Ylli portugez i Realit, Kristiano Ronaldo ka lëshuar shkëndijën e parë të largimit nga madrilenët pas fitimit të kampionatit dhe Ligës së Kampionëve këtë sezon. “The Sun” raporton se Ronaldo nuk e ka përjashtuar largimin këtë verë nga Reali dhe mesa duket është gati për një aventurë të re. Kur u pyet nga gazetari i “Deportes Cuatro” për të ardhmen, ylli madrilen qeshi dhe iu përgjigj: “Asgjë nuk është e pamundur”! Ronaldo ka kontratë me Realin deri në vitin 2021, ndërsa ka thënë se dëshiron të luajë deri në moshën 41-vjeçare.
180 milionë euro për Kristiano Ronaldon. Kjo është shuma stratosferike që pritet t’i ofrohet Realit të Madridit për sulmuesin e tyre. Një lajm i tillë vjen nga e përditshmja sportive portugeze “A Bola”. Lajmi ka shkaktuar jo pak zhurmë në Madrid, për njeriun i cili këtë sezon e ka ndihmuar jo pak klubin “Los Blancos” në arritjen e objektivave sezonalë. Por kush janë kandidatët që janë gati të bëjnë një çmenduri të tillë? Manchester United, skuadra ku ylli portugezi u bë i njohur për të gjithë botën, është një nga destinacionet që nuk mund të përjashtohet, sepse duhet marrë në konsideratë, deklaratat e vetë 32-vjeçarit, ku në disa raste është shprehur se do t’i pëlqente që ta mbyllte karrierën e tij tek “Djajtë e Kuq”.
Është mëse normale që sulmuesi të jetë ëndrra e shumë skuadrave të mëdha. Ishte ai personi që vendosi finalen e Champions, një kampion i gjithanshëm si në nivel skuadre, por edhe me kombëtaren portugeze. Drejt fitimit të një tjetër “Topi të Artë” dhe nëse ndodh për CR7 ky do të ishte i pesti në karrierën e tij. Paris Saint Germain gjithashtu është pjesë e kësaj garë. Nurmi 1 i parisienve Naser Al-Khelaifi është i gatshëm t’i plotësojë çdo kërkesë Ronaldos. Në Kinë gjithashtu ka interes për sulmuesin.
Kristiano Ronaldo i është bashkuar kombëtares së Portugalisë. Ai ka pasur mundësi që të pushonte para Kupës së Konfederatave, por ka vendosur t’i përfundojë ato para kohe, për t’iu bashkuar ekipit kombëtar. Ronaldo dëshiron që të luajë kundër Letonisë, në ndeshjen që do të zhvillohet këtë të premte në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës Rusia 2018.
Më pas, Ronaldo dhe Portugalia do të bëhen gati për Kupën e Konfederatave, e cila do të zhvillohet nga 17 qershori deri më 2 korrik. Pjesëmarrëse në këtë garë do të jenë shtete fituese të 6 kontinenteve, Kampioni i Botës dhe mikpritësi i Kupës së Botës.
Ndërkohë, drejtuesit e Real Madridit kanë vendosur që mos ta transferojnë Davide de Gea nga Manchester United gjatë kësaj vere. “Marca” shkruan se drejtuesit e Los Blancos kanë vendosur që Keylor Navas dhe Kiko Casilla të mbeten pjesë e skuadrës të paktën edhe në sezonin e ri.
Kështu, me këtë vendim janë hedhur poshtë edhe spekulimet se portieri i Milanit, Gianluigi Donnarumma mund të transferohet në Real Madridi gjatë kësaj vere. Ndërsa, për De Gean ky do të jetë një lajm i hidhur, pasi sërish do t’i dështojë transferimi te Los Blancos, siç i kishte dështuar në vitin 2015.