Azemi, simboli i qendresës dhe përmbysjes

18 vjet më parë u nda nga jeta në mënyrë tragjike një prej figurave më të ndritura të historisë së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri, Azem Hajdari. Natën e 12 shtatorit 1998, vrasësit u shfaqën në formën e djallit dhe goditën pa mëshirë. Ata ia kishin menduar vdekjen prej kohësh. Vdekja i erdhi e vrazhdë. I ishte afruar kushedi sa herë, por pa e frikësuar. Atë natë të 12 shtatorit, erdhi me mot të keq. Duhej të binte shiu dhe të fikeshin dritat. Edhe në errësirë, Azemi mendonte për dritën. Ai ishte në betejë me lirinë e kufizuar. Dhe vdekja thonë se është e ëmbël dhe e ndershme kur vdes për liri, ndaj Azem Hajdari ishte një dhuratë e madhe për mbarë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë për demokratët anembanë vendit, të cilët më 12 shtator të 1998, e qanë si një hero dhe sot e kujtojnë si një martir të demokracisë.

Lideri i Lëvizjes Studentore

Azem Hajdari u vu në krye të Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990 dhe bëri më shumë se kushdo tjetër në historinë tonë, për liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor të shqiptarëve. Idealet për të cilat luftoi dhe ra Azem Hajdari si, Shqipëria në NATO, Kosova e lirë dhe e pavarur, lëvizja e lirë e shqiptarëve në Europë, janë bërë realitet. Prof. Dr. Sali Berisha ka vlerësuar Azem Hajdarin si një figurë historike të së djathtës, i cili ka merita dhe kontribute të padiskutueshme në drejtim të ruajtjes dhe sigurimit të demokracisë jo vetëm për shqiptarët brenda shtetit tonë, por edhe për ata që jetojnë jashtë kufijve. “Ai u martirizua vetëm e vetëm që PD të mos vdiste, që të mos gjunjëzohej. Qëndroi i pamposhtur në çdo përpjekje për të mbrojtur vlerat e demokracisë. Ai u përfshi në atentatin e rrezikshëm në Tropojë, ku shkoi për të ndihmuar e mbështetur qytetarët e Kosovës që kishin lënë shtëpitë e tyre, për të mbështetur lëvizjen çlirimtare kosovare, idhulli i tij ishte Presidenti Rugova, për të kishte adhurim të jashtëzakonshëm. Çdo ditë do të jetonte me përkushtimin më të madh se si ne të ndihmojmë Kosovën. Ai ndjehej pjesë e saj, në mënyrë të përsëritur kërkonte të merrte pjesë direkt”, ka vlerësuar Berisha figurën e Azem Hajdarit. Berisha e ka cilësuar Azem Hajdarin si politikanin më të pavarur dhe më të vendosur në idealet e tij. Azem Hajdari luajti një rol të jashtëzakonshëm në fitoren e 22 marsit. Lideri i Lëvizjes Studentore, u përball me vdekjen që në momentin e parë kur doli në krye të protestave të studentëve.

Shkëndijat e para të lëvizjes studentore

Viti 1990 do të shkëndijonte të parat lëvizje studentore kundër totalitarizmit shqiptar. Pra, ishte shpallur herezia! Komiteti Qendror gjakpirës i drejtuar nga Ramiz Alia nisi menjëherë nga fushata e denigrimit dhe persekutimit të atyre studentëve që kërkonin të drejtat e tyre. Që kërkonin të kapnin një rreze drite të ardhmërisë. Makina komuniste e dhunës u vu menjëherë në veprim. Tashmë objektivët e saj nuk ishin me vendimet për mbjelljet dhe korrjet, por si duhej ndëshkuar kjo rini “e çoroditur”. Akti i parë i dhunës fizike komuniste ndaj rinisë, ishte tërheqja zvarrë e trupave të disa të rinjve që kishin dashur të kalojnë kufirin me tela me gjemba të shtetit amë. Reagoi menjëherë rinia.  Studentët, në sheshin e tyre demonstruan. Tërhoqi vëmendjen një djalë flokëzi, truplartë, me theksin verior. Policia e fshehtë e Ramiz Alisë, s’ngurroi të njoftonte shefin e madh të saj, ky djalë ish-nga Tropoja dhe quhej Azem Hajdari. Më pas, nisin protestat masive të studentëve. Gjendja dalëngadalë po elektrizohej. Azem Hajdari thirret në Policinë e Tiranës, por çuditërisht, ai është tepër i prerë në përgjigjet ndaj agjentëve të fshehtë të policisë gjakatare komuniste. Natyrisht, ai është dhe student në drejtësi dhe di të mbrohet, duke argumentuar me saktësi lëvizjen e bashkëmoshatarëve të tij. Dalëngadalë, do të vinte kësisoj edhe 8 dhjetori i vitit 1990. Lëvizja Studentore tashmë ka filluar dimensionin e vet real. Ajo jo vetëm që u ka hapur telashe merhumëve komunistë, po dalëngadalë po organizon vullkanet nëntokësore. Nëntoka e shpirtit të shqiptarëve ishte mbushur së thelli me vuajtje e persekutime 50-vjeçare. Ajo priste një shpërthim vullkani, duke dëshmuar jo vetëm durimin ndaj padrejtësive, por sidomos shpirtin e madh të etur për demokraci. Në demonstratën e madhe studentore të 8 dhjetorit 1990, Azem Hajdari u vu për të parën herë në krye të mijëra bashkëmoshatarëve të vet. Parulla ishte LIRI-DEMOKRACI, e dalë prej gjoksit të tij dhe e pasuar prej mijëra studentëve, nëpër rrugët e Tiranës, ishte shpërthimi i llavës vullkanike.
Mijërat e protestuesve për herë të parë vunë re, se në krah të tyre ishin edhe nënat e baballarët, motrat dhe vëllezërit e tyre. Por 8 dhjetori i vitit 1990, ishte edhe ballafaqimi i parë i hapur i policisë së fshehtë shqiptare, i policisë kriminale dhe gjakpirëse të shtetit komunist, me studentët dhe studentin Azem Hajdari. Dëshmitarë të asaj date e mbajnë mend fort mirë, se si studenti nga Tropoja, duke shpërfillur mburojat dhe armët, u priu bashkëmoshatarëve të vet me një guxim të pashoq. Këto mjeranë të policisë, të monstrës Ramiz Alia, nuk mund ta kuptonin se bënin shërbimet e tyre të fundit, të urryera, një diktature që pat shkatërruar jo vetëm bukuritë natyrore të atdheut të shqipeve, por edhe ndjenjat dhe shpirtin e madh të lirisë dhe përkushtimit të shqiptarëve. Duke ecur pa u trembur përballë këtyre “mbrojtësve” të diktaturës së proletariatit, Azem Hajdari kthehej njëherazi në simbol të lëvizjes antikomuniste shqiptare, në simbol të atij uragani që do të vinte përpara përgjegjësisë jo vetëm diktaturën enveriste 50-vjeçare, por edhe ideatorët kryesorë të saj.

Homazhe pranë memorialit të Azemit, Basha: Një betejë e përmasave epike na pret

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha, deputetë, anëtarë të familjes Hajdari, kryetari i FRPD, Belind Këlliçi e qytetarë të shumtë zhvilluan homazhe pranë memorialit të Azem Hajdarit në 18-vjetorin e vrasjes së Heroit të Demokracisë. Vepra e Azem Hajdarit, tha kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, është në radhë të parë vepra e kurajos, për t’u çuar dhe për t’u përballur me të keqen. Vepra e Azem Hajdarit është po kështu kujtesa, sot në këtë 12 shtator që përkon edhe me ditën e Kurban Bajramit, se liria dhe demokracia marrin frymë vetëm përmes sakrificës. “E sotmja është një ditë homazhi dhe nderimi për Azem Hajdarin dhe mikun e tij Besim Çera. Azem Hajdari është ndër të paktët njerëz që kanë ndryshuar me jetën dhe veprën e tij historinë e Shqipërisë. Dhe është edhe ndër më të paktët që e kanë ndryshuar atë për mirë. Tribuni i studentëve, të cilët në dhjetor të 1990, përmbysën me kurajon e zemrave të tyre diktaturën, u vra pabesisht 18 vite më parë këtu në këtë vend, pak metra para selisë së Partisë Demokratike. Jeta e tij ishte e shkurtër, por kujtimi i tij do të jetë i përjetshëm. Kujtimi i tij na jep kurajo, guxim dhe vendosmëri. E sotmja është një ditë e zezë për politikën shqiptare. Është dita kur politika dhe krimi u bënë njësh sepse politika në aleancë me krimin u kthye në politikë në shërbim të krimit. Politika në shërbim të krimit prodhoi traumën e madhe kombëtare, sulmin e madh ndaj vlerave themelore të demokracisë dhe shtetit ligjor, zhytjen e Shqipërisë në kriminalitet, pasiguri dhe vrasje të Heroit të Demokracisë Azem Hajdari”, tha Basha. Kreu i PD e cilësoi këtë si një apel ndaj qytetarëve ndërsa paralajmëroi se një betejë e përmasave epike pret demokratët që duhet të fitohet me çdo çmim. “Kjo është po kështu një ditë apeli për çdo shqiptar pavarësisht bindjeve politike që të mos pajtohemi me politikën e inkriminuar, të mos pajtohemi me inkriminimin e politikës, për demokratët e në veçanti për rininë demokrate, e sotmja është një ditë kushtrimi. Një betejë e përmasave epike na pret në meidanin e historisë. Edhe një herë kujtimi i Azem Hajdarit, vepra dhe kurajoja e tij janë në krahun tonë. Ai vetë si një engjëll mbrojtës në krahun e rinisë demokrate në këtë betejë që duhet e do të fitohet me çdo çmim. Shqipëria e kartelit të drogës, Shqipëria e politikës së bërë njësh me krimin, vuan në papunësi, pasiguri, varfëri e mungesë lirie që thellohet nga dita në ditë. Vepra e Azem Hajdarit është në radhë të parë vepra e kurajos, e kurajos për t’u çuar dhe për t’u përballur me të keqen. Vepra e Azem Hajdarit është po kështu kujtesa, sot në këtë 12 shtator që përkon edhe me ditën e Kurban Bajramit, se liria dhe demokracia marrin frymë vetëm përmes sakrificës. Lavdi përjetë Azem Hajdarit! Azem ti je gjallë!”, u shpreh kreu i PD.

Pesë atentatet e bandave të së majtës ndaj heroit të demokracisë

Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë, kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se, do të vritej njeriu me xhupin e zi. Që nga Lëvizja Studentore e deri më 12 shtator 1998, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale. Mjafton të kujtojmë vetëm faktin, që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ‘92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek rruga e “Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër, veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas pesë atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.
Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.
Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.
Më 18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdorën deputetin socialist Gafurr Mazreku, Azemi goditet për vdekje me 5 plumba në Kuvend.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, duke qëlluar me breshëri plumbash në makinën e tij, ku përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Qindra plumba derdhen nga armët e zjarrit mbi makinën e tij. Ai njoftoi qendrën, por nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet. Azemi i shpëton një prite ku dhjetëra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet deputetin Azem Hajdari dhe grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.
Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetëra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.
Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje.
I pashpjegueshëm qe fakti se, edhe pas vrasjes së heroit të demokracisë, nuk u ngrit asnjë postbllok në të gjithë Shqipërinë. Lajmi për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e shekullit”.

Exit mobile version