Presidenti Ilir Meta i ka shprehur shqetësimin Ambasadores së të Francës në vendin tonë që Shqipëri është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pasi kushti i parë kyç, reforma zgjedhore konsensuale, u prish nga mazhoranca.
Meta pati një takim me Ambasadoren, Sh.S.Znj. Elisabeth Barsacq, e cila i paraqiti Letrat Kredenciale.
“Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dhe politike me Francën, tregoi Presidenti në Facebook dhe e falënderova për mbështetjen e pakursyer e të sinqertë të dhënë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Theksova se vendimi politik i Këshillit Europian i marsit për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një mundësi historike për përparimin drejt Bashkimit Europian.
Vura në dukje se, fatkeqësisht, Shqipëria është ende shumë larg përmbushjes së kushteve që kërkohen për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, pasi kushti i parë kyç, reforma zgjedhore konsensuale, që do duhet t’i paraprijë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, u prish në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca me ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.
Inkurajova rritjen e investimeve franceze në Shqipëri dhe, në këtë kuadër, shpreha besimin se hyrja në fuqi e Marrëveshjes me Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), do t’i japë një shtysë të rëndësishme projekteve zhvillimore në vendin tonë”, ka përfunduar Meta.