180 milionë për ashensorin e Velinës, kushton 20 mijë euro

Një ashensor që kushton 180 milionë lekë dhe është klasifikuar si shpenzime rikonstruksionin e godinës së Bashkisë së Tiranës. Nëse do të shohim çmimet në tregun e kompanive të specializuara në montimet e ashensorëve ato shkojnë tek 20 mijë euro, ndërkohë që kryebashkiaku ka çliruar një fond gati shtatë herë më të madh se çmimi real i tregut. Pra duket që kjo është një aferë e pastër korruptive.
Ka qenë ky një ndër tenderat e Bashkisë së Tiranës që në fakt justifikohet si rikonstruksion i ambienteve të brendshme të zyrave, si dhe krijimin e një strukture ndihmëse për njerëzit me nevoja të veçanta në bashki. Por shërbimet për njerëzit me nevoja të veçanta mund të zbriten në katin përdhe, duke shmangur ashensorin. Ndërkohë një informacion nga Bashkia e Tiranës shprehet se ky ashensor po bëhet vetëm për luksin e kryetarit, pasi ai nuk e ndjen veten se duhet të ngjisë shkallët si gjithë njerëzit e tjerë. Këtë fakt e ka bërë publik regjizori Artan Rama. Madje në të njëjtën faqe ku ai ka publikuar këtë fakt thuhet se ashensori do të ketë edhe masazhator elektrik. Sipas Bashkisë, diametri i jashtëm i strukturës së këtij ashensori do të jetë 2300 mm, gjatësia jo më pak se 100 cm, thellësia mbi 150 cm dhe hapësira e derës jo më pak se 100 cm.
“Në këtë godinë, mungesa e ashensorit është parë si problematike, për këtë arsye është propozuar vendosja e një ashensori për pesë persona në atriuimin e shkallëve nga hyrja e kryetarit. Ky ashensor do të jetë paronamik me kabinë xhami me seksion rrethor, me piston pa kavo, i cili do të mundësojë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuar dhe lëvizshmërinë e tyre brenda godinës”, shpjegon Bashkia. Ky është lloji i ashensorit që Veliaj dëshiron për Bashkinë, por ajo që zbulohet është edhe më e rëndë. Në hyrjen e Veliajt, në godinën e Bashkisë nuk ka asnjë rampë për lëvizjen me karroca të personave me aftësi të kufizuar. Atëherë, nga do të hyjnë këta persona, për të cilët Bashkia u shqetësoka kaq shumë? Gjithashtu nëse qëllimi i vërtetë është ndihma ndaj njerëzve me nevoja të veçanta kryebashkiaku i Tiranës nuk ka se përse të hapë një tender dhe të harxhojë taksat e banorëve të Tiranës për të ndërtuar një ashensor në ndërtesën e Bashkisë. Logjika ta do se me lëvizjen e zyrave në katin përdhes një fond i tillë do të kursehej dhe mund të përdorej vërtet për të ndihmuar për të zbutur varfërinë apo edhe për të ndihmuar njerëzit në këto ditë të vështuira dimri. Në çdo vend të botës, zgjidhja nuk gjendet tek shpërdorimi i parave, por tek prakticiteti. Megjithatë në Shqipëri tenderat janë burim fitimi, ndaj edhe në këtë rast është gjendur një arsye, që në fakt është prekëse, për të mbushur xhepat e Erion Velisë. Ky i fundit nuk ndalet përpara asgjëje, madje ai kërkon të vjedhë e të bëjë show edhe me fatkeqësinë e njerëzve. Kjo u tregua edhe në ditët e fundit, kur ai mbushte kaseta pa fund e ua shpërndante televizioneve të tij për të bërë fushatë, ndërkohë që për tenderin e luksit kërkon që të mos flasë.
Me afera të tilla korruptive del zbuluar edhe propaganda qesharake e kryebashkiakut Veliaj. Ai nuk lë televizion pa dalë, duke treguar përralla se po i shërben qytetarit. Të gjithë e mbajnë mend premtimin e tij se do të shkojë në punë me biçikletë, ndërkohë që për t’u ngjitur deri në zyrë kërkon ashensor. Pra, në këtë fakt nuk është vetëm çështja korruptive që vlen për t’u hetuar thjesht, duke parë çmimet e tregut, por edhe çështja propagandistike, tek e cila Veliaj është kapur fort që ditën e parë që ka hyrë në zyrën e qytetarit të parë të Tiranës. Kjo bashki është rikonstruktuar edhe më parë si nga Rama ashtu edhe nga paraardhësi i Veliajt, Basha. Pra gjatë gjithë kësaj kohe rikonstruksioni i godinës është i plotësuar, por tashmë Veliaj po mendon për luksin e tij si brenda institucionit, por edhe me para tenderash kërkon që të paguajë për luksin e tij jashtë si dasmën faraonike që bëri në Kalanë e Gjirokastrës dhe që me paturpësinë më të madhe u tha shqiptarëve se e kishte bërë me kursimet nga pensioni i mamasë së tij apo përallat e tjera me fiq.

Redin Hafizi

Artikulli paraprakGruevski synon Ali Ahmetin, injoron zyrtarizimin e shqipes
Artikulli tjetërRama, helikopterë me kamera e 30 pako ushqime në Kukës!