotacion dhe ndryshim karrigesh, por një ndryshim real në modelin e përfaqësimit dhe në modelin e qeverisjes nesër.
• Është një proçes në të cilin vendos anëtarësia. Mbi votën e anëtarësisë nuk ka asgjë. Nga procesi nuk ka të përjashtuar dhe nuk ka të humbur. Kush është skualifikuar, do të jetë pjesë e burimeve njerëzore të PD për të drejtuar nesër qeverisjen e vendit.
• Mos prisni nga Rama të lavdërojë një proces demokratik si ky i PD. Për 22 vite gjatë karrierës së tij politike, ai refuzon t’i bindet rregullave të garës. Qëllimi i djeshëm ishte mbajtja e Vangjush Dakos në kryesi.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE PAS VOTIMIT NË DEGËN 8
Sot kam ushtruar edhe unë të drejtën time si anëtar, në një proces që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe në rajon, votën e anëtarësisë, e cila vendos për përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike.
Siç e keni ndjekur gjatë këtyre ditëve, ky proces është zhvilluar në të gjithë Shqipërinë dhe sot kulmon dhe përfundon në Tiranë.
Pjesëmarrja masive e demokratëve në këtë proces është tregues i qartë i pjekurisë politike dhe i vendosmërisë tonë që sot të bëjmë realitet brenda radhëve tona atë që do të bëjmë realitet nesër për të gjithë shqiptarët.
Shqiptarët duan dhe presin ndryshim dhe ndryshimi fillon nga vota. Ndaj dhe jam shumë i lumtur dhe dua të falënderoj të gjithë demokratët që janë bërë pjesë e këtij procesi.
Dua të falënderoj partnerët tanë që nga Kristiandemokratët gjermanë, Konservatorët britanikë, Republikanët amerikanë që na ndihmuan për të hedhur këtë hap, i cili nuk është vetëm një risi për Partinë Demokratike dhe për partitë politike në tërësi, por është një risi dhe një model për gjithë Rajonin.
Demokracia nis nga brenda shtëpisë.
Dhe jam shumë i lumtur që një proces, i cili bëhet për herë të parë dhe ka natyrisht edhe vështirësitë dhe sfidat e veta, po shkon drejt përfundimit duke mbajtur zotimin e dhënë, ku zëri dhe vota e anëtarëve të Partisë Demokratike do të kenë rolin e tyre vendimtar për përcaktimin e përfaqësuesve të lartë politik të Partisë Demokratike.
Natyrisht, kjo është një garë dhe një festë demokracie brenda Partisë Demokratike. Beteja e vërtetë na pret dhe kjo është një betejë për të cilën demokratët shqiptarë janë të vetëdijshëm për pritshmëritë dhe për urgjencën e çdo shqiptari për të sjellë një ndryshim real. Jo thjesht dhe vetëm një rotacion dhe ndryshim karrigesh, por një ndryshim real në modelin e përfaqësimit dhe në modelin e qeverisjes nesër.
Ndaj dua të siguroj të gjithë shqiptarët që, procesi që kemi nisur dhe po përfundojmë, i përfshirjes së anëtarësisë së Partisë Demokratike në evidentimin e kandidaturave dhe të përfaqësuesve politikë, demokratizimi i Partisë Demokratike dot do të vazhdojë të jetë nesër, një nga shtyllat kryesore të programit tonë politik, në mënyrë që zëri i çdo qytetari shqiptar dhe vota e çdo qytetari shqiptar, të ketë peshën e saj dhe qeveria e ardhshme të mos jetë peng i një grushti njerëzish, të mos i shërbejë interesave të caktuara të një grushti njerëzish që janë pasuruar në mënyrë marramendëse, në bashkëpunim me një qeveri që nuk ka dalë nga vota dhe nuk përgjigjet përpara votës dhe e ka frikë votën e shqiptarëve madje edhe votën e vetë socialistëve, por të jetë një qeveri nga e cila të përfitojnë të gjithë shqiptarët.
Pyetje: Z.Basha ka patur emra të përjashtuar nga anëtarësia siç ishte rasti i z. Balliu. Keni një koment?
Lulzim Basha: Ky është një proces në të cilin vendos anëtarësia. Mbi votën e anëtarësisë nuk ka asgjë. Por ky nuk është një proces ku ka të përjashtuar. Ky është një proces ku nuk ka të humbur. Pa diskutim nga 3600 propozime mund të themi që shumica dërrmuese e tyre posedojnë kualitetet e përfaqësimit politik. Ju e dini fare mirë që s’ka parlament në botë që të ketë 3600 deputetë. Pra vetë procesi është dizejnuar në mënyrë të tillë që një numër i madh prej të propozuarve nuk janë të skualifikuar, nuk janë të humbur, por përbëjnë pjesë të burimeve njerëzore të Partisë Demokratike për të drejtuar nesër qeverisjen e vendit.
Pyetje: Zoti Basha, ju ku do të kandidoni?
Lulzim Basha: Të gjithë pyetjet e tjera i kemi subjekt të konferencave për shtyp në kohën e duhur, dhe siç e dini fare mirë, për më pak se një orë ju jeni të ftuar në selinë e Partisë Demokratike për një konferencë për shtyp, e cila ka në qendër atë që shqetëson çdo shqiptar sot, krizën ekonomike dhe problemet e tjera të lidhura me të.

Pyetje: Ju e cilësoni një proces demokratik këtë që po ndodh për herë të parë në Partinë Demokratike, por ditët e fundit kemi parë jo pak kryeministrin Rama ta ironizojë garën brenda Partisë Demokratike. Keni një koment për deklaratat e tij?

Lulzim Basha: Mos prisni që ai të lavdërojë një proces demokratik. Për 22 vite karriera e tij politike është ngritur mbi parime antidemokratike. Për 22 vite ai refuzon t’i bindet rregullave të garës. Ai nuk organizon garë në PS, ka harruar zgjedhjet. Dje siç e patë, u zhvillua një aktivitet dhe një fjalim tre orësh vetëm për të justifikuar mbajtjen në Kryesi të njerëzve që janë në listën e zezë të departamentit të shtetit, siç është Vangjush Dako. Kështu që mos më kërkoni mua të krahasoj të pakrahasueshmen. Kjo është një ditë me diell, jo thjesht për qytetarët dhe klimën e kësaj të shtune, por është një ditë me diell për atë që po vjen që është një sjellje e re, një model i ri i një partie kryesore në Shqipëri dhe është parathënie e asaj që do të vijë pas 25 Prillit, një sjellje e re, një model i ri qeverisje për qytetarët shqiptarë.

Falemnderit.

2 16
Exit mobile version