18 vjeçarja Sulaj nga Rrësheni u vra në Gjermani, ministria e Jashtme e injoron

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të dielën ditë zie në nderim të tre të rinjve shqiptarë nga Kosova, që kanë humbur jetën në sulmin e së premtes mbrëma në qendrën tregtare në Mynih të Gjermanisë. Në njoftim të zyrës së Presidentit të Kosovës thuhet se dita e zisë shpallet edhe “në solidarizim me popullin gjerman”.
Por ndërsa shteti i Kosovës ka reguar menjëherë në nderim të viktima, ministria e Jashtme shqiptare mohon që të ketë patur viktima edhe pse tashmë është e konfirmuar se Sabinë Sulaj, e cila humbi jetën nga sulmi në Mynih është nga Rrësheni. Ministria e Jashtme e Shqipërisë që konfirmoi zyrtarisht se nuk ka shqiptarë mes viktimave nga sulmi në Mynih. Mininistria e Jashtme deklaron se “autoritetet gjermane i kanë konfirmuar oficerit tonë të ndërlidhjes në Ministrinë e Brendshme se nuk ka qytetarë shqiptarë në mesin e viktimave të ngjarjes së djeshme në Mynih”. Nga sulmi me armë zjarri në Mynih, humbën jetën 9 persona, ku dy prej tyre janë nga Kosova, dhe një vajzë nga Shqipëria.
Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmoi dje se tre të rinj shqiptarë nga Kosova kanë humbur jetën në sulmin e së premtes mbrëma në qendrën tregtare në Mynih, ndërsa janë shprehur siç thuhet të tronditur nga sulmi terrorist dhe ngushëllon familjarët e të vrarëve.
Ngushëllime familjeve kanë shprehur edhe udhëheqës fetarë e politikë të Kosovës.
Në një deklaratë të kryetarit të Bashkësisë islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava thuhet se “mbrëmë njerëzimi u përball edhe më një akt të rëndë terrorist, nga i cili pësuan qytetarë të pafajshëm. Sulmi në Mynih është vazhdimësi e akteve terroriste që kanë për qëllim atakimin e vlerave hyjnore, humane e njerëzore, përmes dhunës, frikës e terrorit.
Kemi ndjesi e dhembshuri të veçantë me atakimin e Gjermanisë dhe popullit gjerman, ngase ne si popull e shtet tek Gjermania e gjermanët, në ditët tona më të vështira kemi gjetur mbështetjen, përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer, që për ne është e paçmuar”.
Duke shprehur mbështetjen për autoritetet gjermane dhe ngushëllimet për familjarët e viktimave, myftiu Tërnava ngushëllon dhe ndan dhembjen edhe me familjet e bashkatdhetarëve të Kosovës, për humbjen e më të dashurve të tyre nga sulmi i mbrëmjes së premte.
Për më tepër, thekson ai, “sulmi mbi Gjermaninë është atak mbi një vend e një popull që parandaloi krizën e refugjatëve, duke evituar njëkohësisht një katastrofë humanitare që trokiste në dyert tona.
Asnjë kompromis me terroristët, dhunuesit e barbarët. Uniteti veprues i botës së qytetëruar, të lirë e demokratike do e mposhtë edhe këtë të keqe me të cilën po përballemi”, thuhet në reagimin e myftiut Tërnava.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet rrjetit social Facebook ka shprehur siç thuhet “indinjatën për krimin makabër që ua mori jetën 9 qytetarëve të pafajshëm në Mynih, në mesin e të cilëve edhe tri shqiptarëve nga Kosova”. Në postimin e zotit Veseli thuhet se, “sulmet e tilla të tmerrshme nuk do të mund të ndryshojnë vlerat tona të përbashkëta dhe mënyrën tonë të jetesës”.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nëpërmjet një telegrami ka ngushëlluar shtetin gjerman dhe familjet e viktimave. Në telegram thuhet se, Qytetarët e Kosovës janë thellësisht të prekur dhe të pikëlluar nga ky akt barbar që la të vdekur shumë njerëz të pafajshëm.
Nëntë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën, në një qendër tregtare në Mynih, kur një sulmues i vetëm qëlloi me armë zjarri, ndërsa më pas vrau veten në afërsi të qendrës tregtare. Autori i sulmit ishte një 18-vjeçar me shtetësi të dyfishtë, iraniane dhe gjermane. “Dailymail” ka publikuar edhe videon në të cilën babai i Dijamantit të ndjerë, Naim Zabregja rrëfen ngjarjen se si humbi jetën djali i tij nga ngjarja e mbrëmjes së të premtes në Mynih, ku mbetën të vdekur 9 persona në mesin e të cilëve ishin edhe tre kosovarë.

Ministria e Jashtme e Kosovës: Një prej viktimave në Mynih nga Shqipëria

Ministria e Jashtme e Kosovës në një deklaratë thotë se njëra prej viktimave në Gjermani është me origjinë nga Shqipëria. Më herët ishte thënë se tri prej viktimave në Mynih janë nga Kosova. “Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga policia gjermane se dy nga nëntë viktimat e sulmit të djeshëm në Mynih janë edhe të rinjtë kosovarë: Aremela Segashi, Dijamant Zabërgja, si dhe shqiptarja Sabinë Sulaj, e cila është në identifikim e sipër”, thuhet në deklaratë. Ministria e Jashtme e Kosovës thekson se “përfaqësuesit e policisë gjermane, përmes komunikimit zyrtar me autoritetet e shërbimit diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës në Mynih, kanë njoftuar se në mesin e të plagosurve janë edhe tre shtetas të tjerë sipas tyre aktualisht me status të panjohur të shtetësisë, Mirsad Jovanivic dhe Benet Adili, kurse Lumnije Azemi e datëlindjes 20.04.1972 është shtetase e Kosovës. MPJ është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të siguruar më shumë informacione lidhur me shtetësinë e qytetarëve të lënduar”.

Rrëfimi për djalin e vrarë në Gjermani

Zabergja me një fotografi të djalit në dorë dhe me një tufë lule ishte nisur dje për në vendin e ngjarjes, pikërisht ku aty humbi jetën tragjikisht i biri Dijamant Zabregja. Në gjendje të përlotur, thotë se ende nuk mund ta besojë që djali i tij më nuk është. Për të kjo situatë ende është sikur një ankth. Naimi tregon momentet e fundit të djalit të tij dhe se si ai humbi jetën, ndërsa shoku i tij i shpëtoi sulmit. “Ai ishte së bashku me shokun e tij. Mua më lajmëroi shoku i tij dhe tha se po i sillte disa pije dhe po pinin jashtë së bashku. Sulmuesi ishte vetëm disa metra larg tyre kur shtiu me armë. Shoku i tij arriti të ikë, por djali im jo. Ai u vra aty. Po jetoj sikur në një ankth. S’po mund të besoj atë që ka ndodhur. E gjitha familja nuk po e beson këtë”, tha Naim Zabergja.

Sulmi në Mynih, ngushëllime dhe solidaritet ndaj familjeve shqiptare dhe kosovare

Mesazhe solidariteti dhe ngushëlluese u përcollën dje nga klasa politike në lidhje me ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në Mynih. Kreu i shtetit shqiptar i shprehu solidaritetin Presidentit gjerman Gauck dhe dënon aktet ekstreme dhe kriminale terroriste në Mynih. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi dërguar Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të pafajshme dhe solidaritetin për popullin gjerman, duke dënuar njëkohësisht me forcë aktet ekstreme dhe kriminale terroriste në Mynih. “Me trishtim të thellë u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve dhe të afërmve të viktimave. Të lënduarve u uroj shërim sa më të shpejtë! I dënoj me forcën më të madhe këto akte të nxitura nga organizata terroriste e që përmes radikalizimit të të rinjve apo njerëzve në dëshpërim, kërkojnë të terrorizojnë qytetarët tanë e të ndjellin frikë e panik në jetën e tyre të përditshme. Në këto momente tronditjeje dhe dhembjeje për Gjermaninë, unë dhe populli shqiptar jemi me familjarët e viktimave dhe të lënduarve, me Ju dhe me popullin gjerman”, shkruhet në mesazhin e Presidentit Nishani. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një mesazh ngushëllimi lidhur me ngjarjen e rëndë shprehet: “Jam i tronditur nga akti i verbër, çnjerëzor i të premtes në Mynih të Gjermanisë ku mes viktimave të pafajshme që kanë humbur jetën janë tre të rinj shqiptarë. Sabina Sulaj, Armela Segashi dhe Diamant Zabergja humbën jetën nga ky akt barbar. Ngushëllimet më të thella familjeve Sulaj, Segashi dhe Zabergja. Këtë moment të rëndë hidhërimi dhe dhembje kombëtare jemi me zemër dhe mendje pranë tyre, të bashkuar për ta përballuar dhembjen e madhe”. Edhe ish-Kryeministri Berisha dënoi me ashpërsinë më të madhe këtë akt ndërsa shprehu ngushëllimet për familjet shqiptare dhe kosovare. “Një akt terrorist goditi dje Mynihun! Të dashur miq, dje një terrorist me origjinë të paqartë, por jo i lidhur me shtetin terrorist islamik ekzekutoi mizorisht në një qendër tregtare dhe në rrugë të Mynihut 9 qytetarë, tre prej të cilëve shqiptarë; Armela Segashi, Sabina Sulaj dhe Dijamant Zabërgja, si dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjeve shqiptare dhe gjermane dhe autoriteteve të RF të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës dhe urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”.

Ambasadori Kuko: S’ka shtetas nga Republika e Shqipërisë mes viktimave në Mynih

Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko ka konfirmuar për “Ora News” se nuk ka shtetas nga Republika e Shqipërisë mes viktimave nga sulmi në Mynih. Kuko i shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave në Kosova, ndërsa tha se autoritetet gjermane po hetojnë dhe se është herët të flitet për një sulm terrorist.
Intervista telefonike për “Ora News”
– Zoti Ambasador, përshëndetje!
Kuko: Përshëndetje!
– Është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme se nuk ka shtetas shqiptarë.
Kuko: Ne kemi qenë në kontakt me autoritetet gjermane që kur u njoftua lajmi për tragjedinë në Mynih dhe deri tani autoritetet gjermane na konfimrojnë se nuk ka shtetas nga Republika e Shqipërisë.
– Siç është konfirmuar se mes viktimave janë edhe 3 qytetarë të Kosovës.
Kuko: Unë i përcjelll ngushëllimet e mia familjarëve të viktimave, përfaqësuesve të ambasadës. Një ngjarje e rëndë për të cilën nuk kam fjalë. Ngjarje tragjike.
– Europa, bota është e kërcënuar pas ngjarjeve të fundit?
Kuko: Nuk do të nxitoja të hyja në ujërat e panikut. Nuk do ta mbështesja fjalën tuaj që bota nuk është më e sigurt. Bota nuk është më ajo që ka qenë. Ne duhet të marrim masat.
– Ky sulm është sulm terrorist?
Kuko: Do të ishte gabim të prononcohesha sepse ka një hetim të auoriteteve gjermane. Në orën 12 do të këtë një konferencë për shtyp të autoriteteve për informacione të hollësishme.

E reja Sabinë Sulaj me banim në Tiranë

Ish-ambasadori shqiptar në Angli, Mal Berisha e ka ndjerë edhe më shumë sulmin terrorist në Mynih të Gjermanisë e kjo për shkak se një nga viktimat e pafajshme që humbën jetën, ishte vajza e mikut të tij, Gëzim Sulajt. Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, diplomati shqiptar shpreh ngushëllimet për humbjen e Sabinesë, vajzës shqiptare nga Tirana. Po ashtu, Berisha vlerëson faktin që autoritetet e Kosovës shpallën ditë zie të dielën për të respektuar dy jetët e humbura të të rinjve me origjinë nga Kosova. “Ftoj autoritetet shqiptare të bëjnë të njëjtën gjë për të renë shqiptare, thotë diplomati, duke shtuar se “për ndërmarrjen e këtij akti të tillë nderimi nuk duhet pritur që të numërohen viktimat. Çdo jetë njeriu ka vlerën e tij”, shprehet ai.
Statusi
Të dashur miq!
Shpreh keqardhjen e pafund për viktimat e aktit kriminal që ndodhi në Mynih ditën e djeshme.
Po ashtu ndaj dhembjen e thellë dhe i shpreh ngushëllimet mikut tim Gëzim Sulaj qytetar shqiptar, ish-banor i lagjes nr. 9 në Tiranë për humbjen e vajzës së tij Sabinë Gëzim Sulaj edhe ajo e regjistruar në këtë lagje.
Ndërkohë, shpreh mirënjohjen për autoritetet e Republikës së Kosovës për shpalljen e ditës së nesërme Ditë Zie, për humbjen e dy të rinjve me origjinë nga Kosova.
Ftoi autoritetet shqiptare që të bëjnë të njëjtën gjë për të renë shqiptare Sabinë Gëzim Sulaj që është një ndër viktimat. Për ndërmarrjen e një akti të tillë nderimi nuk duhet pritur që të numërohen viktimat. Çdo jetë njeriu ka vlerën e vet.
U preftë në paqe ky engjëll që në vend të jetës më të mirë jashtë atdheut gjeti vdekjen e tmerrshme! R.I.P
Deputetja Deda ngushëllime nënës së Sabina Sulajt
Deputetja e Partisë Demokratike në Rrëshen, Albina Deda i ka shprehur ngushëllimet e saj, nënës së Sabina Sulajt, vajzës nga Rrësheni që humbi jetën nga sulmi me armë i dy ditëve më parë në qendrën tregtare “Olimpia”, në Mynih të Gjermanisë, ku 3 shqiptarë humbën jetën dhe 3 u plagosën. Deputetja demokrate përmes një statusi në Facebook ka shprehur dhembjen për Sabinën, duke shtuar se humbja e saj ishte e tmerrshme jo vetëm për familjen, por për gjithë Rrëshenin. “E dashur Lola Tuci! Ngushëllime! Kur mësova lajmin për humbjen e Sabinës, vajzës tuaj nga një sulm terrorist, ndjeva një dhembje shumë të madhe! Një stuhi, një humbje kaq e tmerrshme për ty Lola! Por edhe për ne! Për gjithë Rrëshenin! Sapo u mor vesh të gjithë u pikëlluam!  Nuk gjej dot fjalët e duhura për të të ngushëlluar se jam vetë nënë, dhe dhembja s’mbaron kurrë për një nënë. Jam me ty, me dhembjen tënde! Jam atje me mendje e me zemër dhe ju dërgoj lutjet e mia për Sabinën, engjëllin tuaj.  Sot lotët e tua janë të bashkuara dhe me të miat, me të gjithë Rrëshenit që të deshën dhe të respektuan e sot lotojnë për Sabinën. Zoti ju forcoftë! Shpirti i ndriçoftë në parajsë. U prehtë në paqe!”, ka shkruar deputetja Deda duke e shoqëruar postimin e saj me një foto të Sabinës me nënën e saj.

Exit mobile version