Agim Muharremi me profesion mësues, ka reaguar ndaj Ramës pasi i bëri biografinë politike, vetëm pse foli në takimin e djeshëm të liderit të opozitës, Lulzim Basha me banorët e Durrësit që u janë shembur shtëpitë nga tërmeti.
Muharremi në një status në Facebook i shkruan kryeministrit Rama se, “nuk jemi as të PD, as të PS, por qytetarë të Republikës së Shqipërisë. “Ne që ju shkruajmë kërkojmë që dimri i dytë që po afron mos na zëri pa shtëpi”, shkruan Muharremi.
Reagimi i banorit Agim Muharremi
Zoti Kryeministër, Edi Rama
Ne nuk jemi as të Partisë Demokratike, as të Partisë Socialiste, por jemi qytetarë të Republikës së Shqiperisë, që kemi punuar 46 vjet duke percjellë edukatë dhe dituri tek fëmijen e vendit tonë, nxënesit tanë. Per këtë jemi dhe dekoruar në kohën e zotit Skënder Gjinushi etj.
Ne sot kemi plot 12 muaj që jetojmë në çadër dhe ndihma brenda 24 orëve na erdhën nga vëllezërit kosovarë, turq, zvicerian dhe të tjerë, por nga qeveria jone ka ardhur vetëm 1 herë një ndihmë simbolike. Ne nuk jemi në hall të madh për ndihma, por duam që të jetojmë në një shtëpi sepse dimri i dytë po afrohet dhe gjë nuk po shikojmë me sy.
Ne që ju shkruajmë kërkojmë që dimri i dytë që po afron mos na zëri pa shtëpi.