Derisa vendet e tjera evropiane po shtrëngojnë masat kufizuese për shkak të rritjes së numrit të njerëzve të infektuar me COVID-19, Suedia ka porositur qytetarët e saj mbi moshën 70 vjeçare që të mos izolohen.
Njoftimi erdhi nga Qeveria suedeze të enjten, më 22 tetor, me shpjegimin se Suedia regjistron numër më të ulët të njerëzve të infektuar sesa në pranverë dhe se izolimi la pasoja në shëndetin mendor të popullatës së moshuar.
“Agjencia e Shëndetit Publik ka vendosur që të moshuarit, si dhe ata në grupet e tjera të rrezikut, nuk do t’i nënshtrohen masave specifike, ata do t’u nënshtrohen të njëjtave rekomandime si pjesa tjetër e popullsisë”, tha ministrja suedeze e Shëndetësisë, Lena Hallengren, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Luftimi i koronavirusit pa izolim në Suedi
Suedia aktualisht ka një total prej rreth 110,000 të infektuarve me koronavirus dhe mbi 5,900 vdekje. Numri i të infektuarve është rritur vazhdimisht javët e fundit, por është ende dukshëm më i ulët se në vendet e tjera të Evropës.
Në Republikën Çeke, janë shtrënguar masat për të përballuar rritjen e madhe të rasteve të reja. Belgjika, Holanda, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë gjithashtu shtetet që kanë shënuar rritje të madhe.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 në Suedi është më i lartë se në vendet e tjera Skandinave, por gjithsesi më i ulët se numri i regjistruar nga vendet që kanë ndërmarrë masa më të rrepta si Spanja ose Mbretëria e Bashkuar.
Një qasje tjetër
Që nga fillimi i pandemisë, Suedia ka pasur një qasje të ndryshme nga pjesa tjetër e Evropës – duke u mbështetur në masa vullnetare për të promovuar distancën fizike dhe sjelljen e ndërgjegjshme të qytetarëve të saj – por Suedia i kishte izoluar shtëpitë e pleqve kur numri i të infektuarve filloi të rritet dhe kur vdekjet tek të moshuarit u rritën.
Strategjia e Suedisë që bazohet mbi përgjegjësinë personale, dhe jo kufizimet dhe bllokadat e rrepta, është kritikuar pas vdekjeve në pranverë, kryesisht në shtëpi të pleqve, por zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) e kanë vlerësuar modelin e tyre si “të qëndrueshëm”.
Strategjia bazohet në premisën që rekomandimet mund të zgjasin për vite me rradhë dhe se do të ishte një “katastrofë” për të hapur dhe mbyllur shkolla dhe restorante çdo herë, dhe kjo do të bënte më shumë dëm për shërbimet publike ose bizneset sesa mbyllja e tyre menjëherë dhe përgjithmonë.
Gjatë shtatorit, kur numrat filluan të rriteshin përsëri pas një vere të qetë, Suedia megjithatë e konsideroi rikthimin e masave.
“Numri mesatar i infeksioneve të reja po rritet,” tha Anders Tegnell, kryedemidologu Suedez i cili shpiku strategjinë Suedeze, por shtoi se “ende nuk ka ndikuar në kujdesin shëndetësor. Çfarë saktësisht do të ndodhë, do të shohim.”
Në shtator, Anna Mia Ekstrom, një epidemiologe në Institutin Suedez Karolinska, qendra më e madhe e vendit për kërkime akademike në fushën e mjekësisë, foli për Radion Evropa e Lirë në lidhje me qasjen jo-kufizuese të Suedisë.
Lidhur me rëndësinë e jetës së njerëzve, kryesisht të njerëzëve të moshuar në shtëpi pleqsh, Ekstrom tha: “Ne patëm vdekje shumë herët, në mars dhe prill, në vendet ku kishte një përhapje (të virusit) dhe që kryesisht në shtëpi të specializuara të moshuarve për shkak të kushteve të papërshtatshme të punës, e cila përfshinte mungesën e pajisjeve mbrojtëse, kur dinim më pak se si të mbronim të moshuarit”.
“Por, kur institucionet shëndetësore dhe politikëbërësit kuptuan se nuk ishte gjë e mirë që infeksioni hyri në shtëpi pleqsh dhe se kaq shumë njerëz vdiqën në javët e para, gjërat u përmirësuan në mënyrë dramatike “.
Ekstrom shpjegoi pse ajo beson se qasja e Suedisë për të luftuar COVID-19 është më e qëndrueshme në planin afatgjatë krahasuar me masat kufizuese nga vendet e tjera evropiane:
“Strategjia ka qenë gjithmonë më e qëndrueshme – propozimi i masave që janë të pranueshme nga popullata në planin afatgjatë. Ne kurrë nuk kishim mbyllje të plotë, kishim rekomandime të rrepta për sa i përket punës nga shtëpia, mësimi në arsimin e lartë zhvillohet në distancë, distancimi shoqëror dhe shmangia e kontaktit të panevojshëm me të moshuarit, higjiena e duarve, pra masa të këtij lloji që njerëzit në masë të madhe i kanë pranuar”.
Sidoqoftë, ka pasur polemikë nëse pacientët e moshuar në nevojë morën gjithë ndihmën e nevojshme kur kishin nevojë për të.
Tagnell thotë se vdekshmëria e lartë në Suedi nuk ka asnjë lidhje me strategjinë e luftimit të koronavirusit të Suedisë dhe se Suedia nuk mund të krahasohet me Norvegjinë dhe Finlandën, sepse shumica e vdekjeve në Suedi lidhen me shtëpitë e të moshuarve dhe shtëpitë për të sëmurët rëndë dhe dobësitë e tjera janë identifikuar më parë” citohet nga Newsweek.
Ai pranon se ata nuk prisnin kaq shumë vdekje dhe se “patjetër që diçka shkoi në drejtimin e gabuar, por që vetë strategjia nuk është e gabuar”.
Suedia e pranon se është dashur të vendosë masa më të ashpra kundër pandemisë
Deri më tani, suedezët mbi moshën 70 vjeç janë këshilluar të shmangin kontaktet fizike, të mos përdorin transport publik, të mos shkojnë në dyqane dhe vende të tjera publike – masa që kanë ulur numrin e të infektuarve, por, nga ana tjetër, kanë lënë pasoja të konsiderueshme negative mbi cilësinë e përgjithshme të jetës së shumë njerëzve të moshuar.
Suedia ishte relativisht e hapur në krahasim me vendet e tjera Skandinave, qytetarët e saj, sipas rekomandimeve, punonin nga shtëpia ose udhëtonin me biçikleta.
Suedezët e moshuar tani këshillohen të ndjekin masat që zbatohen nga pjesa tjetër e popullsisë – duke shmangur tubimet më të mëdha, duke qëndruar në shtëpi në simptomat e para të sëmundjes dhe duke ruajtur distancën fizike.
Sipas BBC, John Carlson, kreu i Agjencisë Suedeze të Shëndetit Publik, tha se rekomandimet e mëparshme kishin ndihmuar në uljen e përhapjes së infeksionit në mesin e popullatave më të prekshme, por që pasojat mendore dhe fizike ishin të dukshme për shkak të kohëzgjatjes së pandemisë.
“Rrezik për individët do to të vazhdojë. Disa do të sëmuren, por ne duhet të gjejmë një balanc,” tha Carlson.
Sidoqoftë, siç theksoi ministrja Suedeze e Shëndetësisë Lena Hallengren, kjo nuk do të thotë kthim në jetën normale: “Jeta e përditshme nuk mund të jetë si para pandemisë, por ka shumë mënyra për të jetuar dhe jo vetëm të mbijetosh”.