Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një fshat të Fushë – Krujës. Tane Voga 87 vjeç nga fshati Halilaj i Fushë-Krujës akuzohet për ndotje mjedisi dhe për këtë prokuroria pas denoncimit të policisë e ka çuar çështjen në gjyq.
Një histori sa e dhimbshme për një 87-vjeçare, që ndoshta është duke shtyrë ditët e fundit të jetës, mes halleve e problemeve që i sjell jeta në përditshmërinë e saj, aq edhe qesharake për policinë, për prokurorinë dhe tashmë edhe për gjyqësorin e Krujës.
Djali i nënës 87-vjeçare, ndihet i fyer dhe i revoltuar pas kësaj historie me nënën e tij. Ai tregon për ABC News se e moshuara ndodhej rastësisht pranë një gurorereje të paligjshme duke kullotur bagëti në fshat.
Aty e ka ndaluar policia, e cila e ka shoqëruar 87-vjeçaren në komisariat, ku dhe i kanë bërë të ditur akuzën për ndotje mjedisi. Edhe pse e moshuara ecën me ndihmën e një bastuni, ajo përsëri shkon në seancat gjyqësore të cilat janë shtyrë deri më tani tre herë.
“Ky është turp për policinë turp për prokurorinë që çojnë letrat në Gjykatë. Rezultati i policisë nuk është të çosh në Gjykatë një të pafajshëm. Gjatë gjithë kohës kam punuar në detyra të ndryshme por të tilla raste më duken të rënda dhe të papërgjegjshme”, thotë djali i Dane Vogës.
E pyesim se për çfarë akuzohet nëna e tij…
“Nuk e dija, -thotë i biri i Danes, – më tha vëllai që akuzohet për ndotje ambienti. E kanë gjetur në mal duke ruajtur delet. Policia ka gjetur një gropë 50 kuintalëshe duke e djegur, kanë gjetur nënën aty përreth, dhe e kanë marrë sikur e ka bërë ajo, dhe kanë çuar për ndjekje penale. Si mund të çosh nënën 87 vjeç në polici, kjo është poshtërsi. Unë do ndjek rrugën ligjore, dhe do bëj gjithçka që të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që e kanë bërë këtë. Pse nuk futen në burg kriminelët, ata që kanë vdekur njerëzit por gjejnë nënën time. Sot nuk u zhvillua gjyqi sepse mungonte prokurori dhe u shty seanca prapë. S’kam çfarë bëj do e sjell prapë nëse është akoma gjallë…”.
Pyetje: A keni besim të drejtësia shqiptare?
“Nuk është se skam besim, por skam besim tek ata që bëjnë letrat. Unë do bëj padi kundër atij që ka çuar nënën time deri këtu. Kushdo do përgjigjet për dëmin moral. I bëj apel policisë të zbatojë ligjin, kaq”, thotë i biri i Tanes.
Gazetari i ABC News Ahmet Zani ka arritur t’i shkëpusë edhe nënë Tanes (të akuzuarës), një prononcim. Edhe pse me vështirësinë që shfaq dhe lodhjen nga mosha ajo tregon:
“Policët mos më kanë pyet për tokën, jo për gropën, se nuk dëgjoj nga veshët. Nuk më kanë pyet gjë….kur erdhën isha afër një grope gëlqere, e pashë gropën e gëlqeres, por nuk pashë njeri atje. Ata më pyetën, por unë nuk jam roje pylli. Kam qenë me gjënë e gjallë në shtëpinë time, duke ruajtur bagëtinë. Policia nuk e di çfarë më tha… më çuan në polici dhe më thanë hidh firmën, por i thashë që nuk dija, dhe vura gishtin, nuk di të lexoj”, tha ajo.
Nënë Taneja do të paraqitet përsëri në dyer e gjykatës pas disa ditësh pasi edhe ditën e sotme seanca gjyqësore u shty. /abcnews.al